Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot (15 Dhjetor) fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.
Osmani ka thënë se atë ditë, Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme nga pavarësia e saj.
“Një vit i ballafaqimit me vështirësi në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist paralamilitar i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha i udhëruar nga lidershipi i këtij shteti kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destablizim jo vetëm i vendit tonë, por i të gjithë rajonit. Në këtë ditë Kosova u përball me një agresor tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cënimit të themelit të shtetit tonë, Republikës, për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza”, tha Osmani.
Po ashtu, Osmani ka thënë se Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.
“Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të 'Botës serbe'. Në këtë kohë kur është sfiduar në mënyrë drastike siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar. Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t'i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, tha Osmani.
Vjosa Osmani në Parlament
Gjatë fjalimit të saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar sot (15 Dhjetor) dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të hartuar nga ndërkombëtarët në Gjykatën Kushtetuese.
Presidentja e Kosovës ka thënë gjithashtu se është Kushtetuesja ajo që duhet ta thotë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Siç e dini, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim, draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjtihë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkarisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni”, tha Osmani.
Osmani po ashtu ka thënë se pushteti e opozita duhet të ulen bashkë për të përgatitur komentet bazuar në shqetësimet që kanë.
“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetmë të qevrisjes apo anomali të tjera që rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, tha Osmani.
Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka përmendur edhe çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen me diskriminimin mbi baza etnike.
Ajo ka thënë se është angazhuar për lehtësimin e proçedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për banorët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.
“Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim ndryshimin e demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre themelore. E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend", tha Osmani.