Një tragjedi është shmangur fatmirësisht në futbollin kosovar me protagonist sulmuesin Alban Rexhepi. Futbollisti pësoi një atak kardiak në pjesën e dytë teksa ekipi i tij Vllaznia po udhëhiqte me rezultatin 3-2 kundër Flamurtarit në Ligën e Parë të Kosovës.
Ka qenë vendimtare ndërhyrja e stafit mjekësor të ekipit të tij për ta mbajtur në jetë sulmuesin. Aktualisht gjendja shëndetësore e 26-vjeçarit ndodhet e sigurt, pasi është duke marrë mjekim në spital.
I pranishëm në ambjentet e spitalit është parë dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili i ka qëndruar pranë futbollistit në këto momente të vështira. Alban Rexhepi është i njohur edhe në kampionatin shqiptar, pasi ka mbajtur veshur edhe fanellat e Laçit dhe Burrelit.