Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo bën me dije miratimin e zonave prioritare për 8 bashki lidhur me Paketën e Maleve.

“Kemi miratuar zonat prioritare për 8 bashki për paketën e maleve. Mirditë, Kavajë, Durrës, Vlorë, Berat, Dimal, Librazhd janë gati që të vazhdojnë me procedurat për trajtimin e kërkesave për përfitimin nga paketa; bashki të cilat i kanë të miratuara zonat prioritare janë në fazën e ekzaminimit të kërkesave që kanë kaluar filtrat e kontrollit. Paketa e maleve po ecën me shpejtësi të konsiderueshme; mbi gjysmën e bashkive u kemi kaluar zonat prioritare dhe do të vijojmë në javët në vijim”, tha Demo.

Demo gjithashtu u pyet dhe për vijim e Komisionit të Posaçëm për hartimin e reformës së re territoriale në një kohë kur PD refuzon të marrë pjesë. Demo thotë se komisioni do të vijojë punën dhe reforma do të hartohet.

“Unë besoj që komisioni i posaçëm është mbledhur gjatë kësaj jave; javën që kemi përpara do të fillojnë edhe takimet dhe të ftuarit e parë në komision. Do të jem një ndër ta për të trajtuar atë që ka ndodhur dhe reformën. Jemi në kohë, komisioni ka kohën përpara. Besoj se ajo që është e rëndësishme është nevoja për të trajtuar atë që ka ndodhur 10 viteve të fundit, që të kemi bashki më të forta nesër. Nuk flas për qëndrime politike. Komisioni do të ecë përpara, ka mjaftueshëm argumente ku të gjitha palët mund të gjejnë vetveten për të hartuar reformën. Mazhoranca ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje dhe për të çuar përpara reformën. Jemi si mazhorancë shumë të hapur që kjo reformë të përfshijë të gjitha palët”, tha Demo.


Lajmi kryesor:

Nafta arrin ‘majat’, ministri Karakaçi: Bordi mund të ngrihet shumë shpejt, ngushtica e Hormuzit jo problem për furnizuesit shqiptarë