Kinemaja amerikane mbërrin në Teatrin e Operas përmes muzikës, dhe çelet sot sipari i aktiviteteve për këtë vit me ‘Notte d’Oscar” … Muzika e “Superman” do të jetë e para, që do të rrëmbejë publikun në një rrugëtim tingujsh të njohur.
Kolonat zanore të krijuara nga kompozitori i njohur amerikan John Williams, fitues i 5 çmimeve ‘Oscar’, do të luhen nga Orkestra e Teatrit nën dirigjimin e artistit italian Giovanni Pompeo…
“Programi i sotëm është me të vërtetë shumë i rëndësishëm, sepse shikohet në një kontekst ndërkombëtar, ku më në fund, muzika e filmit nuk konsiderohet më një muzikë e serisë ‘b’ apo ‘c’, por një muzikë që shpalos dinjitetin e vetë muzikës simfonike. Mjafton të mendosh se përgjatë viteve të fundit John Williams, ka dirigjuar kompozimet e tij në koncerte që kanë pasur sukses shumë të madh, kjo ka ndodhur në Fizarmonikën e Vjenës, të Berlinit, e përgjatë muajit të kaluar edhe në teatrin e “La Scala-s”.
Është hera e dytë për dirigjentin që vjen në Shqipëri, e rrëfen çka e nxiti të afrohet me skenën shqiptare, por edhe punën me orkestrën.
“Teatri i ka dhënë këtij programi rëndësinë që meritonte, dhe kjo reflekton edhe një herë faktin që teatri po rritet shumë edhe në rang evropian. E madje mund të them, që ndihem shumë krenar që gjendem këtu”
Edhe vetë artisti tregon se ka një përjetim personal, ndërsa interpreton kolonat e Williams, të filmave si “I vetëm në shtëpi” apo “Pirati i Karaibeve”.
“Janë kolona muzikore që më rikthejnë në fëmijërinë time. Mjafton të përmend ‘Superman’, apo ‘Indiana Jones’. Por, si mund të them që ‘Harry Potter’ nuk ka hyrë në zemrën time’, ndonëse është e viteve të fundit. Pra, ndoshta sekreti i kësaj muzike, qëndron edhe këtu, sepse pëlqehej 30 vite më parë, dhe po ashtu edhe tani”, tregon më tej.
Ndonëse muzikë filmash Pompeo thotë se në krijimin e saj, është e harmonizuar magjia e kompozimit të kryeveprave klasike. Një mbrëmje muzikore e përshtatshme për të gjitha moshat, për të cilën ka vetëm një këshillë.
“Ajo çka mund t’i këshilloj publikut, është ta ftoj të vijë të argëtohet dhe të relaksohet duke u zbavitur, duke u bërë pjesë e shfaqjes”,