Opozita në Komisionin e Ekonomisë, KLSH dhe alternativa për zhvillim

Opozita në Komisionin e Ekonomisë, KLSH dhe alternativa për zhvillim

Komisioni i Ekonomisë

Pardje, opozita e vendit, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, me paraqitjen e raportit të performancës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, kishte rastin të bënte kauzë të saj politike gjetjet e forta të institucionit auditues. Të tilla si dëmi ekonomik 85.8 milionë euro vetëm për vitin 2017, apo shkelje të disiplinës financiare me të ardhura të munguara në Buxhetin e Shtetit dhe shpenzime jo efektive për 825,6  milionë euro! Këto shifra janë akt-akuza të mirëfillta për keq-qeverisje të vendit.

Në pjesën më të madhe, ndoshta mbi 80 përqind, këto dëme dhe pasoja negative kolosale janë shkaktuar nga drejtuesit e administratës shtetërore, të ardhur nga partia në fuqi, kundërshtarja kryesore dhe rivalja e opozitës së sotme. Opozita i ka të gjitha arësyet të jetë e pranishme në takime të tilla ballafaquese dhe të thotë të sajën. Mbledhje të ngjashme komisionesh parlamentare konsiderohen fatlume për çdo opozitë të shteteve të tjera evropiane dhe më gjerë, ku ajo mund të dëshmojë të metat dhe problematikat e mprehta të qeverisjes së sotme, dhe ç’është më e rëndësishmja, t’i mbështesë ato nga gjetjet dhe rekomandimet profesionale të institucionit më të lartë kontrollues të vendit të saj.

Aty ia vlen që opozita të shkarkojë gjithë energjitë dhe arsenalin e denoncimeve të veta. Duke ofruar, përse jo, edhe planet e saj. Alternativat për një qeverisje më të mirë. Duke thënë troç:”Unë, të nderuar qytetarë që më keni votuar apo jo, po të isha në pushtet, po të kisha ministrat e mij, do ta bëja kështu”. Mirëpo opozita jonë mungon në pikëtakime të tilla të rëndësishme, në pretekstin e bojkotit. Kur Kontrolli i Lartë i Shtetit, në tetor 2017, paraqiti raportin për zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2016, një detyrim i tij kushtetues, me gjetje sërisht të forta dhe rekomandime me vlerë, opozita ishte. Por kësaj rradhe, refreni i saj ishte :”Kjo qeveri është e hashashit dhe e krimit. Të luftojmë këtë qeveri të republikës së bananeve!”.

Këto janë fraza që mund të shkojnë në një demonstrim të pakënaqësisë së qytetarëve nëpër rrugë. Por jo në mbledhje të komisioneve parlamentare, veçanërisht të Komisionit të Ekonomisë, ku denoncohet nga një institucion profesionist i mandatuar nga Kushtetura, anti-kultura e pandëshkueshmërisë, kur dhjetra e qindra drejtues të lartë të administratës sonë shtetërore kapen “me presh në duar” në abuzim të detyrës dhe të pronës publike dhe denoncohen në Prokurori, ndërsa qeveria qendrore hesht dhe në vend t’i largojë, i mban ose i promovon në poste të tjera! Kjo është “marihuana” e vërtetë që po deformon dhe gati shkallmon besimin e qytetarit shqiptar tek Shteti dhe këtë duhet të denoncojë me forcë opozita e vendit. Kurse ajo nuk po tregohet serioze.

Po humbet raste të arta për të ngjallur shpresë dhe frymë të mirëfilltë opozitare. Në Komisionin e Ekonomisë, nga opozita mungojnë personalitete të ekonomisë sonë publike, që më parë kanë kontribuar në të, si Florjon Mima, Sherefedin Shehu, Ridvan Bode, Edmond Spaho apo Liljana Elmazi. Lëvizja opozitare dhe alternativa sfiduese ndaj keq-qeverisjes së partisë në pushtet duhet të mbarset me propozime konkrete për përmirësime ligjore në ekonominë publike. Përse të mos bëhet aksion i deputetëve të opozitës së sotme propozimi katërvjeçar i KLSH, dërguar Kuvendit për katër vitet e fundit rrjesht, për përgatitjen dhe miratimin e Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit të Lartë Publik?

Ky ligj do të përbënte frenimin real të korrupsionit galopant në strukturat tona shtetërore dhe opozita do të merrte pikët e saj pranë qytetarit, në rast se e bënte nismë të sajën. Njësoj sikur fitoi realisht me nismën për ligjin e dekriminalizimit të Parlamentit. Tani përparësia numër një e vendit është de-korruptimi i administratës sonë shtetërore dhe ky ligj do të mund të shndërrohej në kauzën perfekte të një opozite të sukseshme. Po kërkesa 5-vjeçare e KLSH që Kryeministri i vendit të nxjerrë Urdhër për zbatimin e rekomandimeve të KLSH për administratën qëndrore?! I tillë ka qenë Urdhëri i vitit 2006 i Kryeministrit të mëparshëm.

Madje, në këtë rast opozita do të tregonte edhe vlerat e punës së Kryeministrit të vet, kur ishte në pushtet. Por opozita jonë nuk po bëzan, nuk po lëviz, e ndrydhur në veprime jo-serioze të stilit “jam agjenci zbulimi dhe përgjimi!”. Sa keq për vetë atë dhe për vendin. KLSH-ne e kane vleresuar organizata si Transparency International, SIGMA, Raportet e Progresit te Bashkimit Evropian. Bazuar mbi punën dhe vlerat e institucioneve kushtetuese të pavarura, si ILDKPKI, KLSH, Avokati i Popullit, opozita jonë mund dhe ka nevojë të japë alternativa konkrete për zhvillim. Vetëm duke i dhënë ato, ajo mund të krijojë frymën opozitare të domosdoshme për të sjellë ndryshim në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë