KORÇË-Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka deklaruar këtë të shtunë se koalicioni me Partinë Socialiste ka qenë konstruktiv pavarësisht luhatjeve. Por sipas Panaritit vazhdimësinë e këtij koalicioni do ta përcakojnë forumet e partive politike.
 
Këtë deklaratë ministri e bëri nga Sovjani i Korçës, nga ku vizitoi dy ferma bagëtish dhe verifikoi bazën ushqimore të tyre.
 
‘’Koalicioni funksionon në baze të një pakti dhe LSI  ka dëshmuar që po i përmbahet këtij koalicioni. Se çfarë do të ndodhë në të ardhmen ne kemi kohë deri në mes të prillit. Në këtë kohe të dy forcat do të bëjnë llogarite e veta.Gjithsecili ka perqasjet e veta për bashkëqeverisjen. Por do të jenë forumet e partive që do të përcaktojnë bashkëpunimin. Ka qenë konstruktiv pavarësisht luhatjeve. Në disa çështje i kemi të një rëndesi të veçantë, për shembull fondet për bujqësinë duhet të jenë më të mëdha. Por edhe më lehtësimin e barës fiskale. Vëmendja duhet të jetë në rritje’’,-u shpreh Panariti.
 
Ministri vizitoi gjithashtu një fermë në Zagorçan të Pogradecit nga ku u shpreh se qëllimi i vizitës ka qenë verifikimi i bazës ushqimore për bagëtinë, pas reshjeve të ditëve të fundit dhe temperaturave të ulëta.
 
‘’Erdha pas një dimri të jashëzakonshëm, për të parë situatën në terren, si dhe për të parë nga afër gjendjen e blegtorisë. Verifikuam dhe gjendjen e stallave, si dhe matrikullimin’’,-u shpreh Panariti.
 
Ministri u shpreh se baza ushqimore nuk i mungon se është e garantuar, edhe si rezultat i traditës së këtyre zonave. Ai shtoi se matrikullimi është bërë dhe se do të vazhdojë me rigorozitet deri në fund.
 
‘’Siç e shikoj dhe këtu, matrikullimi është bërë dhe do të vazhdojmë me rigorozitet deri në fund. MBZHRAU ka ndihmuar dhe do të ndihmojë blegtorët me grandë e subvencione e për investime në stalla dhe rritjen e numrit të bagëtive’’,
-u shpreh Panariti.
 
Panariti përfundoi fjalën e tij duke thënë se pa ndaluar shtimin e rracave të reja, do të ruajmë me fanatizëm rracat autoktone, siç është rraca copore e zonës së Mokres në Pogradec.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptaja.com