‘Pakti për Universitetin’/ Ministrat marrin në patronazh fakultetet, Rama-rektorëve: Mos të vijë dita që t’i bashkohem studentëve

TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij, 8 prej tyre të betuar ditën e djeshme, kanë prezantuar “Paktin për Universitetin” (LEXO KËTU). Përveç ministrave të përfshirë në grupin e punës për finalizimin e draftit janë edhe rektorë, dekanë, pedagogë madje dhe studentë.

“Pakti për Universitetin” është finalizuar në një draft dokument prej 30 faqesh, ku disa nga pikat kryesore janë: përgjysmim i tarifave; 90 mijë studentë trajtohen me pakon financiare; qeveria nuk do të mbulojë shpenzimet e një shkolle të dytë. Ky dokument pritet që të zgjidhë përfundimisht problematikat dhe të plotësohë kërkesat e studentëve.

Fjalën e para e ka marrë ministrja e sapoemëruar e Arsimit, Besa Shahini, e cila theksoi se është punuar prej 6 javësh për një draft fillestar të Paktit për Universitetin nga ministrat e shkarkuar dhe nga ministrat e rinj. Pas saj fjalën e morën ministrat e kabinetit qeverisës, të cilët bënë me dije se ministritë kanë marrë në “patronazh” nga një fakultet përkatës për të bashkëpunuar.

Më tej, kryebashkiaku Erion Veliaj i ka bërë thirrje studentëve që të mos vijojnë me ngujimin pasi do të pengojnë me rikonstruksionin e konvikteve gjatë verës. (LEXO KËTU) Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me tone të ashpra pedagogëve, rektorëve dhe dekanëbe, të cilëve iu ka kërkuar që të marrin përsipër përgjegjësitë që iu ka kaluar Ligji për Arsimin e Lartë ndryshe ai vetë do ti bashkohej studentëve. (LEXO KËTU)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:14
Rama publikon 'Paktin për Universitetin'/ Ja çfarë përfitojnë studentët (Dokumenti 30 faqësh)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale "Paktin për Universitetin" të ofruar nga qeveria si zgjidhje për kërkesat e studentëve. “Drafti i PAKTIT PER UNIVERSITETIN u prezantua sot nga ministrja Besa Shahini, si një ftesë për një diskutim gjithëpërfshirës, me pedagogë, studentë e drejtues të Universitetit”.

Ora 13:12
Balluku: Hapim dyert për studentët e inxhinierisë në Ministrinë e Transporteve

Në takimin e posaçëm të prezantimit të paktit, Ministrja e Arsimit Besa Shahini theksoi se është punuar prej 6 javësh për një draft fillestar të Paktit për Universitetin, i cili është një pikënisje që zgjidhja të ndërtohet mbi një dialog. Një nga mënyrat që pritet të fuqizojë universitetet, duke ndihmuar në adresimin e problematikave, është forcimi i lidhjes mes institucioneve shtetërore dhe fakulteteve respektive. Për këtë, çdo ministri do të marrë në patronazhim një fakultet, për të bashkëpunuar jo vetëm për zgjidhjen e problematikave por edhe për të integruar studentët në fushën për të cilën ata kanë studiuar. Në nga ministritë që do të jenë partnerët e univeristetit është edhe Ministria e Transporteve dhe Energjise. Ministrja Belinda Balluku përmendi problematikat që ajo ka marrë përsipër të adresojë për fakultetin e inxhinierisë dhe arkitekturës.

“Para se të merrja detyrën, bashkë me Gjiknurin kam qënë në fakultetin e inxhinierisë dhe të urbanistikës. Kemi identifikuar problematikat specifike për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt. Problemi kryesor është ai i sipërfaqeve të munguara sa i përket numrit të studentëve. Po punojmë bashkë me Elva Margaritin si mund të zgjidhet sepse ka mundësi që në një godinë pas fakultetit, mund të jetë një ndërtesë multimodale. Aty është parashikuar që të ketë edhe disa nga zyrat e arkitekturës që do zhvillojnë zyrat e tyre, të cilat mund t’i japin hapësirë universitetit dhe të jetë një lloj laboratori për praktikat”, tha Balluku.

Balluku shtoi se Ministria e Industrisë dhe Energjitikës, ka marrë përsipër me numra të saktë për të realizuar praktikat e studentëve.

“Ministria ka marrë në patronazh që të përmirësojmë financat e universitetit përmes bashkëpunimit me Ministrinë. Kjo mund të bëhet përmes kërkimeve studimore, konsulencës që fakulteti mund të na ofrojë dhe gjithçka që ju mund të prodhoni në shërbim të Ministrisë”, deklaroi Ministrja.

Ora 12:58
Ministri Blendi Çuçi: 50 vende pune për studentët nga Universiteti Bujqësor

”Në ditët e para të janarit kemi biseduar me gjithë stafin e Universitetit Bujqësor dhe kemi bërë një projekt partneriteti i cili është bazuar në 3 shtylla kryesore. E para është punësimi i gjithë studentëve që mbarojnë universitetin, e dyta është financimi i universitetit nëpërmjet mekanizmave që do krijojmë në ministri dhe e treta është kërkimi shkencor”. Kështu deklaroi sot Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi gjatë prezantimit të Paktit për Universitetin, një takim i organizuar me ministrat e përfshirë në grupin e punës, rektorë, dekanë, pedagogë dhe studentë.

”Në lidhje me punësimin kemi rënë dakord që jo vetëm praktikat mësimore që të gjitha agjencitë e varësisë së ministrisë po ashtu dhe aparati ministrisë është i gatshëm që të pranoj studentët e Universitetit Bujqësor por edhe praktikat profesionale mbas përfundimit të studimeve, të gjitha agjencitë do të vendosen në dispozicion të studentëve ekselentë për praktikat profesionale. Janë 50 vende të lira për 50 student që mbarojnë ekselentë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës”, tha Çuçi.

Ai shtoi se, ”përsa i përket financimit po krijojmë atë që ne e quajmë ”fondi i përgjegjësisë sociale” dhe nëpërmjet këtij fondi ne do ndihmojmë me infrastrukturë dhe pajisje Universitetin Bujqësor.Kemi rënë dakord në terma të përgjithshëm që do financojmë kryesisht atë që universiteti e ka shumë të shenjtë që është ferma e universitetit që janë 130 hektarë që Universiteti Bujqësor i ka në dispozicion dhe ne do kontribuojmë drejtpërdrejt në infrastrukturë që atë ta kthejmë në një nga fermat më moderne në Shqipëri”.

”Gjithashtu përsa i përket financimit kemi rënë dakort që ekspertizën e Universitetit Bujqësor ne ta përdorim gjatë kërkesave që ne do kemi për marrje ekspertize në projekte të ndryshme qoftë me donator, qoftë me financim të buxhetit të shtetit. Është një dokument që po definohet, jemi duke u marr me detajet e fundit dhe shpresoj që shumë shpejt do ta konkretizojmë në një marrëveshje midis ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Universiteti Bujqësor të Tiranës”, përfundoi Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi./lexo.al

Ora 12:51
Protesta/ Rama-studentes: Mos e bëni më atë pyetjen pse duhet të çoheshim ne?

Pyetjes se një studenteje se kush do të merret me zbulimin e plagjaturave, kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo është çështje e Universiteteve, që sipas Ligjit për Arsimin e Lartë do të marrin përgjegjësitë e tyre. Më tej, Rama i ka kthyer përgjigje edhe pyetjes se përse duhet që të ngriheshin studentët në mënyrë që të plotësoheshin kushtet.

“Zemër padija nuk është argument. Informohu dhe pastaj flit. Kjo është çështje e Universiteteve. Do ta bëjnë Universitetet. Se si kjo mbetet për t’u parë? Të gjithë të marrë përgjegjësinë e tij, nëse ato që janë shkruar në Pakt iu duken të pamjaftueshme dilni dhe thoni jo. Mos e bëni më atë pyetjen pse duhet të çoheshim ne? Ça do bënit ju? A ka gjë më të bukur që në moshën tuaj të çohesh në vend që të rrish shtrirë apo ulur në kafene?,”- e mbylli Rama.

Ora 12:50
Grupi i ngujuar/ Rama: Kërkesat nuk janë skedina, ministrja do t’i takojë studentët

Kryeministri Edi Rama gjatë diskutimit me studentët u shpreh sot se ministrja e re e Arsimit do të shkojë që të takojë grupin që është ngujuar. Ai theksoi se kërkesat nuk janë skedina, apo pica që priten në ngujim, por pika që do të përmbushen sipas afateve.

Debati me një nga studentët
Studentja:
Kur u mor ftesa u bënë shumë diskutime dhe po shikoja të faqet e studentëve në rrjetet sociale, ishin kundër, pasi dukej se ne po vijmë këtu që protesta të ndalet dhe ne do të shkojmë në shkollë. Unë nuk e kam këtë mendim, sa hymë që te dera na thanë se nuk ka vende...

Ministrja e Arsimit: Më vjen keq që je ulur në shkallë, por interesimi ishte më i madh pasi e kishim parashikuar. Mos e ndalni protestën, por mësimi të vijojë. Të gjejmë zgjidhjen më të mirë për arsimin e lartë.

Studentja: Ne nuk kemi diçka të sigurt, pasi jemi në vit të tretë dhe nuk e dimë se cfarë na pret

Kryeministri Edi Rama: Zemra ime, kur në moshën tënde, studentët kanë dalë për të përmbysur regjimin bashkë me popullin bënë një zgjedhje të qartë, që të mos kemi asgjë të sigurt, por të luftojmë të gjithë bashkë që e ardhmja të jetë sa më e sigurt. Nuk ka gjëra të sigurt në sistemin që kemi zgjedhur, por konkurrencë dhe meritë. Kemi zgjedhur të jetojmë në demokraci. Këtë pyetje e kemi zgjidhur në vitin 1990. Kemi zgjedhur një sistem që prezumtohet se kush qeveris nuk i di të gjitha, deri në 1990 shteti i dinte të gjitha dhe njerëzit nuk kishin pyetje. Ndërsa sistemi që kemi zgjedhur është i pyetje. Kështu në këtë sistem ti je po kaq e rëndësishme sa unë. Nuk do të biem dakord për të gjithë, diku do të biem dhe diku jo.

Ministrja do të shkojë të takojë edhe ata që janë të ngujuar. Unë nuk jam nga ata të ngujimit, por do të vij në cdo universitet. I ftoj të gjithë të marrin dokumentin, të shtojnë të heqin dhe në fund të bëjmë një pakt angazhimet, jo problem elektoral. Ne duam të forcojmë autonominë e universitetit. Cfarë po presin në ngujim? Skedina janë këto kërkesat?! Ato do të përmbushen sipas afateve dhe me punë, nuk janë as pica që priten në ngujim, por punë dhe të gjithë do të bëhen pikë për pikë. Do i bëjmë se janë të drejta, jo se po i kërkoni ju në ngujime

Ora 12:33
‘Caktoni çdo bëhet me plagjaturat’, Rama paralajmëron rektorët dhe dekanët: Mos të vijë dita që t’i bashkohem studentëve

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në prezantimin e ‘Paktit të Universitetit’ i është drejtuar me gjuhë të ashpër pedagogëve, rektorëve dhe dekanëve të pranishëm në sallë. Rama i kërkoi që të përcaktojnë se çfarë duan të bëjnë me dokumentet e plagjatuara, ndryshe ai do t’i bashkohet studentëve.

Qeveria është përqëndruar me të gjithë kapacitetin e saj për të  ndihmuar studentët. Shumë nga ju duhet ta thoni qartë çfarë doni të bëni ju me plagjaturat. Nuk e lini dot si një top mes jush dhe qeverisë. Qeveria po dëgjon ato që duhet t’i kishit dëgjuar ju gjithë këto vite. Ligji për Arsimin e lartë iu bën përgjegjës ju, dhe këto përgjegjësi po i merr përsipër qeveria. E marrim përsipër sepse janë fëmijët tanë dhe nuk i lejojmë që të bëhen top ping-pongu. Ju kërkoni liri por nuk doni të merrni përgjegjësi. Ne e dimë se çfarë duan studentët dhe do t’i bëjmë një për një. Mos të vijë dita që unë të bashkohem me studentët… Do mbarojë historia me doktorët e shkencave që vetëm me shkencat nuk kanë lidhje? Studentët e bënë të tyren, e ngritën zërin, ne i dëgjuam. Nuk e di sa kanë dëgjuar universitetet, nuk dua të flas, kjo shfaqje me shumë fytyra duhet të mbarojë një orë e më parë. Presione me qeverinë nuk ka, duke u fshehur, duke mos shkuar në mësim. Parimisht duam apo s’duam. Duam? Okej, tani bëni propozimet. Qeveria nuk ka punë të bëjë vetting akademik. Me ligjin e arsimit të lartë duhet ta kishit bërë. Nuk duam polemika dhe asnjë konflikt. Për budalla njeri mua nuk më bën dot. Kaq!,”- tha Rama.

Ora 12:16
Studentja tregon arsyen pse janë të ngujuar, Veliaj bëhet nostaligjik: Kur protestoja unë...

Një studente ka treguar arsyen se përse janë ngujuar në universitete.

“Unë dhe studentët e tjerë, rrimë në fakultet sepse nuk iu besojmë. Pse t’ju besojmë kur keni vite që e kemi premtuar Kartën e Studentit dhe nuk e kemi bërë?

Për t’i kthyer përgjigje doli kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili u tregua i gatshëm që Bashkia të marrë kompetencat e nxjerrjes së Kartave të Studentit.

“Ka vetëm një gjë: të dish ku është sensi i masës. Është luks protesta juaj, kur protestoja unë me “Mjaft-in” ishte luks të flisja me kryeministrin. Po punojmë në kohë rekord dhe po rikonstruktojmë konviktet. Karta e Studentit është kërkesë e kurdoherëshme. Në momentin që unë u bëra kryetar bashkie, kompetenca i kaloi universiteteve. Mos e dysho aftësinë timë për të prodhuar karta. Në momentin që universitet kërkojnë ndihmë nga Bashkia, e bëjmë me shumë lehtësi,”- tha Veliaj. 

