Reperi Arkimed Lushaj i njohur si Stresi pasi është shpallur në kërkim nga policia pasi mori pjesë në protestat e dhunshme për vrasjen e Klodian Rashës është arratisur në Kosovë. Stresi ka rrëfyer për një emision në Kosovë se si arriti të dilte nga protesta dhe nga Shqipëria me një makinë funerali duke ikur në Kosovë.

“Ishte shumë e vështirë se dje pas proteste janë dhënë urdhra që Stresi djali i Sali Lushës të merret në Drejtorinë e Policisë. Është shumë e vështirë me dal prej turme. Kemi dal, jemi bllokuar në një vend, u futëm në një kafene, kur pamë që protestuesit u drejtuan të Drejtoria, e kemi dit që krejt forcat policore shkojnë aty. Kemi marrë një shok temin që punon me makinat e varrimit. Vetëm për të dalë nga protesta. Kemi shkuar deri në Laç me të. Aty pastaj drejt Kosovës. I përshëndes krejt çunat që më prunë në Kosovë’, tha ai.

Arkimed Lushaj u shpall në kërkim nga policia pasi akuzohet se ka protestuar në mënyrë të paligjshme, duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme kanë shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private. Veprat penale mbi të arrestuarit, të proceduarit në gjendje të lirë dhe të shpallurit në kërkim janë “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetesise publike” “ Shkaterrimit të pronës me zjarr” dhe” Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Para ambienteve të Ministrisë së Brendshme, këngëtari Stresi, është shprehur mjaft i revoltuar duke adresuar një sërë akuzash ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë. Protesta më vonë u shoqërua me dhunë ndaj disa institucioneve shtetërore.