OFL godet grupet kriminale në Tiranë, i kërkon të justifikojnë pasurinë Emiljano Shullazit dhe Gjergji Cukalit (VIDEO)

TIRANË - Operacioni "Forca e Ligjit" përqendrohet në Tiranë.

Emiljano Shullazi, i cili është në paraburgim në proces gjyqësor prej vitesh për një sërë akuzash për vepra të rënda penale, dhe Gjergji Cukali, i konsideruar i "forti i Myslym Shyrit", janë dy emrat e radhës që Operacioni Forca e Ligjit, ka vënë në sitë duke kryer verifikime ndaj pasurisë së tyre. Me dyshimin se bizneset, pronat dhe pasuritë që ata mund të kenë në emër të tyre apo familjarëve, mund të jenë vënë nga para të fituara nga bota e krimit, Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të aktit normativ "Anti KÇK" i ka dërguar kërkesën me shkrim Shullazit dhe Cukalit, për të dorëzuar një auto-deklaratë për pasuritë e tyre, dhe për burimin, nëse janë të ardhura të justifikuara, apo nëse janë nga burime të paligjshme. Ata kanë 48 orë për t'iu përgjigjur OFL-së, e cila më tej, auto-deklaratën dhe dosjen me verifikimet e kryera ndaj tyre, ia dorëzojnë SPAK-ut, me kërkesën për sekuestro të pasurive nga burime të dyshimta. Më tej SPAK ka 15 ditë kohë për shqyrtim dhe për ta dërguar pranë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila merr ose jo vendimin për sekuestro.

Emiljano Shullazi me banim në Tiranë, aktualisht ndodhet i paraburgosur, pasi ndaj tij po zhvillohet gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit përr Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Për Shullazin, Shkalla e Parë dha dënimin me 14 vite burgim, ndërsa tashmë gjykimi vijon në Apel. Nga një kërkim i bërë në Qendrën Kombëtare të Biznesin, në emër të Shullazit apo Cukalit, nuk rezulton ndonjë aktivitet tregtar i regjistruar. Por Emiljano Shullazi ka një pjesë të sipërfaqes së ish-hotel “Vollga” në Durrës, të cilën thotë se e ka marrë me dhurim, e cila rezulton e regjistruar në hipotekën e Durrësit në emrin e Shullazit. Ndërkohë një hetim për pastrim parash në ngarkim të Shullazit është mbyllur nga prokuroria e Tiranës.

Gjergj Cukali, i njohur si i “forti i Myslym Shyrit”, u arrestua në 2019-ën si një nga të dyshuarit kryesor të vrasjes së ish-efektivit Arben Bilali, por u lirua nga Apeli i Tiranës. Në vitin 2006 Gjykata e Rrethit Tiranë e ka dënuar Cukalin me 10 vite burg, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit". Ai ka qenë i arrestuar edhe për shpërndarje të kokainës në Tiranë më 2016, por është lënë i lirë në 2017-ën me masë "arrest shtëpiak" pasi gjykata çmoi se kishte probleme shëndetësore dhe vuante nga astma bronkiale. 

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e OFL-së bëri edhe një bilanc të aksionit: "OFL, që prej nisjes së operacionit e deri sot, u ka dërguar kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 13 personave, si dhe ka sekuestruar: një vilë, një karburant, 6 banesa, 3 automjete dhe 1900 m2 truall, arë"

Emiljano Shullazi dhe Gjergji Cukali

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:08
Reagon avokati i Shullazit: Pasuritë i ka të ligjshme, ia kaloi në 'filtër' Anti-mafia

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, në një reagim pasi Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi me shkrim kërkesën për të justifikuar pasurinë, thotë se pasuria e Shullazit ka kaluar në sitën e ligjit antimafia dhe nga ky hetim sipas tij, ai nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme.

Avokati përmend edhe procesin gjyqësor në Apelin e Gjykatës së Posaçme që po zhvillohet ndaj Shullazit, ku akuzon se ai është proces i montuar, ndërsa thotë se e vetmja pasuri që Emiljano Shullazi ka, është një banesë dhe një sipërfaqe në një objekt, duke iu referuarish-hotel  "Vollgës" në Durrës.

"U njoha me lajmin që OFL i ka dërguar klientit tim kërkesë për të paraqitur deklaratë mbi pasuritë. Sipas meje është një "show", sikundër ka rezultuar edhe në ndonjë rast të mëparshëm .Në dijeninë time, pasuria e klientit tim e ka kaluar sitën e ligjit Antimafia dhe ai nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme, produkt i ndonjë vepre penale apo të pajustifikuar nga burime të ligjshme. Pavarësisht zhurmës mediatike që po e shoqëron procesin kundër tij pothuaj prej 4 vjetësh, proces ky i montuar, ku janë shkelur të gjitha parimet mbi të cilat ngrihet një proces i rregullt penal, klienti im nuk zotëron pasuri të paligjshme, madje nuk zotëron pasuri veç banesës së tij dhe një sipërfaqe në një objekt, që është legjenduar si e marrë me dhunë, por që gjithsesi është objekt i shqyrtimit gjyqësor, i cili ende nuk ka përfunduar.

