Ilir Meta kërkon nga opozita që të paraqesë alternativën e saj në lidhje me Reformën Territoriale, duke mos përsëritur gabimin e bërë nga Lulzim Basha, në kohën kur drejtonte Partinë Demokratike.
Në një reagim nga qelia, Meta shprehet se "edhe pse nuk jam optimist se pjesëmarrja e opozitës në këtë Komision do të jetë ndikuese në vendimin përfundimtar të shumicës (83 + 3), përsëri në respekt të qytetarëve që vujanë shkatërrimin e shërbimeve publike sot nga pushteti vendor besoj se opozita e ka për detyrë të paraqesë alternativën e saj përpara qytetarëve shqiptarë, por edhe Komisionit Parlamentar".
Reagimi i plotë i Ilir Metës:
Për gati 10 vite Edi Rama drejtoi me “sukses të plotë” edhe opozitën, përveçse Qeverinë, Parlamentin dhe çdo institucion tjetër, veç Presidencës deri më 24 korrik 2022.
Kjo është një “meritë” dhe nuk mund t’i mohohet.
Por kjo më shumë se “meritë” e tij për të korruptuar edhe lidershipin e opozitës ka qenë dobësi dhe pabesi e atyre që kanë pranuar të shiten për interesa personale, por edhe për hallet e tyre edhe me drejtësinë.
Sot me të drejtë debatohet për Reformën Territoriale dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në të edhe pse Edi Rama i ka 83 + 3 votat për ta miratuar në fund, sipas oreksit të tij, për përqëndrimin e pakufishëm të pushtetit në duart e tij.
Fatkeqësisht Edi Rama e miratoi variantin që dëshironte edhe kur kishte vetëm 65 vota nga 84 që i duheshin 11 vite më parë.
Kjo ndodhi me vetëdijen e plotë të lidershipit të PD-së në ato kohë që jo vetëm bojkotoi Komisionin e Reformës, por mbi të gjitha kurrë nuk dha një alternativë të sajën që iu kërkua në atë kohë deri në 100 apo 110 njësi vendore.
Të gjithë ata që kanë qenë në Konferencën Kombëtare të Partisë Demokratike në atë kohë, dedikuar vetëm pushtetit vendor, besoj e kujtojnë pjesëmarrjen atje të të ndjerit Z. Bashkim Fino, por edhe të Z. Petrit Vasili, që në emër të mazhorancës (PS-LSI) i kërkuan PD që të paraqiste një variant të sajin për t’u miratuar me konsensus.
Pjesëmarrja e Z. Fino dhe Z. Vasili u bë vetëm falë insistimit tim që kjo Reformë të bëhej vetëm me konsensusin e PD dhe opozitës.
Por kurrë nuk u paraqit një platformë nga ana e PD (edhe pse në dijeninë time ishte përgatitur një e tillë nga ekspertët e saj).
Kjo ndodhi sepse “matematikani” i shquar që drejtonte PD kishte marë një ofertë jopublike nga Edi Rama se atij i dilte llogaria më mirë të bojkotonte deri në fund dhe bojkotimin ta paraqiste si alibi, por edhe se në disa bashki ku do kandidonin përfaqësues të LSI në emër të koalicionit PS-LSI nën rrogoz PS do punonte për kandidatët e “matematikanit”.
“Matematikani” kurrë nuk paraqiti një projekt alternativë pranë Komisionit Parlamentar dhe si shpërblim mori mbështetjen e “nëndheshme” nga strukturat e PS në Lezhë, Pogradec, etj., që në atë kohë u cilësuar si “pazari i Roskovecit”.
Edhe pse nuk jam optimist se pjesëmarrja e opozitës në këtë Komision do të jetë ndikuese në vendimin përfundimtar të shumicës (83 + 3), përsëri në respekt të qytetarëve që vujanë shkatërrimin e shërbimeve publike sot nga pushteti vendor besoj se opozita e ka për detyrë të paraqesë alternativën e saj përpara qytetarëve shqiptarë, por edhe Komisionit Parlamentar.
“Matematikani” i madh pasi mori në 2015 Lezhën dhe Pogradecin, në 2019 bëri një lëvizje prej “shahisti” të paparë dhe ia dorëzoi të gjitha bashkitë “Rilindjes” me qëllimin “strategjik”, që duke ia lënë gjithë pushtetet të pangopurit, ai të rrëzohej përtokë nga mbipushteti absolut, siç ndodh me lopën kur ha shumë jonxhë.
Për të realizuar këtë qëllim madhor nuk pranoi të regjistronte as formalisht PD-në në KQZ për të marrë pjesë në datën e zgjedhjeve lokale, të shtyra me kërkesë të tij (por edhe Bundestagut), pikërisht në datën që ai kishte zgjedhur vetë.
