Gjithë moderniteti ka mendue dhe ka besue në mundësinë e krijimit të nji “natyre të dytë” njerzore.  Kant, Fichte, Schelling e Hegel janë fanarët që kanë ndriçue lindjen e shoqnisë sonë moderne tue u bazue tek arsyeja e mirëfilltë. Vetë historia, simbas Hegel-it, asht rrugëtimi që shenjon kalimin prej “natyrës së parë” tek “natyra e dytë” njerzore.

“Natyra e parë” asht njeriu siç gjendet në mënyrë të menjihershme, pa kulturë, pa emancipim, pa idenë e shtetit, pa ndërgjegjen e të qenit të lirë, pa vetëdijen e sferës së përbashkët ku gjen dhe takon të tjerët si të barabartë. Ky asht njeriu i pasioneve të errta, të cilat vendosin gjithnji në favor të tij si individ.

Ndërsa “natyra e dytë” asht e mbrujtun me parime racionale, me frymën e nji shpirti absolut që flatron mbi histori tue realizue vetveten. Edhe Schelling-u flet për realizimin e nji “rendi kushtetues juridik universal” si fryt i realizimit të lirisë sonë. Ligji dhe rendi kushtetues afirmohen tansisht atëherë kur ato bahen pjesë e jona, pra kur bahen natyra jonë e dytë.

E gjithë kjo kuptohet në dritën e asaj që këta filozofë trajtojnë si “e keqja në histori”. Për Kant-in e keqja në histori shprehet në ngallnjimin e interesave individuale dhe tendencave natyrale parësore mbi arsyen.

Kur individi me pasionet e veta për pushtet, pasuni, egoizëm, luks, - eklipson interesat e përgjithshme, pra, kur arsyeja e pjesshme e tij vendoset përmbi arsyen universale të t’gjithë bashkësisë, atëherë e keqja triumfon. Përkundër liria e vërtetë dhe arsyeja na çojnë përtej natyrës e përtej individualizmit tonë.

Natyra e dytë e nji njeriu dhe e nji populli ndërtohet me anën e nji morali të naltë ku interesat e bashkësisë janë përmbi interesat e ngushta të individit. Ky kalim historik, që shenjon hapin vendimtar drejt qytetnimit, realizohet përmes nji mendimi filozofik të thellë e përmes kulturës së vërtetë, përmes perceptimit të historisë si proces që nis prej primitivitetit e drejtohet për kah qytetnimi. Hegel-i shkon deri atje sa me pohue se nji popull që s’ka shtet nuk ka histori të mirëfilltë.

Krijimi i nji “natyre të dytë” asht sfida e krijimit të nji rendi shtetnor të bazuem tek ligji dhe arsyeja. Kur shteti bahet i domosdoshëm në vetëdijen e të gjithë individëve, atëherë kultura e ligjit hyn në gjak dhe drejton veprimin e të gjithë shoqnisë.

Le të sillena tash në krahun tjetër, këtej kah ne, ku përditë e ma shumë e me vetëdije të plotë bashkësia dhe shteti po shndërrohen në nji kufomë të qelbtë prej korrupsionit dhe sëmundjeve tjera vdekjepruse.

Mendoni se çfarë lloj të mire përfaqson për bashkësinë tonë e ma gjanë edhe për shtetin gjithë galaksia e të korruptuemve dhe korruptuesve që kemi? Çfarë kuptimit kanë për historinë tonë paret e tyne të vjedhuna apo të grumbullueme me aktivitete të kundraligjshme?

Fakti që ata shpenzojnë, që kanë ndërtue vila e shtëpia, që udhtojnë, që mbajnë rreth vetes nji turmë shërbëtorësh, e kanë nji farë pushteti... nuk e ban aspak ma domethanës nulitetin e tyne, jo thjesht si persona, por ma thellë si aktivitet njerzor. Mendoni sa njerëz të pushtetshëm e të pasun kanë pasë qytetet e fshatnat tona në shekullin e kaluem apo dy shekuj ma parë.

Shumica e tyne, pikërisht pse nuk kanë zotnue asnji lloj ideje të kombit, të shtetit, a të nji morali të kultivuem janë fshi përgjithmonë në pakuptimësinë e tyne si të kishin qenë flluska sapunit. Pasja nuk asht qenje, e edhe kur imponohet si të ishte qenje, asht vetëm e përkohshme dhe e pakuptimtë.

Sot ata që janë pasunue tue marrë tangjente prej shitjes së pasunive të shtetit, ata që kanë dhanë tendera tue damtue shtetin dhe të ardhmen e vendit, ata që kanë zhdukë miliona prej buxhetit të ndërtimit të veprave të mëdhaja, ata që kanë grabitë toka e që kanë uzurpue titujt e të tjerëve nuk përfaqsojnë ma shumë se aq sa përfaqsojnë kandrrat apo insektet parazitare në natyrë.

Kur veprimi ynë nuk përban nji kontribut sado të vogël në drejtim të ndërtimit të “natyrës së dytë”, të shtetit të së drejtës, të vetë qenjes sonë si njerëz të lirë që takohen me njerëz të tjerë të lirë në sferën ndërkombtare, gjithçka zgjidhet tek nevojat e “natyrës së parë”, tek ushqimi, riprodhimi i species, instinkti i vetëruejtjes, tue e identifikue gjatësinë e jetës sonë me zgjatjen e këtyne pasioneve kalimtare.

Ideali dhe sfida jonë e madhe mbetë gjithnji krijimi i nji shteti të mirëfilltë të së drejtës, i cili s’ka asgja të përbashkët me shtetin e Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Sali Berishës, Ilir Metës, Bujar Nishanit, me shtetin e ristanëve, apo sashenkave e tomave të drejtësisë sonë. Këta përfaqsojnë të keqen tonë, pse janë mohimi i shtetit dhe pesha e vdekun që Shqipnia mbart mbi shpatulla tash sa kohë.