Këngëtari Arkimed Lushaj i njohur me emrin e artit si Stresi nuk i ka ndalur kërcënimet edhe pse është shpallur në kërkim nga policia pasi mori pjesë në ditën e parë të protestës së  dhunshme për vrasjen e Klodian Rashës, ku pas saj u arratis në Kosovë.

Me anë të një video mesazhi, ndonëse në arrati, ai vazhdon premton se do të marrë pjesë në protestë që do të zhvillohet sot, ndërsa u bën thirrje të gjithë qytetarëve në disa zona të vendit që të ngrihen. Në mesazhin e tij, ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama, të cilit i thotë të dorëzojë drejtorin e policisë së shtetit Ardi Veliun, në të kundërt shton se do t'i shkojnë në shtëpinë e tij në Surrel dhe do t'ia djegin.

"Shkodra zemra eme jeni ma të mirët, i bëj thirrje kukësit Shkodrës tropoja eme, çohuni sot o kurrë. Na jemi nis  se si do vijmë sot në Tiranë gjall e dek nuk e di, por na prisni në protesta sot do jem aty 100% mepremtimin që ja u  thash, me djem prej Kosove dhe Maqedonie. Rezistoni sa të vijmë edhe na amaneti i zotit mos u dorëzoni.  Vlora Saranda Shkodra Vlora,  çohuni të tanë se do të vijmë sot.

Nëse Edi Rama se dorëzon Ardi Veliun mafiozin më të madh në histori të Shqipërisë e të policisë, nëse nuk e dorëzo ka për tu djeg edhe shtëpia jotë në Surrel. Kaq po të them Edi Rama dorëzo Ardi Veliun se do të të vijmë në Surrel pasha kët zot", thotë Stresi.

Në një postim në rrjetet sociale, më herët Lushaj ka kërcënuar edhe kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ai u shpall në kërkim nga policia pasi akuzohet se ka protestuar në mënyrë të paligjshme, duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme kanë shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private.

Para ambienteve të Ministrisë së Brendshme, këngëtari Stresi, është shprehur mjaft i revoltuar duke adresuar një sërë akuzash ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë. Protesta më vonë u shoqërua me dhunë ndaj disa institucioneve shtetërore.