/ATSH/- OSHEE mbylli muajn prill me arkëtime në vlerën rreth 5.2 miliardë lekë, duke tejkaluar planin e parashikuar. Gjithashtu u regjistruan 4 mijë aktmarrëveshje me debitorët familjarë dhe 8 mijë me biznesin, bëjnë të ditur burimet e kompanisë.
Sipas tyre, si 4-mujor arkëtimet arritën vlerën 24 miliardë lekë, ndërsa për gjithë vitin 2015 është planifikuar si objektiv shuma 54 miliardë lekë.
Ecuria pozitive lidhet me nivelin e arkëtimeve, që për abonentët familjarë ka arritur 83% dhe ata privatë 86%. Para dy vitesh nivelet e arkëtimeve varionin 61-63% të faturës, që në vetvete ishte shumë e ulët si pasojë e humbjeve.
Që nga janari, në ulje të vazhdueshme ka ardhur dhe treguesi i humbjeve dhe OSHEE është optimiste se deri në fund të këtij viti do të arrijë nivelin mesatar të humbjeve në 32%, nga mbi 45% që ishte në fundvitin 2013.
OSHEE ka hyrë në marrëveshje edhe me sektorin privat, prej fillimit të muajit mars, ku 10 mijë kontrata me detyrime, po shlyhen me këste. Deri tani janë paguar 600 milionë lekë detyrime.
Në rritjen e arkëtimeve ndikoi politika e lidhjes së kontratave me konsumatorët debitorë dhe sipas burimeve të OSHEE-së, në skemën e parë që përfundoi më 31 mars, hynë në aktmarrëveshje rreth 300 mijë debitorë, ku mëse 65% e tyre paguan menjëherë detyrimin, duke përfituar ulje me 80% të kamatëvonesës. Pjesa tjetër, po e paguan me këste mujore 2,500 dhe 1,000 lekë krahas faturës korente.
Nisur nga kërkesat dhe nga fakti se ende janë 200 mijë abonentë familjarë, që nuk kanë mundur të firmosin aktmarrëveshje, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që të riaktivizojë këtë skemë lehtësuese edhe për një periudhë dymujore deri më 15 korrik 2015.
Përveç politikave për trajtimin social dhe ekonomik të familjeve në nevojë, OSHEE zbaton disa skema lehtësuese të pagesës me këste të detyrimit për familjet dhe biznesin. Për familjet, skema do të jetë e ndarë në 4 kategori afatesh, në varësi të shumës së detyrimit, ndërsa për bizneset, kësti dhe afati do të varet nga linja e furnizimit, thanë burimet nga OSHEE.