TIRANE- Një nga ekspertët mbi çështjet e territorit njëkohësisht dhe anëtar i këshillit bashkiak, Besnik Aliaj duke komentuar reformën e re territoriale, këmbëngul në krijimin e konceptit të qarkut si një strukturë e zgjedhur nga vota dhe jo me të mandatuar. Duke kërkuar përgjegjshmëri nga politika, si dhe mësim nga gabimet e së shkuarës, Aliaj tha se vetëm me kalimin te qarqet do të mundim të fitojmë terren në fondet që parashikon BE për vendet aspirante. Përsa i përket numrit të bashkive, Aliaj thekson se duhet që më parë të shihen kriteret dhe jo se sa do të jetë numri.

Sa i përket reformës territoriale, keni propozuar ndryshimin e konceptit të qarkut, përse është kjo e nevojshme?
Ka gati një vit që politik-bërja po flet për ndarjen administrative-terretoriale. Por nëse opozita ka qenë kritike disi dhe ka kushtëzuar reformën me frymën e konsesusit të gjerë, maxhoranca tashmë ka marrë iniciativë dhe ka ngritur komision parlamentar. Ministri i linjës në qeveri ka kohë që po punon me stafin e tij. Është organizuar deri diku një proces konsultimesh me organizatat e shoqërisë civile dhe institute profesionale. Me konsulentë dhe donatorë, etj. Madje, ka edhe një konkluzion: reforma do të fokusohet te niveli i qeverisjes vendore duke propozuar konsolidimin në 35-40 bashki.

Kjo ka shkaktuar një lloj acarimi te opozita për shkak të konotacioneve me organizimin e rretheve. Për të mos paragjykuar këtë opsion (krahas 5 në total nga maxhoranca), tashmë në tryezë ka 4 propozime: 3 nga të cilat fokusohen në debatin për konsolidimin e njësive vendore, duke ngritur shqetësimin se kjo reformë nuk duhet të hedhë poshtë punën e 15 viteve për decentralizimin që është një arritje me rëndësi. Ndaj ilaçi i propozuar është përcaktimi i kritereve të qarta si ato që përcaktojnë institutet: Shtetiweb dhe Coplan për të identifikuar cilat janë njësitë vendore që performojnë mirë dhe janë eficente ekonomikisht, si dhe cilat nuk janë. Mbi bazën e saj mund të bëhet një konsolidim që me sa kuptohet së fundi edhe nga lideri opozitës mund të shkojë te një ndarje me 100-200 njësi në varësi të konsensusit dhe mirëkuptimit që palët shpresohet të kenë. Çdo zgjidhje e njëanshme nuk do të ishte e mirë as për vendin dhe as për secilën palë.

Në këtë kuadër organizata si Coplan apo Shtetiweb kanë luajtur rol mjaft pozitiv për të mbajtur hapur jo vetëm diskutimin në rrafshin teknik, por për të inkurajuar sjelljen e palëve politike në një tryezë e cila disa javë më parë mendohej e pamundur. Por këtu duhet të theksoj se Coplan shkon përtej dikutimit për eficencën e qeverisjes vendore. Coplan propozon thellimin dhe kompletimin e decentralizmit së pari, dhe së dyti krijimin e e qeverisjes rajonale si një mjet i domosdoshëm për të korigjuar mosfuksionimet e qarkut (jo për faj të tij dhe njerëzve që i drejtojnë ato, po sepse atyre nuk u janë dhënë instrumentet, kompetencat dhe mjetet për të punuar normal), për të mundësuar një koordinim më të mirë në nivel vendor, ndërkomunal, dhe ndërkufitar.

