Gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë, deputetja e opozitës Erisa Xhixho ngriti shqetësime për kapacitetet e kufizuara në spitalin Onkologjik, mungesën e funksionimit të brakiterapisë prej 8 muajsh dhe numrin e pamjaftueshëm të akseleratorëve për radioterapi. 

"Në Onkologjik trajtohen çdo ditë deri në 120 pacientë me kimioterapi. Për këta pacientë ka vetëm 30 poltrone, ndërsa 90 të tjerë presin me orë të tëra ose detyrohen të marrin trajtimin në karrige. Këto 30 poltrone nuk janë siguruar nga shteti, por nga një donator që ka dhënë 75 mijë euro. A nuk ka ky shtet 75 mijë euro për të siguruar edhe 30 poltrone të tjera, kur një shtet si Kosova ka 100 të tilla?

Prej 8 muajsh, brakiterapia nuk funksionon, duke prekur rreth 200 gra dhe vajza me kancer gjinekologjik. Ju thoni se do të vihet në punë brenda vitit 2026, por këta pacientë duhet të presin. Çfarë duhet t’u themi vajzave që vuajnë, të presin përkeqësimin e sëmundjes derisa qeveria të kujtohet? Pse nuk e zgjidhni përmes rimbursimit në një spital privat ose jashtë vendit? Ky është kriminalitet shëndetësor.

E njëjta situatë është edhe me PET Scan-in, një ekzaminim që thoni se do të vihet në punë në fund të vitit 2026. Kjo mungesë ka ndikim të drejtpërdrejtë te këta qytetarë.

Në radioterapi kemi dy akseleratorë linearë për rreth 100 pacientë në ditë, ndërkohë që akseleratori i ri ende nuk është funksional. Kemi vetëm dy pajisje për rrezatimin e jashtëm për këtë numër pacientësh. Kur do të vihet në punë pajisja e tretë dhe a keni në plan të merrni një akselerator të katërt?", tha Xhixho. 


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ Opozita: Onkologjiku pa barna, s’punon brakiterapia e Pet SCAN, vetëm 30 poltrone! Sala: Zgjidhje brenda 2026-ës, në QSUT sot nuk mungon asnjë ilaç