“Paketa e Maleve” do të jetë një histori suksesi. Ky ishte mesazhi i qartë që kryeministri Edi Rama përcolli për protestuesit, të cilët kërkojnë me këmbëngulje shfuqizimin. Rama është i bindur se kjo nismë do t’i ndryshojë fytyrën Shqipërisë turistike, ndonëse po shitet si akt tradhtie.
Ndërsa nga sheshi protestuesit vijojnë të kërkojnë anulimin e “Paketës së Maleve” duke e konsideruar si një nismë abuzive dhe lejon “shitjen e Shqipërisë”. Kryeministri Rama i cili shpesh i ka ftuar për dialog protestuesit, e bëri të qartë se ligji nuk do të shfuqizohet. Për Ramën, kërkesa për të anuluar këtë ligj, ka ardhur vetëm nga ata që i shohin malet nga “qyteti” dhe jo nga banorë të zonës apo emigrantë që preken drejtpërdrejtë nga kjo nismë, interesi i të cilëve thotë se është i lartë për mundësinë që po jepet për të investuar në turizëm.
“Nuk kam parë ndonjë komunitet nga këta që preken se për shkak nuk e kanë këtë paketë, të çohen të thonë që kjo paketa po na merr pronat.Këtu nuk jemi në kushtet ku shiten malet. Këtu jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që në male kanë trashëguar një pronë. Këtu jemi në kushtet kur njerëz të cilët kanë një pemëtore, të cilët e mirëmbajnë prej vitesh dhe për të cilën kanë pamundësi të kenë letrat për arsyet që thashë, mund të pajisen me një leje për të bërë një agropërpunim”, tha Rama.
Shqipërinë e pas “Paketës së Maleve” e krahasosi me Zvicrën, i bindur se kjo nismë do t’i japë frymëmarrje turizimit në zonat malore.
“Paketa e Maleve është gjëja që i ka munguar njerëzve, që kanë të drejtë të gëzojnë pronën e tyre dhe ta kthejnë në burim mirëqenie. Zhurma, akuzat, shpifjet sharjet vetëm mjegullojnë sytë e atyre që merren me to. Paketa e maleve do jetë histori e madhe e shqiptarëve, për të ba Zvicrën e vogël”, vijoi ai.
Që nga tetori 2025 e deri më tani qeveria ka miratuar zonat prioritare në 49 bashki të vendit, ndërsa interesi për zhvillimin e tyre ka qënë i lartë. Nga 1318 aplikime, 3 bashkitë me interesin më të lartë rezultojnë ato verioret, kryesuar nga Shkodra me 192 aplikime, Vau i Dejës me 126 dhe Bulqiza me 103 aplikime.
Përmes Paketës së Maleve, qeveria synon rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të zonave të ndryshme të vendit, jo vetëm malore, duke nxitur investime në prona që aktualisht shfrytëzohen nga privatë, por që nuk kanë tituj pronësie. Ligji zgjidh pikërisht këtë problematikë, duke parashikuar kalimin e pronësisë në këmbim të investimit për ushtrimin e një aktiviteti ekonomik.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek protesta për të cilën thotë se qeveria po vijon refleksionet, por vetëm mbi kërkesat e atyre që i quan flamingot.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
Jam për Theth, për Paketën e Maleve, dhe po mendoja që: çfarë kanë me Paketën e Maleve ata që e kundërshtojnë, madje kërkojnë edhe anulimin e saj?
Dhe nuk jam i vetëdijshëm se sa të informuar janë ata që malet i shohin nga qyteti apo që këto ligjet, vendimet, i kanë me të dëgjuar, për faktin që, në një pjesë të territorit tonë, në disa zona të Shqipërisë, ka një problem me faktin që njerëzit nuk e kanë njohur ligjin e ndarjes së tokës në fillim të viteve ’90, ligjin 7501, i cili nuk është pranuar për arsye se, në vend se të pranohet ajo ndarje proporcionale sipas ligjit të asaj kohe, është rënë dakord mes veti, mes banorëve, mes komuniteteve, që ndarja e tokës të bëhet në bazë të trashëgimisë dhe aty ku kanë qenë kufijtë e vjetër.
