Mungesa e avokatit Plarent Ndreca e shty në Gjykatë Administrative gjyqin për pavlefshmëri të emërimit prokuror të Ols Dados, të kërkuar nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Vetë Veliaj ishte i pranishëm në seancë dhe kërkoi leximin e një deklarate, por gjyqtari nuk ia lejoi.

Deklarata, e shpërndarë më pas për mediat, lidhet me vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese për arrestin me burg ndaj Veliajt. Kryebashkiaku thotë se Kushtetuesja ka arritur në përfundimin se nuk ka provuar për të arritur dyshimin e arsyeshëm se është kryer vepër penale.

Pikërisht për këtë tha Veliaj edhe procesi në administrative ndaj Ols Dados është i rëndësishëm. Veliaj tha se Ols Dado, si prokuror i çështjes së tij, i ka kufizuar lirinë dhe i ka pamundësuar ushtrimin e detyrës.

Deklarata e plotë e Erion Veliajt

Dje u zbardh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin tim si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe nuk kishte trajtuar në mënyrën e duhur pretendimet për cenimin e dinjitetit tim nga mbajtja në kabinën e xhamit. Për më tepër, një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka arritur në përfundimin se, bazuar në provat e administruara, nuk rezulton të jetë arritur as standardi kushtetues i dyshimit të arsyeshëm se kam kryer vepër penale.

Këto nuk janë pasoja abstrakte. Unë ndodhem prej 16 muajsh në paraburgim dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është justifikuar kufizimi i lirisë sime.

Pikërisht për këtë arsye, ky gjykim administrativ ka një rëndësi që shkon shumë përtej personit tim apo personit të z. Olsi Dado. Ky nuk është një proces për emra të përveçëm. Ky është një proces për të përcaktuar nëse një person, ligjshmëria e emërimit të të cilit vihet seriozisht në diskutim, mund të ushtrojë kompetenca që ndërhyjnë deri në kufizimin e lirisë së një qytetari, në cenimin e dinjitetit të tij dhe në pamundësimin e ushtrimit të një mandati të fituar drejtpërdrejt nga vullneti demokratik i qytetarëve të Tiranës. Në thelb, kjo çështje prek vetë besimin te shteti i së drejtës dhe te demokracia kushtetuese.

Për këtë arsye, po e vë në dispozicion të Gjykatës vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, si një zhvillim me rëndësi të drejtpërdrejtë për këtë proces.

Kryebashkiaku kërkon anulimin e dekretit të presidentit që e emëroi Dadon prokuror në 2008 pa shkollën e Magjistraturës. Palë e paditur, është edhe presidenca, institucioni që në atë kohë kur drejtohej nga Bamir Topi, dekretoi emërimin e Ols Dados prokuror.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:09
Veliaj në Administrative, mban në dorë romanin ‘Zoti President’

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj teksa po hynte në administrative mbante në dorë romanin ‘Zoti President’..

Duke marrë shkas nga jeta nën regjimin e Presidentit Manuel Estrada Cabrera në Guatemalë, ku libri ishte i ndaluar për shumë vite dhe i mbushur me një lirizëm mahnitës, fituesi i çmimit Nobel Miguel Angel Asturias-i ka krijuar një kryevepër surrealiste, një satirë të mprehtë të totalitarizmit dhe një portret të paarritshëm të terrorit psikologjik.