Padi për Pallatin e Rinisë

Padi për Pallatin e Rinisë
“Mbështetuni në forcat tua! Mos pritni që problemet që keni t’i zgjidhin të huajt, qofshin ato edhe Fuqitë e Mëdha!”
Me këto fjalë na u drejtua një pjesëmarrës i grupit të aktivistëve të shoqërisë civile, të disa institucioneve dhe të mediave nga Sllovakia, gjatë takimit që kishin me përfaqësuesit e shoqërisë civile të Kosovës javën që shkoi. Në momentin kur e dëgjova, kjo këshillë më është dukur më shumë arsyetuese, si shpëlarje e ndërgjegjes, për faktin se edhe Sllovakia është ndër ato instanca dhe vende që bllokojnë afirmimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Me forcat tona ne e shpallëm pavarësinë, por kjo ashiqare nuk mjaftoi që ta bindim Këshillin e Sigurimit e as pesë anëtaret e BE-së që ngulin këmbë për mosnjohjen e Kosovës. Këto fakte janë bërë një digë e madhe që na zë frymën, që e bllokon zhvillimin normal të shtetit të vogël çfarë jemi.
Por deri sa po mendoja t’i përgjigjesha sllovakut me tezën se Kosova është problem sui generis edhe për nga e drejta për vetëvendosje edhe si një fabrikim ndërkombëtar, që nuk mund t’i shmanget ndikimeve të Fuqive të Mëdha, qoftë për të mirën, qoftë për të keqën, e kisha ndjenjën se ai mbase edhe kishte të drejtë. Në aspektin e zgjidhjes finale dhe të debllokadës së Kosovës sigurisht se nuk jemi të pavarur. Nuk e kemi fuqinë vetanake që të lëvizim gurin. Por, ama, ka shumë hapësirë dhe mundësi që në kuadër të pavarësisë që po e gëzojmë dhe kompetencave që i kemi dhe që do t’i zgjerojmë, të bëjmë shumë më shumë për forcimin e shtetit, të ekonomisë dhe në përgjithësi të mirëqenies sonë.
Faktorët ndërkombëtarë nuk na pengojnë, ose nuk e kanë ndikimin vendimtar, në çështjet e avancimit të ligjeve dhe të jetës institucionale. Nuk do të na pengojnë as që ta krijojmë ushtrinë tonë e as që të krijojmë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Ka shumë fusha ku përparimi dhe siguria janë objektivisht në duart tona, ku nuk kërkohet vetëm angazhimi i elitave politike dhe ekonomike, por edhe të qytetarëve. Kur themi qytetarët nuk mendoj vetëm në shoqërinë civile, që edhe nuk e ka fuqinë e duhur, por në vetë shoqërinë, përtej partizimeve dhe ngulfatjeve të saj.
E kam parasysh një strategji të zhvillimit që nuk fokusohet pandërmjetshëm vetëm në projektet dhe qëllimet finale, por në qindra mikrostrategji që mund të na fuqizojnë dhe kualifikojnë edhe për ato detyra të mëdha të së ardhmes.
Po ndalem p.sh. në disa probleme të prekshme dhe parimisht të zgjidhshme të Prishtinës si kryeqytet, e që nuk po adresohen fare, ose mbeten sfera përherë të neglizhuara. Po ndalem te fusha e kulturës, që e kam më të afërt, por edhe e rinisë dhe sportit. Prishtina pas luftës nuk ka arritur që të ketë qendrën e vet kulturore, e as t’i rindërtojë hallat sportive, që në të vërtetë i ka pas si të tilla para luftës. Po ndalem të objekti qendror i Prishtinës, Pallati i Rinisë, që ende joformalisht e quajmë Qendra Boro e Ramizi. Deri sa kjo qendër ka hapësira të mjaftueshme që edhe i dedikohen kulturës, rinisë dhe sportit, e që edhe e kanë pas statusin e institucioneve publike jo vetëm për hir se me atë qëllim i ka ndërtuar regjimi socialist, por edhe sepse ky objekt është ndërtuar me mjetet e republikave të ish-federatës jugosllave me dedikim për qytetarët e Prishtinës, e një pjesë të konsiderueshme e financimit është siguruar përmes vetëkontributit të prishtinasve. Për vetëkontribut ka qenë i shpallur referendumi dhe prishtinasit për disa vite i ndanin mjetet nga pagat e tyre për ndërtimin e Boro e Ramizit, e hallave të sportit dhe të qendrës kulturore.
Pas luftës Pallati i Rinisë (çfarë cinizmi në emërtim!) është tjetërsuar plotësisht dhe nuk ka aspak transparencë se kush përfiton nga qiratë e dyqaneve të pjesës tregtare, e as nga hapësirat tjera sportive dhe kulturore. Pas zjarrit që dogji hallën e madhe, ajo nuk u rifunksionalizua edhe pse për këtë qëllim ishte ndarë një fond i konsiderueshëm nga Brukseli. Komuna e Prishtinës dhe Qeveria, si dhe Agjencioni për privatizim, nuk kanë mundur të merren vesh se kujt i takon ky objekt kapital. Pas këtyre “mosmarrëveshjeve”, në të vërtetë janë fshehur interesat e mëdha të bosave ekonomikë dhe politikë. Ata për shumë vite nuk e kanë gjetë formulën e zgjidhjes së “pronësisë”, edhe pse si duket nuk kanë probleme me ndarjen e tallit nga statusi i paqartë dhe fitimet që aty megjithatë mblidhen dhe nuk duhet të janë të vogla.
Çka mund të bëhet më shumë për të mirën e qytetarit të Prishtinës në këtë rast? Para së gjithash, paradoksale është se në tërë këtë lojë dhe përvetësim askund nuk figuron vetë qytetari, ai që ka investuar mjetet e veta për ta ndërtuar një pasuri publike. Po çuditem pse deri më sot nuk është mbledhur një grup qytetarësh që kanë investuar për Pallatin e Rinisë që të bëjë padinë kundër uzurpuesve të pronës publike në qendër të Prishtinës, kushdo qofshin ata. Me këtë akt, që fatmirësisht edhe nuk është i vonuar, – ende mund të ngrihet padia -, në lojë do të kthehej zëri dhe interesi i qytetarit të neglizhuar. Besoj se padia do të ishte e mbështetur dhe bindëse, në favor të restituimit të pronës publike, jo vetëm formalisht, por edhe në aspektin e shfrytëzimit. Kultura, rinia dhe sporti i Prishtinës do të kthenin në shfrytëzim hapësirat që u takojnë, me një menaxhim publik që do të ishte favorizues për ta.
Me një lobim të fuqishëm publik që do të thirrej në patjetërsueshmërinë e pronës dhe të investimeve, kjo dava do të mund të fitohej, dhe qytetari i Prishtinës dhe i Kosovës do të ndihej i fuqizuar karshi uzurpatorëve mujsharë, kushdo qofshin ata.
Ky intervenim do të zgjidhte edhe atë konflikt objektivisht të paqenë ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, që deri më sot janë shtyer se kujt duhet t’i takojë kjo pasuri publike.
Por, a ka fuqi shoqëria jonë që të bëjë këso padi? Të bashkohet rreth një çështjeje që do të vendosë drejtësinë dhe ngrejë ndërgjegjen qytetare? Rasti i “Hotel Unionit”, që sot po rindërtohet, tregon se protestat qytetare nuk janë krejt pa shpresë.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel