Në një intervistë të ditëve të fundit, dhënë gazetës “Tema” në lidhje me vidion e famshme që ndezi demostratën e 21 janarit 2011, deputeti Dritan Prifti hedh dritë mbi një prapaskenë të panjohur nga publiku opozitar i kohës. “Rama më ftonte çdo natë për të më mbushur mendjen ta shfaqja vidion”, thotë Prifti, duke dhënë adresa konkrete dhe dëshmitarë konkretë të një serie takimesh me kreun e Partisë Socialiste, i cili i kërkonte publikimin sa më parë të vidios diskretituese ndaj Ilir Metës.

Rrëfimi i kësaj prapaskene nga Prifti sjell tabllonë e një presingu të ethshem ndaj tij, gërshëtuar me premtime të mëdha dhe detaje të tjera me të ngrëna e të pira. Nëse është kështu- dhe kështu duket se është përderisa nuk ka një përgenjështrim nga zyra e Ramës,- atëherë, për të nderuar të vërtetën, duhet të bëjmë saktësimet e rastit në prologun e 21 janarit tragjik.

E para, historia e publikimit të vidios nuk paska qenë thjesht një skup mediatik, që ra si bombë, siç u paraqit atëherë në tryezën e Opozitës së Bashkuar , por një ngjarje e negociuar me premtime dhe forma të tjera nga vetë shefi i asaj opozite.

Sot, kur kujtoj si shikonim njëri- tjetrin në zyrat e G 99 ku mblidheshim si opozitë, të befasuar dhe të skandalizuar me vidion, me shkon nëpër mend fraza e hollë e Remarkut “e minuar është rruga ku kalon pandershmëria dhe shpërthimi është vetëm çështje kohe”.

Elementi i dytë i saktësimit ka lidhje me deklaratat e kryeministrit Sali Berisha dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta se publikimi i vidios ishte një akt i përgatitur në kulisat e Edi Ramës, instrumentalizuar prej tij për qëllime politike. Opozita në atë kohë i ka hedhur poshtë me forcë këto akuza, duke mbrojtur pikpamjen se publikimi i vidios ishte një çështje e medias së lirë.

Rrëfimi i fundit i Dritan Priftit tregon se Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë patur të drejtë në pikën e instrumentalizimit. Ky është një detaj i vogël dhe rutinor në dukje, që fiton rëndësinë e “grimcës së atomit” në drejtimin që morën ngjarjet. Ilir Meta, që u kap “me zë dhe figurë”, u vu logjikisht në syrin e ciklonit opozitar.

Protesta e parë e opozitës u zhvillua para godinës së Ministrisë së Ekonomisë ku ai ishte ministër. Meta reagoi shpejt duke dhënë dorëheqjen nga qeveria dhe duke shfryrë e hutuar jo pak dallgën opozitare me këtë akt. Çfarë mund të kërkojë më shumë opozita politike nga një ministër i dyshuar apo i denoncuar për korrupsion, përveçse largimin e tij nga posti dhe daljen e tij para drejtësisë? Nuk mund të kërkojë gjë tjetër.

Ngjan si një paradoks që demostrata e 21 janarit u organizua para kryeministrisë, pasi i zoti i punës kishte dhënë dorëheqjen dhe shumica qeveritare kishte paralajmëruar heqjen e imunitetit të tij sapo Prokurori i Përgjithshëm të paraqiste kërkesën përkatëse në Kuvend. Kuptohet se në rrafshin politik nishani i opozitës ishte gjithnjë kryeministri, pavarësisht se skandalin në fjalë e kishin prodhuar aleatët e tij të LSI-së.

Ndërsa në rrafshin e shpjegimit, justifikimi kryesor që u përdor për të ngritur në këmbë një demostratë finale para kryeministrisë ishte se Berisha po mbronte Metën, duke gënjyer. Që nuk e ka lëshuar Metën derisa ky iku vetë, këtë tashmë e dinë të gjithë. Por që nuk ka gënjyer për sa thamë, kjo del qartë nga intervista e fundit e Priftit.

Tani, këta që ndezën zjarrin e 21 janarit nga pozicione të kundërta, janë bashkuar në seratat e pajtimit dhe dashurisë politike, duke shijuar me të qeshura, me falle, me të ngrëna e të pira gjithashtu, marrjen virtuale të pushtetit. Nuk i kanë vrarë ata me dorën e tyre Ziver Veizin, Hekuran Dedën, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikën.

