Një avion i Lufthansa-s u detyrua të bënte një ulje emergjente në aeroportin e Athinës pas një sinjalizimi për problem në motor.
Sipas protokollit, fluturimi 1753 nga Athina për në Mynih u kthye në aeroportin e Athinës dhe avioni u evakuua përmes daljes së emergjencës.
Në avion, sapo u njoftua gjendja emergjente, shpërtheu paniku mes pasagjerëve.
Njoftimi zyrtar i kompanisë thotë se ekuipazhi i Airbus A321 mori një mesazh paralajmërues për defekt. Duke ndjekur protokollet e sigurisë, pilotët shpallën gjendjen emergjente për të siguruar përparësinë për ulje të menjëhershme.
Avioni, në të cilin ndodheshin 177 pasagjerë dhe 7 anëtarë të ekuipazhit, u ul normalisht.
Për shkak të një ere të fortë në pjesën e pasme të kabinës së pasagjerëve, ekuipazhi e konsideroi të nevojshme zbarkimin e menjëhershëm të pasagjerëve.
Gjatë procesit të evakuimit, dy pasagjerë u lënduan lehtë dhe u transportuan në spital për marrjen e ndihmës së parë. Avioni po ekzaminohet nga ekspertë teknikë për të përcaktuar shkakun e problemit.
“Siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit është prioriteti ynë absolut në çdo moment”, deklaroi një përfaqësues i kompanisë së fluturimit që u kërkoi falje pasagjerëve për shqetësimin e shkaktuar./Protothema
Komente









