TIRANE - Operacioni "Forca e Ligjit" i ka dorëzuar kërkesën me shkrim dy personave të tjerë të dënuar më parë nga drejtësia në Gjermani dhe në Belgjikë, për të dorëzuar auto-deklaratën për pasuritë e tyre. Bardhok Pllanaj, i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore dhe Albert Lame Kochsiek, i dënuar në Gjermani për trafik droge do duhet të dorëzojnë brenda 48 orësht auto-deklaratën për të justifikuar pasuritë dhe burimin e të ardhurave.

Më tej OFL i dorëzon dosjen Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila ka 15 ditë kohë për të kaluar në Gjykatën Speciale, për masë sekustroje ndaj pasurive që dyshohet të kenë burim të ardhurash nga krimi. 

Pllanaj, i shpetoi policise duke u fshehur pas 'imunitetit' te deputetit

Bardhok Pllanaj është cilësuar si "Kumbari i Shkodrës". Për të, Operacioni "Forca e Ligjit", tha se është i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore. Por Pllanaj ka qenë edhe në gjykim në dhjetor 2018 për "pastrim parash", 'falsifikim dokumentesh' dhe 'ndërtim pa leje'. Ai ka rënë në pranga në vitin 2018, pasi dyshohej se kishte ndërtuar një pallat 10-katësh në Shkodër në lagjen “Dobraç”, me para nga burime kriminale dhe pa leje ndërtimi, objekt në vlerë rreth 2 milionë euro për të cilin ishte vendosur sekuestro preventive.

Bardhok Pllanaj

Më herët, në vitin 2014 ai është akuzuar për trafik të drogës, por i shpëtoi arrestimit. Bardhok Pllanaj njihet si njeriu që trazoi politikën dhe policinë disa vite më parë pasi rezultoi se kishte lidhje me ish-deputetin Mark Frroku. "Kumbari i Shkodrës" u fsheh në makinën e Frrokut, për t'iu shmangur arrestimit nga policia pasi Frroku, deputet në atë kohë kishte imunitet. Policia e kërkonte Pllanajn për trafik droge nga Velipoja me skaf drejt Italisë.

Në operacionin "Laguna e Vilunit" më 30 shtator 2014 ku u sekuestruan rreth 804 kg, ranë në pranga 7 persona. Droga u hodh nga trafikantët në det në vendin e quajtur Rana e Hedhun në Shëngjin pasi ata panë shërbimet e policisë. Koka e trafikut u dyshua pikërishit biznesmeni Bardhok Pllanaj, por ai u lirua nga akuzat për mungesë provash. Po ashtu, Pllanaj u arrestua në tetor të 2019 në Lushnjë, pasi kishte thyer arrestin shtëpiak.

Albert Lame Kochsiek i denuar ne Gjermani per trafikun e kokaines mbi 400 milione euro

Albert Lame Kochsiek, është pjesë e bandës me shqiptarë të arrestuar në Gjermani me kokainë, të cilën e sillnin nga Ekuadori nëpërmjet ngarkesave me banane. Albert Lame Kochsiek,  i cili zyrtarish sot mban mbiemrin e bashkëshortes, Kochsiek, cilësohej si koka e bandës së trafikantëve shqiptarë, të arrestuar në 2019-ën, tashmë të dënuar. Teksa ai ndodhet në burg në Gjermani, në Shqipëri, OFL 'i është vënë pas' për pasuritë e tij, të cilat ka dyshime të jenë investime përmes parave të drogës.

Droga e sekuestruar

Banda e drejtuar nga Albert Lame Kochsiek  ka vepruar midis shtatorit 2017 dhe prillit 2018 me bazë në Hamburg dhe ka trafikuar mbi 1.8 ton kokainë me vlerë mbi 400 milionë euro. Sipas mediave gjermane, trafikantët vinin enkas nga Shqipëria. Ata udhëtonin nga Shqipëria për të tërhequr drogën nga magazinat e kompanisë "Greenyard" e më pas ktheheshin përsëri në Shqipëri për të mos u identifikuar nga policia. Në Gjermani ky operacion u cilësua si një nga më të mëdhenjtë pasi u përfshinë rreth 500 hetuesve dhe policë.

Pjesë e grupit të tij, gjithashtu i dënuar në Gjermani, është edhe Emiljano Hyseni, të cilit ditë më parë, OFL-ja, i dërgoi kërkesën për të dorëzuar deklaratën për pasuritë. Bashkë me të, e njëjta barrë, për të faktuar burimin e ligjshëm të pasurisë, i ra edhe të afërmit të Emiljano Hysenit, Edlir Hysenaj, të cilit gjithashtu OFL  i dërgoi njoftimin për të bërë një auto-deklaratë, pasi dyshohet se ai gëzon pasuri të prejardhura nga krimi. 

Deklarata për mediat e OFL-se

"Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: - A. K., banues në Durrës, i dënuar në Gjermani për vepra penale në fushën e narkotikëve; B. P., banues në Koplik, Shkodër, i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. 

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit dhe në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Theksojmë se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve  të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë  dorëzuar të gjithë pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat sipas përcaktimit në aktin normativ  nr. 1 , të datës 31 janar 2020. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë", tha në një deklaratë zyrtare për mediat zëdhënësja e Operacionit Forcae e Ligjit.