Vetëm kanë ndezur zjarrin e 21 janarit nga pozicione të kundërta, në gjakftohtësi, në naivitet, në çmenduri- ç’rëndësi ka! Kanë ndezur zjarrin dhe i kanë lëshuar njerëzit pa drejtim në lojën me të. Përtej dhe jashtë aspektit ligjor të çështjes, festa e pajtimit dhe dashurisë politike mes atyre që ndezën zjarrin e 21 janarit nga pozicione të kundërta është vetvetiu një si lojë kalamajsh me të vrarë, një makabritet.

Kjo është pamja shtesë e 21 janarit të vitit 2011 pas 1 prillit të vitit 2013. Kundërshtarët dhe kritikët e aleancës PS-LSI janë stigmatizuar e qortuar pothuajse en blok nga Rama si spekulantë apo të keqkuptuar me qëndrimin e tij për 21 janarin pas aleancës në fjalë. Për këtë çështje, kolegu ynë Mero Baze ka shkruar një replikë shterruese së cilës nuk i heq e nuk i shtoj asgjë.

Baze ka argumentuar se në themel të refuzimit dhe kundërshtimit të gjerë të aleancës së Ramës me Metën nuk është thjesht një ngjarje e veçantë si 21 janari, por një tërësi arsyesh që ai i ka renditur bindshëm.

Përballë valës së reagimeve që nuk kanë të qetësuar, Rama ka përshtatur formulën se me Metën jemi bashkuar edhe për 21 janarin. Që do të thotë: jemi bashkuar për të fituar zgjedhjet së bashku dhe mandej për të diktuar si fitimtarë drejtësinë për 21 janarin.

Ky qëndrim e hedh vështrimin për 21 janarin nga 1 prilli i aleancës në 23 qershorin e fitores eventuale. I shveshur nga çdo refleksion apo mea culpa për atë pjesë të përgjegjësisë që ka opozita për 21 janarin dhe nga një vlerësim në dinamikë i hetimeve për zbardhjen e tragjedisë, ky qëndrim është plot me të çara.

E para, më e thjeshta, nuk ka bashkim për iks çështje, kur ai tjetri nuk e ka fare në axhendë këtë çështje, madje ka thënë se i përket historisë, edhe pse është në proces. E dyta, edhe po të përshtasë Meta një qëndrim të ri për 21 janarin, në të gjitha rastet nuk mund të harrojë se ka qenë protagonist në kampin tjetër kur kanë ndodhur ngjarjet.

E treta, në lidhje me vrasjet e katër demostruesve, nuk besoj se do të këtë një hetim më profesional se ai që është bërë nga FBI-ja me kërkesën e Prokurorisë dhe qeverisë shqiptare, hetim i cili është e do të jetë në bazat e gjykimit të vrasjeve nga një shkallë në tjetrën.

E katërta, në shkallën e parë të gjykimit nga gjykata e faktit të Tiranës kemi asistuar në farsën e një akuze të driblueshme, të cilën gjykata e ka hedhur poshtë me parimin e kalit të karrocës, por është pranuar se vrasjet i kanë bërë gardistët ashtu siç e thotë FBI dhe prokuroria shqiptare në hetimet e tyre.

Në këtë rast, bashkë me thellimin dhe argumentimin e mëtejshëm të provave dhe hetimeve aty ku ka hapësirë, prokuroria duhet të formulojë akuzën që i përshtatet shkeljes dhe krimit të kryer, për të mos lenë asnjë shteg për cicmice juridike. E pesta, që është akoma më thelbësore, duke kaluar mbi këtë realitet, Rama në thelb premton një drejtësi politike, çfarë nuk i duhet kërkujt, as atyre që kanë humbur të afërmit e tyre në demostratë.

Nuk është hera e parë që drejtues dhe përfaqësues të PS-së e lidhin drejtësinë me marrjen e gjykatave pasi të marrin pushtetin. Kjo pakujdesi demaskon ashiqare konceptin e shtetit politik. Dhe nuk jetojnë në hënë që të mos e dinë se me sistemin që kemi gjykatat nuk merren dot partizançe. Me sa duket është thjesht populizmi që i shtyn në gabime të tilla elementare.


Sado “revolucionare” të tingëllojë për veshët e njerëzve me mëndësi komuniste apo të njerëzve të etur vërtetë për drejtësi, marrja e gjykatave nuk sjell drejtësi por shkatërrim edhe më të madh. Drejtësia e sëmurë shërohet me reforma, me kontroll institucional të drejtë dhe të pakompromis, me vendosje kriteresh të sakta e të rrepta karriere, me shkollim, me elitizëm.

Këtu duhet ta tregojë veten PS-ja. Publiku nuk e njeh ende vizionin e saj për drejtësinë. Çdo “premtim” tjetër jashtë vizionit të reformave është një mashtrim populist që bie ndesh me statusin e drejtësisë në demokraci.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)