TIRANË-Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Administrative, për  transmetimin live të të gjitha seancave gjyqësore në procesin kundër Ols Dados, për të cilin kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit si prokuror në vitin 2008. Duke iu referuar nenit 20 të ligjit “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, Veliaj thotë se ligji përcakton qartë se shqyrtimi gjyqësor është i hapur për publikun dhe për këtë arsye i kërkon Gjykatës që gjatë zhvillimit të seancave të lejohet kamera e një media për transmetim, ose vetë Gjykata të mundësojë transmetim live. Sipas tij, kufizimi aktual në ndjekjen fizike të seancave nuk përmbush standardin e transparencës që kërkon ligji.

“Natyra e kësaj mosmarrëveshjeje administrative e intensifikon në mënyrë të veçantë nevojën për transparencë. Objekti i gjykimit lidhet me kontrollin e ligjshmërisë së një akti të Presidentit të Republikës dhe, përmes tij, me vlefshmërinë e ushtrimit të kompetencave publike nga një subjekt që ka vepruar si prokuror i Republikës. Ky akt përbën bazën mbi të cilën janë ndërmarrë veprime që kanë prodhuar efekte të drejtpërdrejta mbi të drejtat dhe liritë themelore të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si dhe mbi ushtrimin e mandatit tim kushtetues dhe funksionimin e institucionit unë përfaqësoj, në cenim të parimit të autonomisë vendore dhe sovranitetit të qytetarëve. Në këto kushte, interesi i publikut për të ndjekur zhvillimin e këtij gjykimi është objektivisht më i lartë dhe më i intensifikuar”, thuhet në kërkesë.

Një nga argumentet kryesore lidhet me praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila tashmë transmeton live seancat publike, si standard për garantimin e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në drejtësi. Sipas Veliajt, kjo praktikë duhet të shërbejë si model për të gjitha gjykatat, pasi tregon se transmetimi i drejtpërdrejtë është plotësisht i pajtueshëm me solemnitetin dhe zhvillimin normal të procesit gjyqësor. 

Ai thekson se, për shkak të funksionit të tij publik, interesit të lartë që mbart çështja, personave të shumtë të interesuar, aplikimi i një standardi më të kufizuar nga gjykatat e tjera do të cenonte të drejtën e publikut për të përçuar zhvillimin e çështjeve, besimin e publikut dhe do kompromentonte qëllimet e këtyre proceseve.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajmi në përditësim...