Treni i linjës Elbasan-Durrës ka dalë nga shinat mëngjesin e sotëm në afërsi të Rrogozhinës pas një manovre të gabuar. Kjo ka shkaktuar panik tek 100 udhëtarët që ndodheshin në tren, të cilët telefonuan Report Tv për këtë aksident. Në redaksinë tonë erdhën foto dhe video nga qytetarët që tregojnë momentet kur treni ka dalë nga shinat dhe pasagjerët kanë zbritur poshtë.

Mjeti lëvizte me një shpejtësi prej 5 kilometrash në orë, e kjo ka ndikuar që pasojat të mos jenë të rënda.

Një qytetar i kontaktuar për Report Tv u shpreh se në tren ndodheshin mbi 100 pasagjerë dhe incidenti ka shkaktuar panik.

Ndodhesha rastësisht në stacion. Treni gati është ndarë në dy pjesë. Treni kishte mbi 100 persona, me dhjetëra turistë. Të gjithë të tmerruar zbritën nga treni. Fatmirësisht nuk ka njerëz të lënduar. Pritet të vijnë vinçat nga Durrësi dhe ta ngrenë, se është ndarë në dy pjesë.

Qytetari për Report Tv

Në tren kishte shumë udhëtarë që shkon për plazh në Durrës por edhe turistë të huaj.

Pas publikimit të lajmit në Report tv u vu në lëvizje edhe Drejtoria e Hekurudahve, e cila nisi punën për rikthimin e trenit në shinat.

Grupi i punës është nisur në vendngjarje. Ka pasur një avari. Po punojmë për gjetjen e shkaqeve. Nuk kemi të lënduar.

Drejtori i Infrastrukturës në Hekurudhë, Dashamir Mehmeti

Linjat hekurudhore shqiptare kanë degraduar,  nuk janë të pakta rastet e daljes nga shinat të trenave.