Ky veprim i Xhelal Mziut ka sjellë bllokimin e punimeve në rrugën kombëtare të “Arbërit”, ku kompania në fjalë ka marrë një pjesë të punimeve si dhe lënien pa rroga mujore të rreth 150 punonjësve. Kompania i është drejtuar disa herë gjykatës së Tiranës ku ka arritur të fitojë proceset gjyqësore, ndërkohë edhe pas këtyre vendimeve veprimet arbitrare të Xhelal Mziut, sipas kallëzimit të paraqitur në prokurori nuk janë ndalur. Gazeta “Shqiptarja.com” ka mundur të zotërojë nga prokuroria e Tiranës, kallëzimin penal numër dy për kryebashkiakun e Kamzës Xhelal Mziu, në të cilin jepen me detaje të gjitha shkeljet e Mziut.
Kallëzimi i plotë
Zoti Prokuror!
Unë kallzuesi,jam administrator i subjektit “Gjoka Konstruksion” Sha. Shoqëria që unë drejtoj prej disa vitesh operon me sukses në fushën e ndërtimit të rrugëve duke qënë një prej tatimpaguesve më serioz në vend. Pavarsisht veshtirësive të shkaktuara nga situata finaciare, shoqëria që unë drejtoj për asnjë moment nuk ka ndërprerë punën dhe aktualisht ka më shumë se 150 punonjës të punësuar me siguracione të paguara prej nesh!
Zoti prokuror!
Pavarsisht faktit se subjekti që unë drejtoj është i rregjistruar si i tillë pranë tatim-paguesve të medhenj Tiranë,në mënyrë abuzive kemi marrë njoftim për detyrime nga kryetari i Bashkisë Kamëz personi ndaj të cilit po bëjmë kallzim shtetasi Xhelal Mziu. Veprimet e tija abuzive në kundërshtim me Ligjin Nr.9632/2006 “Për sistemin e taksave vendore” dhe Ligjin Nr.9920/2008 “Për procedurat tatimore“ i kemi kundërshtuar në rrugë administrative dhe gjyqësore. Pranë Gjykatës së Tiranës kemi kundërshtuar detyrimet fiskale të kërkuara nga Bashkia Kamëz për periudhen kohore 2007-2011 dhe gjykata me vendimin Nr.2901 dt.27.3.2012 ka pranuar kërkes-padinë tonë duke konstatuar se kërkimi i Bashkisë Kamëz për të vjelur tatime nga subjekti “Gjoka Konstruksion” është i paligjshem.
Pavarsisht nga sa me sipër dhe megjithëse përfaqesuesi i Bashkisë Kamëz ka qënë prezent në gjykim, më datën 25.01.2012 Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu,ka kërkuar prej subjektit “Gjoka Konstruksion” sha 11.533.528 lekë detyrime finaciare për vitin 2012 dhe njëkohesisht ka urdhëruar bankat e nivelit të dytë të bllokojnë llogaritë e subjektit që unë drejtoj. Gjykata e Tiranës me vendimin Nr.5429 dt.28.5.2012 ka vendosur: pranimin e kërkesë padisë së shoqërisë, konstatimin e pavlefshmërisë së “Njoftimit të Vlerësimit Tatimor” Nr.1590 date 25.01.2012 të Drejtorisë së Taksave Vendore Bashkia Kamëz. Pra, gjykata jo vetëm që e ka gjetur të paligjshëm kërkimin e Bashkisë Kamëz por edhe ka urdhëruar që ndaj llogarive të subjektit juridik „Gjoka
Konstruksion“ sha të mos vihet asnjë bllokim ose pengesë.
Zoti Prokuror!
Pavarsisht faktit se ka një vendim gjykate që e pengon Bashkinë Kamëz të cënojë llogaritë e subjektit „Gjoka Konstruksion“ sha, më datën 14.12.2012 personi ndaj të cilit po bëjmë kallzim Xhelal Mziu ka urdhëruar të gjitha bankat e nivelit të dytë që të bllokojnë llogaritë tona dhe të mijat personalisht. Ky veprim i z.Xhelal Mziu,në kundërshtim me ligjin dhe me vendimin e gjykatës na ka krijuar një situatë bllokuese e falimentuese pasi bllokimi i llogarive bën që të mbeten pa paguar më shumë se 150 punonjës të punësuar pranë subjektit „Gjoka Konstruksion“ sha.
Për më tepër,me veprimin e tij z.Xhelal Mziu ka cënuar rëndë jo vetëm interesat ekonomike të subjektit por edhe interesat kombëtare, pasi subjekti “Gjoka Konstruksion” sha është duke ndërtuar një pjesë të rrugës së “Arbërit” e cila për shkak të veprimit abuziv të Xhelal Mziut bllokohet. Përfundimisht, të bindur se subjekti „Gjoka konstruksio“ sha dhe vetë shteti kanë pësuar një dëm të madh ekonomik prej veprimeve arbitrare të shtetasit Xhelal Mziu ,në mbështetje të Nenit 283 të K.Pr.Penale i drejtohemi organit të akuzës duke i kërkuar ndjekje penale për shtetasin Xhelal Mziu aktualisht Kryetar i Bashkisë Kamëz për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Kryerjen e veprimeve arbitrare” “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës“ parashikuar si të tilla nga Nenet 248,250 dhe 321 të K.Penal Mbështetur në Nenin 61 të K.Pr.Penale kërkojmë që me padi civile brenda procesit penal të detyrohet shtetasi Xhelal Mziu për dëmin moral dhe ekonomik shkaktuar subjektit „Gjoka Konstruksion“ sha të dëmshpërblejë kallzuesin në shumën e përcaktuar nga ekspertët ekonomist kontabël. Duke ju shprehur gadishmërinë time për të dëshmuar dhe provuar sa më sipër kallzova.
(Në foto: Kallëzimi i bërë nga firma "Gjoka Konstruksion" ndaj Xhelal Mziut)
Firma fitoi sërisht ndaj Xhelal Mziun
Bashkia Kamëz dhe kompania „Gjoka Konstruksion“ kanë zhvilluar disa procese gjyqësore, ku në të gjitha rastet ka dalë fituese kompania e ndërtimit. Vendimi i fundit nga Gjykata e Tiranës është marrë në muajin janar 2013, e cila pranon një kërkesë padi të kompanisë që bënte fjalë për detyrimet e Tatim-Taksave. Në padinë civile pala paditesë pretendon se akti Administrativ njoftim vlersimi Nr.118 dt.5.4.2011 i nxjerrë nga Bashkia Kamëz është i pambështetur në ligj dhe duhet të shfuqizohet për arsyet e mëposhtme: Sipas aktit administrativ të sipërpërmendur paditësi detyrohet te paguajë taksën për shfytëzimin e hapsirës për aktivitet privat në shumën 1.280.000 lekë për vitin 2011.
Shkrimi u publikua sot (24.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)