Për të zhdukur diferencat rajonale dhe balancuar zhvillimin dhe për ta sjellë më afër qeverisjen qendrore te komunitetet dhe qeverisja vendore. Ky propozim ka hezitimin e politikës qendrore që nuk do të lëshojë kompetencat dhe buxhetin (pavarësisht kush është në pushtet). Ngrihen pretendime që kjo do të fragmentojë qeverisjen në një vend të vogël e të ndarë politikisht si i yni. Unë nuk them se këto nuk kanë risqe apo nuk ekzistojnë. Por ne po humbim kohë shumë duke mos pasur qeverisje rajonale. Dhe këtu kuptoj dekoncentrim të pushtetit, në kuptimin e delegimit të sa më shumë kompetencave dhe buxheteve qendrore, drejt apo sa më pranë nivelit vendor. Vetëm kështu ne do të përafrohemi modelit të qeverisjes dhe financimit në BE, për të cilin pretendojmë të hapim negociatat. BE është një koncept që bazohet te rajonet dhe te rritja e kompetitivitetit midids rajoneve.

A do të mundin bashkitë e reja të konkurrojnë në fondet e BE-së në këtë fazë të re?
Bashkitë nuk kanë shans nëse ne nuk ngremë kapacitetet në nivel rajonal siç thash më sipër. Ndaj një orë e më parë krahas konsolidimit të pjesshëm në nivel vendor që mbron traditën e re të decentralizimit që kemi krijuar, ne duhet që kompetencat e qarkut, prefektit, drejtorive rajonale të shumta dhe konfuze t’i bashkojmë dhe unifikojmë, e konsolidojmë drejt qeverisjes rajonale. Qarku është një fëmijë i lindur i vdekur që nga Kushtetuta e vitit 1998. Ai është lënë qëllimisht as mish as peshk. Nuk mundet të tallemi kështu.

Mjedisi dhe burimet po shkatërrohen dhe zhvillimi kombëtar e rajonal kërkon vizion hapësinor dhe qeverisje rajonale të zgjedhur me votë. Kjo kërkon konsensus politik dhe jo thjesht njëanshmëri. Kjo kërkon vullnet nga të dy palët. Kjo kërkon ndryshim kushtetute, sepse kemi vendosur që partitë të zgjedhin deputetët në bazë rajonesh por i jemi shmangur të vërtetës për interesa banale të politikës së ditës duke mos përcaktuar kush është rajoni.

Komunat dhe bashkitë në situatën aktuale shpesh rezultojnë ineficente, a mund të realizohet një ndarje vetëm në konceptin territorial, apo do të duhet të vendosen kritere të reja në realizimin e reformës së re?
Ndarja ka të bëjë me shumë faktorë, si: eficenca ekonomike dhe shërbimeve, infrastrukturës, investimeve etj., territori, burimet, tradita. Por s’mund të bashkojmë të mirët me të mirët dhe të këqinjtë me të këqinjtë pasi do krijojmë një problem dhe ndarje më të madhe. Ndaj vizioni territorial dhe argumentet teknike për ekonominë, demokracinë lokale dhe përfaqësimin janë baza e këtij diskutimi. Natyrisht çfarëdo të thone teknicienët politika do të vendosë. Por asaj nesër i kërkohet hesap pqr vendimet që ka marrë. Si p.sh. vendimet në kushtetutën e vitit 1998 dhe më pas në ligjin organik për pushtetin vendor, kane qenë të gabuara kryekëput sa i takon qarkut. Sot është koha që kjo çështje mos injorohet por të përballet me burrëri dhe kurajo. Bërja e rolit të strucit nuk i bën mirë askujt.

A do të jetë i mundur një rishikim nga ekspertët i projekteve apo tashmë do t’i përkasë politikës?
Unë mendoj se klima fillestare e diskutimit dhe kompromisit duhet inkurajuar, politikanët duhet të bëjnë të vetën. Shoqëria dhe teknicienët të vetën. Media duhet t’i pasqyrojë këto opsione mirë dhe jo me pasaktësi. As njëanshmëri. Në mënyrë që njerëzit nesër kur votohen të gjykojnë kush është vendimmarrja më e mirë dhe të japin vlerësimin për vendimet e marra qoftë për mirë apo gabim. Askush deri më sot nuk ka bërë një analizë të suksesit dhe dështimeve në këtë drejtim dhe të ngrejë me forcë zërin se njerëzit që kanë gatuar dështimet e kaluara të vijojnë të gatuajnë të tjerat, nëse nuk kanë kurajon të pranojnë gabimet dhe të punojnë me të tjerët në mënyrë konstruktive për të përmirësuar me kurajo gabimet e të kaluarës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)