Në praninë e diplomatëve dhe klerikëve të rëndësishëm rusë dhe grekë në Shqipëri, patriarku i Kishës ortodokse ruse Kirill, në ditën e dytë të vizitës së tij të parë zyrtare në vendin tonë, bashkë me Kryepeshkopin Shqipërisë Anastas Janullatos zhvilluan Liturgjinë Hyjnore në katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë.

Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksander Karpushin, ambasadorja grekë në kryeqytetin tonë, Eleni Sourani, si dhe klerikë të ndryshëm rusë, grekë dhe shqiptarë.

Tirana u kthye për një ditë, në një qendër të rëndësishme të Kishës së Lindjes.

Në fund të meshës së përbashkët Patriarku Kirill vlerësoi figurën e Shën Kozmait.

Shën Kozmai i Etolisë i barabartë me Apostujt, i cili ka predikuar dikur në këtë tokë dhe ka vdekur këtu me një vdekje martiri nga duart e njerëzve të një besimi tjetër, në këshillat e tij thotë fjalët e mrekullueshme: “Perëndia i Tërëmirë dhe i Shumëmëshirshëm ka emra të shumtë dhe të ndryshëm. Quhet Dritë, Jetë, Ngjallje. Por emri i Tij kryesor është Dashuri”. Dashuria e Krishtit na jep jetë, dhe aty ku është ajo nuk ka vend për vdekje.

Patriarku i Rusisë Kirill

 

Dëshiroj të falënderoj Fortlumturinë Tuaj për ftesën dhe për këtë mundësi për të zhvilluar një lutje të përbashkët me Ju dhe me të gjithë Kishën e Shenjtë të Shqipërisë. Paqja dhe dashuria për Krishtin qofshin me të gjithë ne. Zoti e ruajt Kishën tuaj të Shenjtë dhe grigjën e saj të përshpirtshme!

Kirill për Janullatosin

Gjithashtu partiarku rus vlerësoi rolin e Kishës ortodokse shqiptare dhe të Anastas Janullatosit gjatë luftës së Serbisë në Kosovë.

Edhe shërbimi i Kishës ndaj njerëzve është pjesë e kësaj dëshmie, pjesë e aktit të saj heroik konfesor këtu, në tokë. Më kujtohet se çfarë përpjekjesh të mëdha ndërmori Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nën udhëheqjen e Fortlumturisë Tuaj gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, duke i pritur të gjithë refugjatët pa dallim feje dhe bindjesh politike. Bota orthodhokse ishte e habitur se si me forcat kaq modeste u bë një punë kaq e jashtëzakonshme. Kisha është e pafuqishme t’i parandalojë të gjitha mjerimet dhe fatkeqësitë të cilat vullneti i keq njerëzor i sjell në këtë botë. Por, të keqen dhe vdekjen ajo mund t’i kundërshtojë me armën e saj të vetme dhe të pathyeshme, që është dashuria dhe dhembshuria për të gjithë racën njerëzore.

Kirill për rolin e Kishës ortodokse shqiptare në luftën e Kosovës

Por historianit Pëllumb Xhufi nga nfritur dyshime të mëdha lidhur me rolin e shenjtorit në vendin tonë.

Në një artikull të shkruar katër vite më parë Xhufi shkruan:

Misioni i dytë i murgut Kozma synonte përhapjen e gjuhës greke në trevat shqiptare nëpërmjet çeljes së shkollave greke. Në këtë kuptim edhe misioni i dytë mbetet po aq politik sa dhe i pari. Kozmai u nis nga Stambolli më 1775 i pajisur përsëri me leje të Patrikut dhe me ferman të Sulltan Mehmetit I. Por tani Kozmai ishte emëruar nga Sinodi i shenjtë i Kishës si “Inspektor i Përgjithshëm i Shkollave Greke.... Siç i shkruan vëllait të tij, Hrisanthit, në përfundim të misionit të vet Kozmai arriti të ngrejë 210 shkolla në Shqipërinë e poshtme. Këto ishin të gjitha shkolla greke dhe një fakt i tillë e bënë Kozma Etolin padyshim një pararendës të helenizmit në Shqipëri, por aspak një “promotor të arsimit kombëtar”, siç është shprehur pa vend ndonjë adhurues shqiptar i tij (!?)

Dihet që Kozmai ishte miku i sarajeve të Kurt Pashës së Beratit si dhe i bejlerëve të Filatit, Paramithisë, Delvinës, etj. Këtyre aq u bënte nëse murgu vendoste piketa”helenizmi” nën hundën dhe nën mbrojtjen e tyre. Mjaftonte që rajatë e tyre të rrinin urtë dhe të paguanin taksat, gjë për të cilën Kozmai nuk ua kursente predikimet e tij. ... Sot nuk ka grek që t’i njohë “shenjtorit” anti-shqiptar, gjysmanalfabet nga Etolia dhe varrit të tij në Kolkondas, ndonjë vlerë tjetër veç asaj të greqizimit të popullsisë ortodokse të Myzeqesë dje, dhe të një hipoteke absurde në tokat e shqiptarëve, sot. Me këtë synim të mbrapshtë, shën Kozmai është futur qëllimshëm në kalendarin e kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe besimtarët e Myzeqesë e nderojnë atë, pa ditur cili është dhe përse. Njëlloj si besimtarët myslimanë të Petrelës të cilët, nuk dinë përse nderojnë tyrben e Ballaban Pashës, tradhtarit dhe armikut të Shqipërisë…!?

Pëllumb Xhufi, historian

Kush ishte Shën Kozmai sipas Pëllumb Xhufit

I ashtuquajturi Shën Kozma u lind më 1714 në një fshat të humbur të Etolisë. Mori mësimet e fesë në Malin Athos, në manastirin e Filotheut, si klerik për të shërbyer edhe në Shqipëri. Jeta e tij, mbyllet me vrasjen në fshatin Kolkondas (Fier) më 24 gusht, 1779. Legjenda thotë se vrasja u bë me urdhër të Kurt Pashës si pasojë e intrigave të çifutëve të Beratit. Rrëfimet mbi bëmat dhe martirizimin e shën Kozmait janë një variant popullor i rrëfimeve biblike, në analogji me martirizimin e Jezu Krishtit. Rrëfime të tilla lindnin në mjedise klerikale e fshatare analfabete, gjenin përhapje të gjerë në momente krize politike dhe shpirtërore, ishte fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë. Pas dështimeve të kryengritjeve antiosmane të viteve 60-70-të të shekullit XVIII, popullsitë e krishtera të Ballkanit dhe ato shqiptare, u ndrydhën në një pritje të “shpëtimtarit çudibërës”.

Pëllumb Xhufi