Ora 12:04
‘Të jemi të vërtetë dhe t’i çojmë deri në fund punët’, apeli i aktorit Caushi, ministrja e Kulturës tregon rastin e ndërprerjes së fondeve

Gjatë diskutimeve në prezantimin  e ‘Paktit për Universitetit’, fjalën e mori edhe aktori i njohur dhe njëkohësisht pedagogu i Universitetit të Arteve, Kastriot Caushi, i cili shprehu shqetësimet e tij.

“Sot jo vetëm si përfaqësues i Arteve është iniciativë e mirë që një përfaqësues i qeverisë edhe dhe diskutoi me ne. më vjen mirë që është ngritur një grup pune. Dhe do të doja shumë që këto grupe pune të jenë vetëm fillimi. Problemet nuk zgjidhen menjëherë por sa më seriozë dhe të organizuar është më mirë për ne. Të jemi të vërtetë dhe t’i çojmë deri në fund punët,”- tha Caushi.

Menjëherë pas fjalës së tij, ministrja e Kulturës, Elva Margariti tregoi edhe rastin kur e sapoardhur në detyrë ndaloi një fond të shkonte për restaurim tek Muzeu Kombëtar. Margariti tha se fondi shkoi për restaurimin e disa sallave tek Akademia e Arteve. 

“Është një nga detyrat që I kam marrë vetë përsipër. Mora vesh që kishte një kontratë për në fond që do të shkonte për restaurimin e Muzeut Kombëtar. E ndalova. Ai fond do të shkojë në restaruimin e sallave tek Akademia e Arteve.”

Ora 11:48
‘Pakti’/ Ministrja e Arsimit, Shahini: Do të përmbushen edhe kushte të pakërkuara

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini u shpreh se në dokumentin përfundimtar të Paktit për Universitetet, do të përmbushen edhe një numër kushtesh të tjera të pakërkuara.

Përsa i përket pagesave, plotësohet kërkesa bazë për reduktimin e tarifave të shkollimit me 50% për të gjithë studentët, pa përjashtim. Jane mbi 90 mije studente qe perfitojne nga VKM per tarifat. Studentët që vijnë nga shkollat e mesme me mesatare mbi 9, si dhe të gjithë ata që mbajnë këtë mesatare gjatë ciklit bachelor, do të përfitojnë arsim tërësisht falas. Megjithatë, qeveria ka zgjeruar skemën e përfituesve të arsimit falas edhe me tetë kategori të tjera shtesë, diçka që nuk ishte kërkuar nga ana e studentëve.

Duke nisur nga ky vit akademik, studentët me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor, nuk do të paguajnë më pavarësisht mesatares së tyre. Njëkohësisht, çlirohen nga detyrimi i pagesës të gjithë studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme. Kategori të tjera përfituese do të jenë jetimët, deri në moshën 25-vjeçare, ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate, ata të cilët identifikohen si viktima të trafikut të qënieve njerëzore apo studentët romë dhe ballkano-egjiptianë. Dy kategori të tjera përfituese do të jenë të gjithë fëmijët e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë të sistemit komunist apo fëmijët e punonkjësve të Policisë së Shtetit, Gardës, zjarrëfikësave, SHISH-it apo Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye të detyrës.Për të gjitha këto kategori, lehtësirat do të shtrihen edhe në ciklin e dytë të studimeve. Për programet master, të gjitha kategoritë e lartpërmendura do të paguajnë vetëm 50% të tarifës. E njëjta lehtësi parashikohet edhe për të gjithë ata studentë, të cilët ciklin bachelor do ta mbyllin me një mesatare 9 ose më të lartë./ lexo.al

Ora 11:44
Veliaj në prezantimin e ‘Paktit për Universitetin’: Bllokimi i fakulteteve i prish punë konviktorëve

Në prezantimin e “Paktit të Universitetit” fjalën e ka marrë edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai i kërkoi studentëve që të vijojnë mësimin pasi do të pengojnë më pas punën për rikonstruksionin e konvikteve, që pritet të nisë më korrik.

“Çdo ditë kemi filluar punën për një konvikt të ri. Në të shkuarën Qytet Studenti ka qënë i mbushur me baste dhe me klube striptizmi. Nëse universitetet do të vijojnë të mbahen të bllokuar do të vuajnë studentët e rretheve dhe konviktorët. Sepse nuk do të mund të rikonstruktohen dhomat e konvikteve. Kemi një plan që rikonstruktimi të fillojë në korrik. Tashmë e kemi rikonstruktuar një konvikt por na duhen dhomat e lira për të vijuar punën gjatë muajve gusht-shtator,”- tha Veliaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Përpjekjet e Turqisë për të fituar një rol më të madh ndërmjetës më 2025

Përpjekjet e Turqisë për të fituar një rol më të madh ndërmjetës më 2025