TIRANE, 10 Mars/ATSH/- Kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, deklaroi sot se shqiptarët do të bashkohen më shumë se kurrë të enjten, për të nisur aksionin e çlirimit të politikës, parlamentit dhe vendit nga sundimi i krimit.
Duke paralajmëruar protestën e opozitës me 12 mars në orën 11 në Sheshin Skenderbej, Paloka tha në një deklaratë për mediat nga selia blu se "shqiptarët presin vetëm një fjalë nga Ilir Meta; të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë".
Shqiptarët presin vetëm një fjalë nga Ilir Meta; të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë. Situata është shumë e rëndë, dhe ka vënë në provë themelet e ekzistencës së shtetit, ndërsa Ilir Meta vazhdon të fshihet, vazhdon të rrijë i lidhur me çdo kusht pas karriges.
"Numërimi mbrapsht ka nisur. Të enjten, shqiptarët më të bashkuar se kurrë, do të nisin aksionin për ta çliruar politikën, parlamentin dhe vendin nga sundimi i krimit. Nuk do të ndalemi derisa e drejta të triumfojë. Të gjithë të bashkuar, me 12 mars në orën 11 në Sheshin Skenderbej", deklaroi Paloka./a.g/