Dhe, në një pjesë të konsiderueshme të këtyre territoreve, ka dakordësi, nuk ka konflikt. Pra, trashëgimtarët e kanë tokën, por kanë një problem: duke mos e pas pranuar 7501-in, nuk e regjistrojnë dot tokën. Duke mos e regjistruar dot tokën, mund të ushtrojnë aktivitete në atë tokë, por nuk mund të kenë asnjë lloj të drejte nga të drejtat që jepen me ligj për ta zhvilluar tokën. Nuk kanë akses në financim, sepse nuk mund të marrin dot një kredi në bankë, nuk mund të marrin dot një mbështetje nga institucionet publike me grante, me subvencione, sepse nuk janë pronarë me një titull pronësie. Pra, në letra nuk ekzistojnë, në realitet janë atje dhe kështu nuk zhvillojnë dot një ekonomi të vogël bujqësore, elektorale, nuk bëjnë dot asgjë, përveçse me të ardhurat e tyre, dhe atë në një situatë ilegaliteti, sepse nuk marrin dot leje ndërtimi.
Këtë gjë e kemi hasur në mënyrë të vazhdueshme. Kemi bërë shumë përpjekje gjatë viteve, sepse është një shtresë reale e një realiteti që është jashtë realitetit që mbulon ligji, dhe jemi përpjekur ta adresojmë me një ndërhyrje tjetër në të ashtuquajturin ligj të ri 20/20, por edhe aty nuk ia kemi dalë që gjëja të shkojë në mënyrë të thjeshtë, të shpejtë, sepse ka shumë mekanizma që na kanë penguar ta bëjmë gjë.
Atëherë, këtu lind Paketa e Maleve. Janë pafund, ata të cilët e kanë tani më të qartë që malet, që territoret e zonave rurale, që janë larg qendrave të zhvillimit, janë një potencial i jashtëzakonshëm për ekonominë familjare, qoftë dhe duke e hapur derën e një shtëpie të braktisur, pas një rindërtimi të thjeshtë, për të bërë një bujtinë. Dhe, për ta, është mundësia që, me Paketën e Maleve, ta bëjnë realitet këtë gjë.
Në të kundërt, do duhet të rrinë në këtë gjendje, në limbo, në pezull midis një ligji që nuk e njohin, sepse ndërkohë pronën e kanë ndarë me zakon dhe nuk kanë konflikte, një ligji të 20/20 që është i komplikuar, sepse kërkon dakordësira nga më të ndërlikuarat, të shumë njerëzve. Dhe ata shumë njerëz është shumë e vështirë edhe të gjenden, edhe të bëhen bashkë, sepse nuk janë aty të gjithë, disa janë aty, disa janë në Europë, disa janë në Amerikë.
Kështu që, me këtë paketë, secili që do të zhvillojë pronën e tij, pronën e trashëguar të tij. Pra, këtu nuk jemi në kushtet kur po shiten malet, se dhe kjo e shitjes është një histori në vete, por nuk është për këtë shitje kjo bisedë. Këtu jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që, në male, kanë trashëguar një pronë. Okej?
Këtu jemi në kushtet kur njerëz të cilët kanë një pemëtore, të cilën e mirëmbajnë prej vitesh dhe për të cilën kanë pamundësi që të kenë letrat, pikërisht për arsyet që thashë, mund të pajisen me një leje për të bërë një agropërpunim.
Këto ishin kushtet kur mijëra emigrantë, kanë shprehur interes, sepse duan të investojnë, sepse e kanë kuptuar që turizmi në Shqipëri është një histori ekonomike shumë domethënëse, që do të shkojë duke u bërë gjithmonë e më domethënëse për ata që do të investojnë si duhet dhe që do të investojnë në eksperiencë, në përvojë, në eksperiencën dhe në përvojën e Shqipërisë, që është më thellë sesa qyteti, sesa bregdeti e kështu me radhë.
Dhe Paketa e Maleve është një politikë për njerëzit, është një politikë për të drejtën e pronës, është një politikë për të drejtën e zhvillimit të pronës, është një politikë që i shkon për shtat të gjithë atyre që për shumë e shumë vite, nuk kanë mundur dot ta kthejnë pronën e tyre në një aset financiar, ta kthejnë në një titull mbi të cilin të shkojnë në një bankë, ta kthejnë në një mundësi për të vendosur një kolateral dhe për t’u zhvilluar më tutje, e të tjerë, e të tjerë, e të tjerë.
Tani, çfarë do të thotë të anulohet Paketa e Maleve? Do të thotë, shkurt dhe thjesht, që të gjithë këta njerëz dhe gjithë kjo kategori njerëzish të mbeten në limbo, të mbeten pezull. Pse?
Sepse disave që, siç thashë, malet i shohin nga qyteti. Se unë nuk kam parë ndonjë komunitet nga këta që preken, për shkak se nuk e kanë këtë paketë, që të çohet dhe të thotë: “Kjo paketa po vjen, po na merr tokat, po na merr pronat, po na zhvesh nga atdheu”, e të tjerë, e të tjerë.
Nuk janë ata që e thonë këtë. Ata mezi e presin. Dhe kjo është rezultati i shumë bisedave, i shumë përpjekjeve. Nuk është diçka që lindi sa hap e mbyll sytë. Ndërkohë që shitet në tregun e fjalëve si një tjetër akt tradhtie. Akt tradhtie nga unë. Unë tradhtar! Një temë tjetër kjo.
Kështu që, se shoh dhe komentet tuaja...
-“Është habi e madhe”, thotë një Blerta këtu, “një vendi kaq i mrekullueshëm, thamë po na bën një Zvicër të vogël. Flitet për paketa si lodër”.
E pra, Blerta, Zvicrën e vogël e ndihmon dhe kjo paketë. Se çfarë është Zvicra e madhja? Zvicra e madhe është një vend ku, përveç shumë gjërave të tjera, në këtë aspekt për të cilin ti i referohesh, pra malet, ka turizëm. Dhe nuk ka turizëm thjesht të njerëzve që marrin një shkop në dorë dhe vetëm ecin, po ka turizëm elitar të njerëzve që shkojnë atje dhe konsumojnë shumë para. Dhe prandaj fshatrat e Zvicrës janë aq të pasur, edhe për këtë arsye.
Dhe si bahet kjo Zvicra e vogël, sipas teje, Blerta? Kjo Zvicra e vogël, sipas meje, nuk e di sipas teje, bëhet pikërisht duke u dhënë mundësi njerëzve që janë në male që të investojnë në harmoni me natyrën dhe që të krijojnë mirëqenie, pa qenë të detyruar t’i braktisin ato male për të shkuar dhe për të punuar për të tjerët në Londër, apo në Athinë, apo në Mynih, ose në Tiranë, apo në Shkodër, apo në Kukës, në qytet.
Për t’u dhënë mundësinë shumë të rinjve që janë trashëgimtarë të atyre pronave në male që t’u kthehen maleve, jo për nostalgji, as për t’u bërë murgj, s’ka asgjë të keqe, se kam fjalën aty, por për të bërë ekonomi, për të fituar më shumë sesa fitojnë në qytet. Dhe kjo është e mundur dhe këtë e tregon historia e atyre që po e bëjnë këtë gjë. Këtë e tregon historia e atyre tek të cilët unë po shkoj sot, që jetojnë atje në Theth, që bëjnë sukses atje, që nga atje çojnë para për familjarët që i kanë në Itali.
Kjo është Zvicra e vogël, Blert, e cila kërkon kohën e vet, kërkon punën e vetë, po për të cilën sot nuk mund të më thotë dot njeri që është një propagandë, është një ëndërr e parealizueshme, është diçka jashtë realitetit, sepse, në ndërkohë, copëza të Zvicrës së vogël kanë filluar të lindin dhe të tregojnë se Zvicra e vogël do bahet, Blerta, në malet e Shqipërisë. Do bahet, po ta them me dialekt e maleve, do bahet se s’ban.
“Chestnut Hill”, në një pikë të fundit të hartës, në Tropojë, aty ku, siç thuhet...
“Emigrantët janë shtetas me të drejta të njëjta. Nuk e kuptoj arsyetimin e kësaj pakete”. Po çfarë nuk kupton ti? Kjo është një paketë për emigrantët. Si nuk e kupton ti? Pikërisht se janë me të drejta të njëjta, por nuk kanë mundësi të gëzojnë të drejtën e pronës së tyre sepse nuk kanë letrat dhe ligji 7501 nuk ua jep letrat. A e kupton këtë? Pse nuk e ndiqni arsyetimin? Pse me shpejtësi vraponi të thoni fjalën e fundit të parën, pse nuk i jepni vetes mundësinë të dëgjoni dhe pastaj të flisni. Pra duke u kthyer tek ajo që thashë, Çhestnut Hill është në një zonë ku siç thotë ajo fjala, jo “ha pula gurë”, po ha guri pulën dhe kujt do t'i shkonte ndërmend se mund të shkojë atje dhe të bëhej biznes dhe të bëhej sukses? E pra atje ka biznes, atje ka sukses. Pse? Pikërisht kështu si po them.
Dhe në ndërkohë kam edhe një mesazh tjetër për ata që më ndjekin dhe nuk janë këtu thjesht për t'u futur që të bëjnë sharjen e radhës. S'ka problem, sepse ato sharjet mua më bëhen vetëm shëndet dhe forcë, por janë problemi i atyre që i bëjnë, sepse si hyjnë këtu ashtu dhe dalin, hyjnë të painformuar, dalin të painformuar dhe vazhdojnë të keq informuar. Zgjedhje është edhe kjo. Por tjetra që do doja të përcillja është pikërisht super programi kombëtar i quajtur “dyfisho ndërmarrjen, sipërmarrjen tënde”. “Dyfisho sipërmarrjen tënde” është një super program i cili i vjen në ndihmë të gjithë atyre që e kanë një ndërmarrje të vogël ose të mesme, jo të madhe, të vogël ose të mesme. Një ndërmarrje të vogël ose të mesme që duan ta rrisin, që kanë ide, që kanë një plan, por nuk kanë financim. Të gjithë ata, e kanë derën e hapur në këtë super program, sepse do t'i financojë me kredi të butë dhe mbështetje, me garanci qeveria shqiptare, deri në 2 milion euro. 70% të kolateralit të garantuar, 10% periudhë lehtësuese. Pra, në bankat e nivelit të dytë mund të mund të adresoheni për të parë mundësinë e dyfishimit të ndërmarrjes suaj, të sipërmarrjes suaj.
Ndërkohë që, në faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit në ëebsite ka edhe një adresë ku mund të drejtoheni për të marrë më shumë shpjegime.
“Vetëm gënjen dhe mashtron popullin”, thotë ky Gazmor, tamam gazmor, Gazmor Shkëmbi! Edhe gazmor edhe shkëmb! Pra edhe koka shkëmb edhe “ha ha ha, hi, hi, hi”. Jo i dashuri jo, unë as nuk mashtroj as nuk gënjej. Unë punoj për ty, punoj për familjen tënde, punoj për të gjitha familjet shqiptare, sepse këtë detyrë më ka dhënë shumica e shqiptarëve dhe për mua flet puna, për mua flasin faktet, për mua nuk flasin fjalët e panumërta dhe për më tepër nuk flasin sharjet. Sharjet e urrejtësve besnikë për mua janë prova që jam duke bërë diçka që ja vlen. Kështu që keq për ty dhe keq për të gjithë ata që jetojnë duke sharë, duke përdorur fjalët më ekstreme, më të ulëta, sikur janë duke ndarë buzëqeshje dhe mirësjellje. Gjynah, shumë gjynah!
Ajo që unë di të them është që “Paketa e maleve” është gjëja që i ka munguar njerëzve që kanë të drejtë të gëzojnë pronën e tyre dhe ta kthejnë atë në një burim mirëqenie. Kjo është “Paketa e maleve” dhe këto janë argumentet dhe faktet. Zhurma, llafet dhe akuzat, shpifjet, sharjet vetëm mjegullojnë sytë e atyre që merren me to apo zhyten në to.
“Paketa e maleve” do të jetë një histori e madhe suksesi e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për të ba Zvicrën e vogël të Blertës. Ne po them përsëri me dialektin e maleve. Kështu që po shkoj për Theth aty ku realiteti i hedh poshtë të gjitha, të gjitha aguridhet dhe broçkullat që thuhen për mënyrën se si mund të zhvillohet ekonomia e maleve. Aty ku realiteti tregon se njerëzit që punojnë dhe fitojnë, në rastin më të mirë në raport me gjithë këto muhabete, kanale sociale, mund të bëhen viktima të sulmeve, siç u bënë, të sulmeve më agresive dhe më të ulëta mbi djersën e tyre, mbi sakrificat e tyre, mbi gjakun e tyre, mbi ato yjet e përshtypjeve të njerëzve që shkonin, shkojnë dhe do vazhdojnë të shkojnë, të trokasin në dyert e atyre ekonomive, të atyre realiteteve, të atyre agro-turizmave, të atyre bujtinave. Ato yje ndajnë Shqipërinë e dembel haneve që duan vetëm lekë dhe flasin vetëm për lekë dhe nuk lënë gjë pa thënë për të gjithë të tjerët që lekun e fitojnë me punë dhe që e kanë në majë të gojës fjalët më të ulëta dhe që shpifin e shajnë për këdo. Ato yje janë Shqipëria reale e punës. Ato yje janë Shqipëria që do bahet “Zvicra e vogël” atje nëpër male dhe ato yje u sulmuan, u shuan për pak ditë, por u kthyen përsëri dhe shkëlqejnë siç shkëlqejnë pikat e djersës të gjithë atyre njerëzve që merren me sipërmarrje në Shqipëri, të gjithë atyre njerëzve që krijojnë punë, të gjithë atyre njerëzve që japin punë, të gjithë atyre njerëzve që fitojnë me punë dhe që u bënë target. U bën target si shëmbëlltyra të një sistemi që disa sorra, disa korba duan ta kthejnë përmbys, por nuk kthehet përmbys më ky sistem.
Ky është sistemi i garës, ky është sistemi i punës, ky është sistemi i meritës. Natyrisht, këtu do ndalem sepse pastaj për çfarë unë kam reflektuar personalisht nga gjithë ajo që kemi parë, nga pasqyra e bulevardit të flamingove, është temë tjetër dhe do ta ndaj me të gjithë në ditët në vijim.
Por ai bulevard është shumë qartësisht i ndarë për mua të paktën sepse është i ndarë për historinë. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Ndërsa historia e sorrave dhe e korbave që e kanë marrë peng përfundimisht dhe e kanë kthyer në një në një shëmbëlltyrë simetrike, simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozitës që ta tani s'dihet më ku është, nuk ka asnjë lidhje me historinë e të ardhmes së Shqipërisë. Është vetëm e shkuara. E shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese, po të shohim historinë.
Ekstremet, ekstremet e majta dhe djathta që vijnë për të sjellë më të keqen për një vend, përmes sharlatanësh, përmes delirantësh, përmes injorantësh dhe përmes dështak - zemërakësh të pangushëllueshëm. Janë dy histori të ndara. Paketa e maleve është historia e të ardhmes. Investimet e mëdha janë historia e të ardhmes. Shqipëria që duhet ta çojë prodhimin e përgjithshëm kombëtar nga 27 miliardë dhe kemi pasur më pak se 10 miliardë kur kemi nisur këtë detyrë, në 35 miliardë brenda këtij 10 vjeçari deri në 2030 është historia e të ardhmes. Këta që bërtasin për një Shqipëri që u dashka të jetë vetëm e shqiptarëve, për një Shqipëri kur nuk duhet të ketë të huaj janë më e keqja që mund t'i ndodhi këtij vendi.
Kaq keq Shqipërisë nuk ja kanë bërë as të tjerët që u tretën nga bulevardi dhe janë mbyllur atje në kuvlitë e Kuvendit dhe vazhdojnë ulërasin sepse janë të mbaruar. Gjithsesi do t'ju informoj në vijim për shumëçka, por edhe njëherë shumë respekt për flamengot që më kanë mësuar shumë edhe më kanë bërë të mendoj thellë dhe vetëm refuzim dhe madje, madje përveç refuzimit edhe neveri për ata që janë sorrat dhe korbat e mbledhur të këtij vendi dhe që ulërijnë, që shajnë, që këndojnë vulgaritete në kor dhe iu duket se po ndryshojnë botën. Asgjë nuk ndryshojnë ata dhe asnjë shans nuk do kenë këtu në Shqipëri.
Ja dhe Rajmonda Kamberi. Rajmonda Kamberi “mashtrues je” thotë. Po pse moj Rajmonda? Për çfarë? Për çfarë? Për Shqipërinë që sot nuk ka të krahasuar me Shqipërinë që ishte kur unë mora detyrën, për atë jam mashtrues? Ja dhe një tjetër, qenka dhe adashi im ky Edi Uka.
Nejse, ju përshëndes të gjithëve se edhe ju shqiptarë jeni. Keni humbur rrugën, por ne nuk ndryshojmë rrugë për rrugën tuaj të humbur, por do bëjmë çmos t'ju marrim të gjithëve në rrugën tonë!

Që prej vitit 2025 e deri më tani, qeveria ka marrë dhjetra vendime që lidhen më “Paketën e Maleve” duke shpallur zona me përparësi në të paktën 49 bashki të vendit, nga veriu në jug. Gjatë vitit 2025 janë marrë 10 vendime, ndërsa pjesa tjetër përgjatë gjysmës së parë të këtij viti. Vendimi i fundit rezulton të jetë marrë në 30 qershor, ku janë përcaktuar 20 zona me përparësi për zhvillim ekonomik, në Bashkinë e Mallakastrës.
Vendime të marra në vitin 2025 për bashkitë:
Skrapar
Përmet
Belsh
Kukës
Elbasan
Shkodër
Mat
Vau i Dejës
Klos
Shijak
Vendime të marra në vitin 2026 për bashkitë:
Dibër
Memaliaj
Tepelenë
Maliq
Vorë
Krujë
Lushnje
Cërrik
Poliçan
Këlcyrë
Kuçovë
Gramsh
Tropojë
Sarandë
Lezhë
Pukë
Bulqizë
Mirditë
Rrogozhinë
Kavajë
Librazhd
Himarë
Dimal
Durrës
Berat
Vlorë
Selenicë
Dropull
Kurbin
Kamzë
Delvinë
Konispol
Pogradec
Fier
Gjirokastër
Patos
Malësi e Madhe
Kolonjë
Devoll
Mallakastër
Kryeministri Edi Rama thotë se protesta është marrë peng nga korba e sorra që e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e opozitës. Rama tha se “pas pak ditësh do t'u informoj për reflektimet pas protestës së flamengove”.
“Ai bulevard është i ndarë për histori. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Historia e sorrave dhe korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozitës që tani nuk dihet më ku është, nuk ka asnjë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë. Është vetëm e shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese, po të shohim historinë. Ekstremet e majta dhe të djathta që vijnë për të sjellë më të keqen për një vend, përmes injorantësh, delirantësh dhe dështakzemërakësh të pangushëllueshëm”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në një komunikim live në Favebook iu përgjigj një komentuesi që e akuzoi se mashtron dhe gënjen. Rama i tha se për të flet puna dhe faktet, ndërsa referuar Paketës Maleve theksoi se do jetë një histori suksesi për të bërë Zvicrën e Vogël.
Gazmor Skëmbi: Vetëm gënjen dhe mashtron.
Edi Rama: Tamam Gazmor, edhe Gazmor edhe Shkëmb. Unë ns nuk mashtroj, as nuk gënjej, punoj për ty për familjen tendë, sepse këtë detyrë më ka dhënë shumica e shqiptarëve. Për mua flet puna, faktet, për më tepër nuk flasin sharjet. Sharjet e urrejtësve besnikë, për mua janë prova që jam duke bërë diçka që ia vlen. Keq për ty dhe ata që jetojnë duke sharë dhe përdorur fjalët me ekstreme më të ulëta, sikur janë duke ndarë buzëqeshje dhe mirësjellje. Ajo që di të them është që Paketa e Maleve është gjëja që i ka munguar njerëzve, që kanë të drejtë të gëzojnë pronën e tyre dhe ta kthejnë në burim mirëqenie. Zhurma, akuzat, shpifjet sharjet vetëm mjegullojnë sytë e atyre që merren me to. Paketa e maleve do jetë histori e madhe e shqiptarëve, për të ba Zvicrën e vogël.
Komente









