Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, raportohet të kenë pësuar lëndime gjatë operacionit sekret të Shteteve të Bashkuara, me qëllim kapjen e tyre në kryeqytetin Karakas.
NBC News raporton se lëndimet nuk lidhen me përballje direkte me komandot amerikanë. Në vend të kësaj, besohet se ato ndodhën ndërsa çiftit, në panik, po përpiqej të fshihej në një vend të sigurt, duke u përplasur me mure dhe dyer. Vlerësimet e para flasin për mavijosje dhe lëndime të lehta, pa tregues të përdorimit të dhunës nga forcat e njësisë elite Delta Force.
Pak para orës 03:00 të mëngjesit të së shtunës u finalizua një nga operacionet më kontraverse të SHBA-së në Venezuelë, me një kohëzgjatje totale prej 2 orësh e 28 minutash.
Presidenti dhe bashkëshortja e tij u arrestuan brenda kompleksit të tyre në Fuerte Tiuna, baza më e madhe ushtarake e KaraKasit, dhe u transportuan jashtë Venezuelës nën mbulimin e një force të gjerë ajrore dhe detare amerikane.
Sipas burimeve, forcat amerikane arritën në vend rreth orës 01:00 të mëngjesit dhe depërtuan në hyrjet e fortifikuara të rezidencës, duke e kapur çiftin në befasi.
Për hyrjen u përdorën granata shoku-dritë, që lëshojnë dritë të fortë dhe zë të lartë për të shkaktuar çorientim. Lëndimet raportohet të kenë ndodhur pak para ose gjatë kësaj faze, kryesisht si pasojë e përplasjes me sipërfaqet e ambientit.
Pas përfundimit të operacionit, të dy u transportuan me aeroplan në New York, ku iu nënshtruan kontrollit mjekësor në bazën Stewart Air National Guard, në veri të qytetit.
Gjatë paraqitjes së parë publike, Flores kishte mavijosje të dukshme në fytyrë, ndërsa avokati i saj njoftoi se po shqyrtohet mundësia e thyerjeve në brinjë dhe kërkohet vlerësim i mëtejshëm mjekësor. Ndërsa Maduro ka nevojë gjithashtu për monitorim për shkak të problemeve të përgjithshme shëndetësore.
Komente









