Padia e trashëgimtarit Pal Seçunit
Një pjesë e sipërfaqes së tokës ku do ndërtohet resorti nga kompania e Faad Mitrit, pretendohet nga Pal Seçuni se i takon atij, pasi ai rezulton të jetë trashëgimtar i babait të tij Hill Seçuni. 71 vjeçari Pal Seçuni ka paditur bashkinë e Durrësit, duke kërkuar prej saj ti njohë sipërfaqen e tokës prej 45 mijë metra katrorë që ndodhet në fshatin Dajç të komunës Ishëm. Çështja gjyqësore i ka rënë kryegjyqtares së Durrësit Joana Qeleshi, kjo e fundit një punonjëse dikur pranë zyrës juridike të Argita Malltezit, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas zhvillimit të dhjetëra seancave gjyqëosre, dëgjimin e dëshmitarëve dhe njohjen me aktin e ekspertimit të ekspertit Kalo Xhuvani, në 25 mars 2016 gjyqtarja Qeleshi ka vendosur të pranojë kërkesë padinë e 71-vjeçarit duke detyruar bashkinë Durrës dhe hipotekën e këtij qyteti që ti njohin pronësinë.Në fakt ky vendim është bërë “molla e sherit”, pasi persona që qëndrojnë prapa shpinës së 71-vjeçarit në këtë sipërfaqe kanë ndërtuar dhe një lokal druri, të cilin e shfrytëzojnë për qëllime biznesi. Por kjo nuk është synimi i tyre, pasi nëpërmjet firmave të ndërtimit, ata kërkojnë ngritjen e vilave apo hoteleve në këtë zonë. Nga ana tjetër qeveria dhe bashkia e Durrësit ka miratuar lejën për kompaninë “Omnix Albania”, duke pretenduar se toka në Gjirin e Lalzit është shtetore dhe jo private. Mirëpo të kundërtën e kësaj ka vendosur gjyqtarja Qeleshi, e cila me vendimin e saj e ka future në një spirale pa zgjidhje këtë çështje. Në asnjë rresht të vendimit, nuk përmendet statusi ligjor i asaj prone publike, madje as vendimet e institucioneve shtetërore për zhvillimin e kësaj prone. Shoqëria “Omnix Albania” kishte bërë gati nisjen e punimeve në ditët e para të muajit Tetor dhe kjo ka bërë edhe me agresiv dhe të dhunshëm njerëzit që e pretendojnë këtë pronë, tashmë të njohur dhe me vendim gjykate.
Historia e resortit
Ka qënë 10 maji i 2013 kur kryeministri i asaj kohe Sali Berisha dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi kanë firmosur në Këshillin Kombëtar të Territorit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Gjirit të Lalzit. Berisha dhe Olldashi, i dhanë “ok” kompanisë “Omnix Albania” të Faad Mitrit por nuk mundën të miratonin lejën e ndërtimit për shkak të humbjes së pushtetit në 23 qershor të po atij viti. Muajt kaluan dhe në qeveri erdhi kryeministri Edi Rama. Ky i fundit vijoi të mbështesë projektin duke lejuar kompaninë e mësipërme të vijojë investimin e planifikuar në Shqipëri, duke paguar një taksë vetëm 1 euro për metër katror.Leja është miratuar dhe gjithçka ishte bërë gati.Projekti ka një vlerë prej 180 milion euro, para këto që do shpenzohen nga një kompani nga Katari. Ajo quhet “Omnix Albania” me pronar shtetasin nga Katari Jamal Abdulsalam Abu Issa. Kompania është regjistruar në vitin 2008 në QKR, ku ka regjistruar një kapital prej 1.1 miliardë lekësh, afërisht 10 milionë dollarë. Abuissa rezulton edhe administrator i shoqërisë, detyrë që ja ka deleguar për një kohë të shkurtër përfaqësuesit të tij ligjor, Faad Mitri, me pasaportë amerikane i lindur në Liban. Investitori nga Katari zotëron edhe një kompani tjetër në Shqipëri të quajtur OMNIX CONTRACTING AND ENGINEERING, administrator i së cilës është gjithashtu Faad Mitri. Objekti i aktivitetit të shoqërisë “OMNIX Albania” është Zhvillimi i pasurive te paluajteshme, investime ne infrastrukture, turizem, Botime, shërbime mediatike dhe publiciteti, aktivitet në fushën e radios dhe televizionit, Import-eksport,etj. Adresa kryesore e kompanisë është komuna Draç në Gjirin e Lalzit.
(Faximile e vendimit të gjyqtares Qeleshi për pronën)
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com