Dhe që të mos zgjatem më tej, kulmi i “matematikës” ishte Kuvendi “historik” i 2 mijë karrigeve me 5 mijë delegatë.
Këto “kryevepra” që as “Diella” nuk i imagjinon dot më kujtohen kur dëgjoj plot teza që krijuesi i “Diellës” i shpërndan përmes “matematikanëve” më pak të shquar sot opozitarë.
Sidomos sot, me përballjen me një diktaturë, de facto opozitarizmi duhet të mbështetet së pari te guximi për t’u përballur pa komplekse me regjimin dhe së dyti te gjithëpërfshirja demokratike dhe transparente, e cila si emërues të përbashkët duhet të ketë unifikimin e çdo aktori opozitar për realizimin e një sistemi zgjedhor, që rikthen parlamentarizmin e cënuar që në 2008 dhe i jep fuqi qytetarëve të zgjedhin deputetët e tyre (dhe jo kryetarëve).
Ky do të ishte pikëtakimi i parë i të gjithë atyre që kërkojnë ndryshimin e sistemit.
Të vetmit që ky ndryshim nuk i intereson është Edi Rama (sepse edhe socialistët janë lodhur me emërime deputetësh).
Mbi këtë bazë madhore mund të ndërtohen format më konstruktive të bashkëpunimit dhe organizimit opozitar, duke ruajtur identitetin e secilit, por në funksion të ndryshimit të këtij sistemi, i cili në thelb është antikushtetues, sepse cënon barazinë dhe vlefshmërinë e votës midis subjekteve, por edhe qarqeve të ndryshme.
Garantimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse zgjedhore që mundëson mosdjegien e votave opozitare, u jep mundësi të gjithë faktorëve të marrin atë që meritojnë.
Ndërsa vendosja e “kushteve morale” në mënyrë joparimore e subjekteve është vetëm në shërbim ndaj Ramës, që regjimi të vazhdojë të vjedhë në mënyrë skizofrenike, se opozita është “e përçагё”.
Shpikja e partive si G99, që bëjnë sikur kritikojnë regjimin për të bërë opozitën e opozitës, nuk besoj se do të funsionojë më në të ardhmen.
Kjo nuk mund të jetë betejë për mbijetesën politike të asnjë partie apo individi që “ushqehet” underground nga regjimi.
Kjo është një betejë ekzistenciale për Shqipërinë me shqiptarë.
Dështimi nuk mund të jetë alternativë.
Justifikimet do i shërbenin vetëm regjimit antishqiptar dhe antifamilje në fuqi.
Ndaj edhe kryeteza e proxy-opozitarëve të Ramës, se pa hequr Berishën nuk mund të heqim Ramën, është tejet absurde, e pa moralshme dhe destruktive.
Kjo kryetezë është absurde se t’i imponohesh një partie më të madhe se cilin duhet të ketë udhëheqës, është tejet autoritare dhe fyese, aq më tepër kur flet në emër të votës së lirë dhe demokracisë.
Kjo kryetezë është e pamoralshme, se të krahasosh Berishën që është përballur dhe përballet me drejtësinë që e kapi Edi Rama në mënyrë antikushtetuese, ndërsa ky i fundit ka terren edhe nga drejtësia e tij, të cilën tani po e linçon edhe publikisht, sepse (pusetat) e korrupsionit të tij kanë shpërthyer e qelbur dynjanë, është hipokrizia më cipëplasur.
Të krahasosh Berishën që po përndiqet familjarisht për një vendim Qeverie të iniciuar nga ministrat socialistë dhe ku i vetmi dëmtues i interesit publik është ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama dhe të (harrosh) se ky i marrosur pas korrupsionit, ka një firmë të zezë në të bardhë ku i jep bonusin 8% kompanisë së inceneratorëve kohë përpara se kompania të ekzistonte (lindte ose regjistrohej) do të thotë të vetshpallesh “rilindas”.
Kjo kryetezë është destruktive dhe mashtuese njëkohësisht, sepse e planifikon “ndryshimin” pas disa dekadave, por duke shpresuar në votat e banorëve të ardhshëm të Shqipërisë si bangladeshasit, filipinasit e plotë kombësi të tjera të respektuara, me të cilat “Rilindja” synon të zëvendësojë shqiptarët ( që kanë mbetur).
Dhe deri atëherë “palloshi i gjatë” do i ketë bërë qokë ndonjë “arabi” dhe Krujën me gjithë kalanë, muzeun dhe shtatoren e Skënderbeut.
Komente












