Jo vetëm politika, janë avokatët këtë herë që dalin kundër padisë së gjyqtarëve për ligjin e vettingut, në një intervistë për ReportTv kreu i avokatëve penalist njëherazi kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësorë, Saimir Visha shprehet se kjo padi vjen në një moment të papërshtatshëm pasi vendi është në fushatë elektorale dhe Vettingu është miratuar me dakortësi nga forcat politike.

“Nuk është situata normale që një kërkesë e tillë ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, Vettingu është miratuar me dakortësi nga të gjitha partitë politike, jemi në prag të fushatës elektorale dhe kjo e bën që kjo kërkesë të kalojë përtej anës profesionale”  tha Visha.

I pyetur për ecurinë e Vettingut, Visha shprehet se ai është një proces që tashmë nuk mund të ndalet dhe çdokush duhet ti nënshtrohet.

“Vetingu është i pashmangshëm do të ndodhi çfar është vlerësimi  nëpërmjet institucionit të  vettingut të tre momentet që ligji i vettingut kap si gjyqtarët dhe prokurorët do të ndodhi dhe nuk mund të shmanget, të gjithë avokatët dhe gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do ti nënshtrohen ligjit të vettingut” u shpreh avokati. 

Kreu i avokatëve penalist prej 1 jave është kualifikuar si një ndër 10 avokatët të cilët garojnë për tu bërë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqsorë si pjesë e organeve të reja të drejtësisë. 

“Pjemarrja për herë të parë e shoqërisë civile në Këshillin e Lartë Gjyqësorë do të jetë një garanci për gjyqtarët për të shmangur sulmet dhe presionet e politikës në gjyqësorë” tha Visha.

Gjykata Kushtetuese i ka lënë afat gjyqtarëve të paraqesin parashtrimet e tyre për padinë ndaj vettingut deri më 22 qershor, tre ditë para zgjedhjeve që mbahen në vend. Ndërsa në lidhje me datën e shqyrtimit gjyqësorë të kësaj padie ende nuk ka një vendimmarrje.

Zbardhet padia e gjyqtarëve në Kushtetuese, kundërshtohen 26 Nene
Report Tv ka mundur të sigurojë një kopje të padisë me 60 faqe të depozituar në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Kombëtarë e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të cilët atakojnë tre ligje, Vettingun, statusin dhe organet e qeverisjes vendore.

Kjo padi është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese më 25 Maj 2017, ndërsa brenda datës 22 Qershor 2017 paditësit në këtë rast gjyqtarët duhet të paraqesin parashtrimet e tyre para trupit gjykues.

Por cfarë kërkojnë gjyqtarët të shfuqizohet si antikushtetuese me 26 nenet që kanë atakuar?

Gjyqtarët në padinë e tyre shprehen se ka shkelje kushtetuese të cilat lidhen me vlerësimin e pasurisë së tyre, anës profesionale si dhe ecurisë së karrierë.

Një tjetër pikë e paditur nga gjyqtarët është dhe ajo e verifikimeve që pritet të bëjë drejtoria e informacionit të klasifikuar në lidhje me kontaktet apo raportet e botës së krimit me trupën e gjyqtarëve.

Gjyqtarët atakojnë dhe fuqinë e votës së kryetarit në përzgjedhjen e anëtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësorë dhe atë të prokurorëve.

Sipas tyre vota e kreut të KLGJ apo e KLP nuk mund të jetë përcaktuese në rast të një rezultati të barabartë midis dy garuesve.

Këto ligje kanë përfunduar dhe më parë në Gjykatën Kushtetuese fillimisht nga partia demokratike e më pas gjyqtarët, por në të dyja rastet është rrëzuar kërkesa për shfuqizimin e Vettingut dhe është pranuar pjesërisht për disa nene që lidhen me statusin dhe organet e qeverisjes në drejtësi.

Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com