OFL- ja përpara se të kërkonte prej tij deklarimin e pasurisë, do ishte mirë të kishte kryer qoftë dhe një verifikim dhe të mos ushqente me zhurmë të panevojshme opinionin publik. Sipas meje, ky është një ndikim i hapur dhe i paligjshëm në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit përr Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar!

Megjithatë, klienti im nuk ka asgjë për të fshehur dhe do t'i përgjigjet OFL në kohë dhe në mënyrë të plotë", tha avokati Vladimir Meçe.

Ora 12:33
Vetëm 4 muaj në qeli, Apeli liroi Cukalin për vrasjen e policit...Si i ka shpëtuar drejtësisë për kokainën në Tiranë

1581421255_gjergjcukali.jpg

Gjergj Cukali para gjykatës për çështjen e vrasjes së ish-policit Arben Bilali

Gjergj Cukali, të cilit OFL i kërkoi sot të justifikojë pasurinë, ka qenë i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Billali në janar 2019. Por në një kohë të shkurtër hetimesh, prokuroria e Tiranës nuk mundi të bindë Gjykatën e Aplit të mbajë në burg Gjergji Cukalin, të arrestuarin për krimin e rëndë. Në shtator 2019, pas vetëm 4 muajve në qeli Cukali u la i lirë nga gjykata e Apelit me trupë gjykuese Alaudin Malaj, Elbana Lluri dhe Gentian Shala.

Gjergj Cukali, i njohur si i “forti i Myslym Shyrit”, u arrestua si një nga të dyshuarit kryesor të vrasjes së ish-efektivit Arben Bilali për shkak se gjurmët e gjetura në një bidon plastik uji brenda mjetit të braktisur të autorëve përputheshin me të tijat, provë kjo e cila nuk ishte bindëse për gjyqtarët e Apelit të Tiranës, duke i rikthyer atij lirinë.

Dy gjyqtarët që kanë dhënë ok për lirimin e Cukalit, Alaudin Malaj, Elbana Lluri kanë nxjerrë të paligjshëm procedurën e kryerjes së analizës së AND-së së pështymës së Cukalit që u gjet brenda në makinën e vrasësve të ish-policit, duke e krahasuar atë me mostra të vjetra pështyme që i janë marrë këtij personi kur është arrestuar disa vite më parë.

Po kështu dy gjyqtarët e mësipërm nxjorrën “nul” edhe faktin se kqyrja e automjetit tip Benz që është përdorur nga autorët për vrasje, nuk është bërë në vendin ku është gjetur por mjeti sipas gjykatës është transportuar me karotrec në një garazh të policisë, aty ku është bërë dhe kqyrja e mëtejshme e mjetit.

Ish-efektivi policisë Arben Bilai u ekzekutua më 30 janar 2019 teksa zbriti nga një makinë në zonën e Tiranës së Re pak para se të futej në banesë, ndërsa nga ai moment asnjë autor është në pranga dhe i dyshuari Cukali është lënë i lirë. Arben Bilali ka qenë punonjës policie te komisariati nr.2 në kryeqytet dhe pjesë e repartit të FNSH-së, detyra nga të cilat është larguar disa vite më parë.

Pavarësisht se i ka shpëtuar burgut për këtë akuzë, në vitin 2006, Cukali është dënuar me 10 vite burg për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit".

Më 24 Nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 10 vite burg Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004. Pengmarrja ndodhi rrugën “Myslym Shyri” dhe bëhej fjalë për një konflikt për 100 mijë Euro. Cukali përfitoi amnisti dhe doli pas disa vitesh.

Më 20 Gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë Gjergji Cukali, u arrestua pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap me pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.

Më 12 Korrik 2016, policia finalizoi një aksion ku goditi një rrjet të shpërndarjes së kokainës në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit. Në pranga në kohë të ndryshme u vunë 16 anëtarë të një grupi kriminal, të cilët sipas policisë drejtoheshin nga Gjergj Cukali. Në operacionin e koduar “Tangent” u arrestuan Gjergji Cukali, Artur Tarja, Muharrem Kallushi, Vjollca Gjoka, Gentian Balliu, Armand Gjoka dhe Krisald Kundraxhi. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata dyshohet se shpërndanin kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e “Porcelanit” dhe në rrugën e “Elbasanit”.

Cukali dyshohet se fitonte 50 mijë euro në muaj nga shitja e kokainës.  Por ai u lirua në vitin 2017 me masë "arrest shtëpie" pasi gjykata çmoi se kishte probleme shëndetësore dhe vuante nga astma bronkiale. Kurse në vitin 2018 u arrestua pasi theu arrestin shtëpiak.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim