Panairi veror kthen rrugët e
Vlorës në ‘librari’ pas 4 vjetësh

Panairi veror kthen rrugët e<br />Vlorës në ‘librari’ pas 4 vjetësh
Rrugët e Vlorës, për një javë  mund të themi se janë kthyer në librari. Një panair i vogël veror në qendrën e qytetit bregdetar mblidhte pranë stendave të shtëpive botuese, lexues të huaj dhe shqiptarë.

Ky panair zhvillohet çdo vit, në pjesën më të madhe të qyteteve në Shqipëri, për një periudhë shtatë ditore gjatë verës.  Megjithatë, në Vlorë tradita e ‘panairit veror të librit’ rikthehej pas 4 vjetësh, dhe kjo falë organizatorit të sivjetshëm, Alfred Cako, përkthyes, botues dhe ish deputet i Partisë Demokratike. I pyetur pse pikërisht pas katër vjetësh, ai shprehet se pengesë është bërë mundësia ekonomike.

Ndaj, këtë verë Cako ka zgjedhur më pak shtëpi botuese, të cilat kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e panairit por që sjellin më shumë shitje. Më pas kanë bërë kërkesën në bashki për hapësirën ku po zhvillohet panairi, dhe u aprovua me mirëkuptimin ‘duke qenë se është në të mirë të komunitetit, nuk paguan taksat për zënien e hapësirës publike’. Ndërsa, gjithë shpenzimet e tjera për akomodimin apo ushqimin, pjesëmarrësit i paguajnë vetë.

Gatishmëria e botuesve për libradashësit
Në stendat e 10 shtëpive botuese pjesëmarrëse, qëndronin punonjësit ose vetë botuesit, me buzëqeshjen në fytyrë dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur kureshtjes apo të gjitha paqartësive të kalimtarëve ndaj librave. Në njërën prej shtëpive botuese, gruaja që qëndronte aty tregon për Shqiptarja.com: “Unë jam shitëse, përkthyese, botuese...jam edhe mama(qesh).

Megjithatë e gjej kohën për të bërë atë që dua. Dhe ja vlen”. Ndërsa Endri Mërtiri, një punonjës i shtëpisë botuese “UET press, për të gjithë pyetjet mbi librat ka një përgjigje, pasi shprehet se i ka lexuar të gjithë. Ndër të tjera, ajo që tregon përfaqësuesi i shtëpisë botuese ‘Fan Noli’ është mjaft interesante. “Unë kam punuar tek Fan Noli që kur është hapur. Dhe atëherë kishte një interes të madh nga studentët.

Mbaj mend që si fillim punoja shitës ambulantë, shisja librat me biçikletë ku është sot Kuvendi, dhe radha e studentëve ishte e madhe, madje kur më mbaronin librat, ata prisnin aty gati 2 orë deri sa të sillja të tjerat, sepse aq më zgjaste koha për të shkuar që t’i merrja. Lexonin Frojdin, Kamyn, po lexonin. Ndërsa sot..”, tregon për shqiptarja.com me një mbrojtje dhe dashuri për librat, që rrallë e sheh tek tjetërkush. Panairit i ishte bashkuar edhe Arben Kondi, gazetari dhe shkrimtari,si dhe përfaqësues i Camërisë. Kondi shfaqte një veti shumë fisnike karshi lexuesve, bënte kompromis me çmimet e vendosura për libra; “rëndësi ka dëshira për të lexuar, përpos mundësive”, u shpreh ai, duke shtuar se është ndër ato shtëpi botuese që nuk  bëjnë shumë zhurmë.

Ish deputeti Cako, përkthyes i librave non fiction 
Veç organizimit të panairit veror të librit në Vlorë, dhe jo vetëm, ish deputeti demokrat Alfred Cako, përfaqëson shtëpinë botuese “Helga’s Secrets”, si dhe është përkthyes i librave non fiction. “Unë jam i pasionuar në këtë fushë prej më shumë se 15 vjetësh dhe gjithashtu, njoh edhe shumë të tjerë që po edukohen me këtë frymë, por sërish mbetet kultura shqiptare ajo që lexon letërsinë e lehtë, romancat. Në perëndim njerëzit lexojnë 70%  libra non fiction, këtu vetëm 30%. Por me kohën besoj se do të ndryshojnë gjërat”, tregon për Shqiptarja.com, Alfred Cako.

I pyetur për largimin nga politika, Cako shprehet se nuk është penduar, por aq ishte rruga e tij në këtë fushë dhe tani është i fokusuar tek politika e shtëpisë së tij botuese. Librat që i shkojnë për shtat politikes botuese të "Helga's Secrets" lidhen me filozofinë, misterin,  psikologjinë, diplomacinë, etj.  Megjithatë, e konsideron politikën të rëndësishme, si shtyllë për edukimin e njerëzimit. Ndër të tjera, Cako ka një raport shumë të mirë me qenin e tij, dogo argjentinas, Pekon, i cili e shoqëron ngado me vete, edhe gjatë këtij panairi. Për Cakon, qeni i tij është mbrojtësi më i mirë, dhe jo vetëm, mbi të gjitha mik i mirë.
 
Vlora, qyteti me qendër informimi për turistët
Një qendër informimi ndodhet në qendër të Vlorës në ndihmë të turistëve, për të promovuar vlerat turistike të zonës. Turistët marrin këtu informacione për pika të ndryshme bregdetare, si dhe për çdo pikëpyetje në lidhje me Vlorën. Përveç tyre, punonjësit e qendrës të informimit turistik në Vlorë, përqendrohen edhe tek qendrat e tjera turistike. Qendra e informimit mundëson edhe guida të ndryshme dhe harta për turistët. Përveç Vlorës, një qendër informimi turistike ndodhet edhe në Shkodër, e cila ka të njëjtin funksion vetëm se promovon vlerat turistike të zonës veriore.  



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Eduard Zaloshnja: Votat e emigrantëve, shpresa e fundit e opozitës?

Eduard Zaloshnja: Votat e emigrantëve, shpresa e fundit e opozitës?