Avokati Përparim Caca dhe analisti Arben Meçe kanë diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, lidhur me përplasjet mes sistemit gjyqësor dhe Qeverisë për pagat e magjistratëve.

Gjatë fjalës së tij, avokati Përparim Caca iu dha të drejtë magjistratëve, duke theksuar se kërkesa e tyre për rritjen e pagave është e drejtë.

Caca tha gjithashtu se ftesa e kryeministrit Edi Rama për dialog me magjistratët ka ardhur shumë vonë. Ai shtoi se kryeministri Rama do të vijojë të këmbëngulë ‘me mënyrën e vet për të mos u tërhequr’.

“Kanë të drejtë magjistratët. Por nuk duhet ta ngatërrojmë Gjykatën Kushtetuese në kuptimin e statusit që ajo ka. Kushtetuesja nuk është pjesë e sistemit gjyqësor. Ka juridiksion të veçantë, në kontrollin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të ligjeve dhe akteve normative. Pra është jashtë juridiksionit gjyqësor. Tani gjyqtarët e prokurorët refuzojnë ftesën. Ftesa e Ramës ka ardhur shumë vonë, pasi është miratuar edhe ligji. Pasi është pritur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në shkurt. Nuk pati asnjë lloj ftese apo dialogu. Tashmë do shkohet sërish me mënyrën e vet Rama për të mos u tërhequr”, tha mes të tjerash Caca.

Nga ana tjetër, analisti Arben Meçe tha gjatë fjalës së tij se gjyqtarët e prokurorët janë ndër funksionarët publikë më të paguar të shërbimit civil.

Teksa e cilësoi kërkesën e tyre për rritjen e pagave si të padrejtë, Meçe tha se në Shqipëri, njësoj si në çdo vend të botës është krijuar piramida e pagave, në mënyrë që të mos ketë disbalanca të theksuara. Ai shtoi gjithashtu se qytetarët pyesin se ‘përse pagat e gjyqtarëve janë kaq të larta?’.

“Po e nis te ligji mbi pagat. Baza, i 2016-ës. Gjyqtarët i lidh automatikisht me nivelin më të lartë të shërbimit civil. Të gjithë trupën e magjistratëve. Më tej thotë fillojnë shtesat. Qytetari duhet ta dijë që gjyqtari jonë referohet në rrogën më të lartë në 2016-ën, i shtohet një rrogë tepër, i shtohen edhe deri në 50% të rrogës referuese. Pra i vete deri në 250 % të rrogës referuese atij që mbaron sistemin pas 25 vitesh. Asnjë post i shërbimit publik nuk e ka këtë mekanizëm. Me të drejtë qytetari thotë ‘pse kjo rrogë kaq e lartë? Për çfarë arsye?’. Prandaj në Republikën e Shqipërisë si në të gjithë botën krijohet piramida e pagave”, tha mes të tjerash Meçe.

Ditën e sotme përfaqësuesit e magjistratëve vendosën ta çojnë betejën për pagat në Gjykatën Kushtetuese, ku kanë kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e formulës së re të pagave të miratuar nga Kuvendi, e cila parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve e prokurorëve sa 2 % e pagës së Presidentit të Republikës.