Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë arrest në burg në një masë më lehtë si arrest shtëpie, detyrim paraqitje ose garanci pasurore në vlerën e 20 mijë eurove për dosjen e SASPAK.

Vendimi kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë për paraburgimin, është shfrytëzuar nga mbrojtja e tij si një nga argumentet ku bazon kërkesën.

Gjyqtarja Elsa Ulliri shtyu seancën me kërkesë të prokurores Elida Kaçkini ku tha se i duhet kohë për tu përgatitur për prapësimet e saj pas kërkesës së mbrojtjes dhe seanca e radhës u caktua më datën 20 maj në orën 09:30.

Beqaj mbahet në qeli prej korrikut 2024 për dosjen Saspak të abuzimit me donacionet e huaja ndërsa për dosjen e sterilizimit po gjykohet pa masë sigurie. Ish-drejtori i kësaj agjencie akuzohet për “Korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim (2 herë), “Shkelja e barazisë në kryer në bashkëpunim, në 8 raste; “Falsifikim i dokumentave”, kryer në bashkëpunim 9 herë; “Mashtrim” kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda, 2 herë; “Mashtrim” kryer në bashkëpunim”, e kryer 3 herë, “Fshehje pasurie ose deklarim i rremë i saj” kryer 3 herë.

Dosja e SASPAK ndodhet ende në seancë paraprake dhe nuk është vendosur mbi kërkesën e Prokurorisë për kalimin në gjykim të çështjes ndërsa avokatët kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.

Lajm në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë