Dhoma Amerikane e Tregtisë është  shprehur e shqetësuar për Paketën e re Fiskale të propozuar nga qeveria. Në një letër e firmosur nga Presidenti i Dhomës, drejtuar Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvend, Eduard Shalsit, për dijeni të ministres Ibrahimaj, Dhoma Amerikane thotë se një pjesë e madhe e bizneseve anëtare, kanë reaguar me shqetësim, në lidhje me këto projektligje dhe koha e vënë në dispozicion të Dhomës Amerikane nuk ka qenë e mjaftueshme që grupet tona teknike të zhvillojnë një analizë të plotë për të prodhuar komente të detajuara për draftin.

"Thyerja e angazhimit publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet. Pasi komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm, mbi ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet, si dhe në përshtatje me praktikat më të mira botërore, zyrtarë të lartë duke përfshirë Ministrin e Financave, Kryeministrin, etj., janë angazhuar publikisht për ndryshime më pak frekuente të ligjit, njëherë në çdo 4-vjeçar. Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike. Shkelja e Përsëritur e Afateve të Ligjit mbi Konsultimin Publik. Dhoma Amerikane vëren e zhgënjyer se u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave mbi paketën fiskale 2022, pasi ato ishin miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishin depozituar pranë Kuvendit. Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projektligjin/et e propozuar", nënvizon AmCham.

Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjeve, nëpërmjet zbatimit te ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, duke i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij. Në vijim, Dhoma Amerikane shpreh bindjen se projektligjet kanë nevojë për përmirësim, i cili do të mundësohej pas reflektimit të rekomandimeve të komunitetit të biznesit. Një pjesë e problematikës është e bashkëngjitur.

Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të Ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit.

"Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë. Kjo ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte", përfundon letra.

Kujtojmë se ministrja e Financave në prezantimin e Paketës Fiskale ka nënvizuar se qëllimi kryesor është konsolidimi i financave publike, rritja e të hyrave të buxhetit dhe ulja graduale e defiçitit buxhetor dhe borxhit publik në vijim.

Dy janë shtylla ku mbështeten këto objektiva: Rishikimi i politikave tatimore, duke korrigjuar përjashtimet dhe tarifat joefektive, si dhe përmirësimi i administrimit tatimor dhe doganor, duke pasur një sistem të lehtë për tu zbatuar nga tatimpaguesit.

(Kliko këtu për të lexuar Leteren Dhomes Amerikane te tregtise)