TIRANE- Rritja e numrit të personave që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, ka nxitur Ministrinë e Shëndetësisë të hartojë politika të reja, jo për shtrimin e tyre në spitale, por për hapjen e shtëpive të veçanta. Hapi i parë është hedhur në Tiranë, ku dy shtëpitë e para do të ngrihen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe më pas projekti do të shtrihet në të gjithë vendin.

Në këtë projekt të hapjes së shtëpive familje, qeveria shqiptare është e mbështetur nga komuniteti i “Sant Exhidios”, si dhe zyra e bashkëpunimit italian për zhvillim në Shqipëri. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në fjalën e tij përshëndetëse tha se këto shtëpi janë një tipologji e re shërbimi, të tipit “shërbime rezidenciale”, me funksion kryesor rehabilitimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor. “Strukturat shëndetësore duhet, dhe do të jenë, jo vetëm vendet ku njerëzit mjekohen, por edhe qendra që mishërojnë solidaritetin e kulturën shoqërore.

Ngritja dhe funksionimi i shtëpive të tilla është në përputhje të plotë me qëllimin kryesor të reformës në fushën e shëndetit mendor në Shqipëri, i cili është ngritja e një sistemi të integruar shërbimesh të shëndetit mendor për trajtim, rehabilitim dhe riintegrim shoqëror”, tha Beqaj. Mungesën e qendrave të tilla, të shtëpive familje e ka pohuar edhe ministri Erion Veliaj, i cili ka premtuar një reformim të të gjithë sistemit të shërbimeve sociale.

Veliaj, theksoi se 20 vite pas rënies së komunizmit shërbimet sociale multidisiplinore të modelit të “Saint Egidios”, në nivel komuniteti pothuajse nuk ekzistojnë, dhe aty ku ekzistojnë ofrohen ose nga organizata të shoqërisë civile, ose nga organizata shembullore me bazë besimi si “Saint Egidio”, ose ato të komuniteteve të tjera të besimit. “Për këtë qëllim ne jemi duke ndërmarrë një reformë të gjerë të shërbimeve tona sociale, një reformë që konsiston në ndërtimin e një sistemi zinxhir të integruar të shërbimeve sociale, për fëmijët dhe familjes, me orientim forcimin e familjes dhe të komunitetit”, nënvizoi Veliaj. 

Ambasadori Gaiani
Në konferencë ka marrë pjesë edhe Ambasadori italian në vendin tonë Massimo Gaiani. Ai tha se këto lloj aktivitetesh të promovuara nga “Sant' Egidio” e afrojnë më tepër Shqipërinë me standardet evropiane përsa i përket mbrojtjes dhe trajtimit të kujdesit ndaj shëndetit mendor. “Kam pasur mundësi t’i vizitoj nga afër këto modele.

Kam mbetur i befasuar jo vetëm për profesionalizmin që ofrohet në to, por edhe qëllimin human që ato përcjellin. Objektivi përfundimtar i kësaj nisme që ka zgjatur në kohë dhe që sot ka arritur në njëfarë qëndrueshmërie, është bërë konkrete përmes përmirësimit të trajtimit të pacientëve psikiatrikë kronikë në përpjekje për të bërë riintegrimin social të këtyre individëve problematikë”- u shpreh Massimo Gaiani. Në këtë takim ka qenë i ftuar edhe imzot Vincenzo Paglia, i cili ka sjellë një panoramë të modelit të shtëpive familje, në komunitetin e “Sant Exhidios”, dhe mënyrës se si ato funksionojnë duke pasur në synim forcimin e familjes.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)