254 qytetarë në të gjithë vendin janë gjobitur gjatë 24 orëve të fundit pasi janë kapur duke lëvizur pa maska.
5 persona janë shoqëruar në komisariat pasi nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Dje ministria e Shëndetësisë raportoi se për 24 orët e fundit në vendin tonë u regjistruan 661 raste të reja me koronavirus nga 2108 testime të kryera.
Tirana mbetet qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve me 178 raste të reja gjatë orëve të fundit. Në total që prej fillimit të pandemisë janë infektuar 49.191 qytetarë.
Fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe kanë humbur jetën 13 qytetarë të tjerë duke e çuar numrin total të viktimave në 1016.
Shifrat e COVID janë në rritje por qytetarët vijojnë të jenë të pabindur duke mos mbajtur maskë në përditshmëri, një nga rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik për të frenuar përhapjen e virusit.
Njoftimi i policisë:
Ndëshkohen me masë administrative 254 qytetarë që u konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 254 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 5 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.