TIRANE - Demokratët nuk të pranojnë asnjë iniciativë që sipas tyre cenon lirinë e shprehjes. Duke iu referuar propozimit të qeverisë për kriminalizmin e shpifjes si vepër penale, drejtues të opozitës në unison janë shprehur kategorikisht kundër.

Kryetari i PD Lulzim Basha e konsideron këtë një përpjekje të kryeministrit për tw burgosur gazetarët që nxjerrin në dritë skandalet e qeverisë. 

Paloka: Kush e ndalon politikanin të hedhë në gjyq gazetarin, Rama?
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka tha se deklarata e Ramës që "kriminalizimi i shpifjes nuk përfshin gazetarët", nuk "pi ujë". Duke qenë se neni nuk e ka të specifikuar se kush dënohet për shpifjet ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë, atëherë askush nuk mund ta ndalojë politikanin - thotë Paloka- që të hedhë në gjyq gazetarin. Megjithatë, Paloka shprehu besimin se ndërkombëtarët do të ndërhyjnë për të mos e lejuar ndryshimin e nenit.

"Ju të parët duhet të ishit në protestë (duke ju drejtuar gazetarëve), të dalë kryeministri dhe të deklarojë që do të rikthejë nenet e agjitacion propagandës ky është fundi. Sqarimet e Ramës për gazetarët? Kush do i ndalojë nesër politikanët që të hedhin në gjyq gazetarët, do i ndalojë Rama? Nëse neni ndryshohet, politikani mund ta bëjë këtë. Mos të harrojmë që ky është një nen që është hequr me kërkesën e fortë të Këshillit të Evropës dhe është ngritur një grup deputetësh në atë kohë të PD-së dhe PS-së që përgatitën dhe miratuan ligjin për të dekriminalizuar shpifjen. Rama do bëjë lojën që këta që janë kundër këtij neni duan të shpifin, në fakt Rama do kishte përfunduar me kohë në burg për shpifjet që bën. Ky është fundi i tij, edhe Ramiz Alia para se t'i vinte ngordhja e regjimit nxori një ligj për të mbrojtur byronë por kjo nuk e pengoi fundin. Nuk besoj se kjo do të kalojë është komuniteti që do të ndërhyjë. Sa për opozitën nuk na e ka mbyllur dot gojën as shoku Enver, as babai i Edi Ramës", tha Paloka.

Bylykbashi: Nëse Rama miraton këtë ligj,zhduket çdo zë opozitar.
Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi duke folur për gazetarët përpara godinës së Parlamentit, tha se projektligji për shpifjen i propozuar nga Kryeministri ka një synim që shkon më tej. Bylykbashi shpjegoi që nëse ky pr/ligj do të kalojë në Parlament, nuk burgos vetëm gazetarët, por dënon edhe deputetët e opozitës. Pra, nëse një deputet dënohet me gjobë për shpifje, siç ishte rasti i Edi Palokës, atëherë kjo do të jetë vepër penale me ligjin e ri dhe automatikisht deputeti do të humbasë mandatin e tij.

“Më shqetësuese është që nëpërmjet këtij ndryshimi, do përdorin ligjin për dekriminalizimin. Nëse Rama do të kalojë në Parlament këtë ligj, mjafton që një deputet i opozitës të dënohet me një gjobë të thejshtë, atëherë deputeti i opozitës humbet mandatin. Fakti që Qeveria solli në mënyrë të fshehtë në Parlament, është një rikthim në një censurë që e hoqi mazhoranca e PD tre vite më parë. Duan të godasin çdo lloj zëri që godet Qeverinë. Dispozita nuk është keqkuptim, por godet drejtpërdrejt këdo që akuzon Qeverinë”, tha Bylykbashi.

Pollo: Rama të zbythet nga kriminalizimi i shpifjes, s'bëjmë pas
Kreu i komisionit parlamentar të Medias, deputeti demokrat Genc Pollo ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj propozimit të qeverisë për të kriminalizuar shpifjen ndaj funksionarëve të shtetit dhe dënimin e sja deri në tre vjet burg. Sipas tij, ky veprim është një hap mbrapa në demokracinë e vendin që Shqipëria nuk duhet ta ndërmarrë.

"Edi Rama të zbythet nga kriminalizimi i shpifjes, është një hap mbrapa që Shqipëria nuk duhet ta bëjë as për qejfin e Edi Ramës aspo për qejfin e ndonjë politikani tjetër", - tha deputeti i Partisë Demokratike në një prononcim për gazetarët para nisjes së seancës së sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë.