Paolo Muner zbulon gjurmët
shqiptare në Trieste që nga 1400

Paolo Muner zbulon gjurmët<br />shqiptare në Trieste që nga 1400
“Shpnesa e Shcypeniis” (Shqiptarë të Trieshtit) është një libër ku zbulohen gjurmë pas gjurme historia e shqiptarëve të Triestes që nga fillesat e tyre në këtë qytet në vitet 1400 e deri në ditët e sotme. Autori i këtij libri voluminoz Paolo Muner e ka konceptuar veprën e tij si një antologji, apo një përmbledhje artikujsh që i bashkon e njëjta temë shqiptarët dhe Triestja. Libri i shqipëruar nga gazetarja Albana Nexhipi është botuar në dy gjuhë, shqip dhe italisht dhe përmbledh 20 kapituj si dhe dy shtojca: e para me titullin “Triestinët në Shqipëri” dhe shtojca e dytë Libra shqiptarë në Trieste.

Ndër kapitujt e këtij libri vlejnë të veçohen: “Të ardhurit e parë”, “Karl Gega: inxhinieri më i madh hekurudhor evropian” “Shqiptarët dhe shqipëria në pikturat triestine”, “Aleksandër Moisiu: triestin apo durrsak”, “Nisje të rëndësishme nga porti i Triestes për Shqipëri”, “Kongresi shqiptar i Triestes, 1913”, “Nisja e princ Widit nga Triestja”, “Fillimet e ‘900: familjet e vjetra dhe të reja shqiptare”, etj.

Disa prej argumenteve që shtjellohen në këtë libër janë trajtuar edhe më parë, por mjaft fakte, dokumente e fotografi mbi këtë temë mjaft kurioze, i paraqitet lexuesit për herë të parë dhe këto të reja i zbulojmë së bashku me autorin Paolo Muner, përmes kësaj bisede.
 
Z. Muner “Shpnesa e Shcypeniis” është një tekst që rrëfen historinë e shqiptarëve të Triestes, plot me fotografi dhe dokumente. Si lindi ideja e këtij libri?
Më duhet të them që ka lindur nga një projekt shumë ambicioz: vite të shkuara në Trieste, me disa miq të lidhur me mënyra të ndryshme me Shqipërinë, krijuam një shoqatë për festimin e dy njëqindvjetorëve shqiptarë: atij të Pavarësisë (më 28 nëntor 2012) dhe atij të  Kongresit Shqiptar të Triestes (më 3 mars 2013), e cila parashikonte organizimin e manifestimeve të ndryshme, një ekspozitë filatelike, disa konferenca historiko-shkencore, një koncert dhe, në fund, një libër. Me hidhërim më duhet të pranoj se ky program nuk u realizua dot, për motive të ndryshme, por librin e kisha ide fikse, ndaj, edhe pse i mbetur vetëm në punën për ngjizjen e  tij, natyrisht me mbështetjen durimplotë e disavjeçare të gazetares Albana Nexhipi, përkthyeses së librit, me të cilën bashkëpunoj prej rreth një dekade dhe me të cilën kam bashkëndarë ndërtimin e çdo kapitulli, rendin e tyre, titullin që do të mbante ky tekst etj., por padyshim edhe falë besimit të Botimeve Jozef e botuesit Aurel Kaçulini, ia dola mbanë ta nxjerr në dritë.
 
Mes historive të trajtuara në 20 kapitujt e këtij libri, tërheqin vëmendjen ata dedikuar Aleksandër Moisiut, Karl Gegës, Kongresit të Triestes apo nisjes së Princ Vidit nga Triestja për në Shqipëri, sa të njohura, aq edhe të pazbuluara... Mund të na rrëfeni për lexuesit disa detaje kureshtare mbi temat që përmendëm?
Ka pasur gjithmonë një debat për vendlindjen e Moisiut. Për të është e sigurt që u lind më 2 prill 1879 dhe vdiq më 1935-n në Vienë, që një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Durrës (duke kryer aty edhe studimet fillore), për t’u rritur më pas në Trieste, ku frekuentoi liceun në italisht e më pas në gjermanisht, në Grac. I ati, Konstandini, ishte natyrisht shqiptar (prej një familjeje me origjinë nga Kavaja), kurse e ëma, Amalia De Radio, ishte nga Goricia.

Deri këtu jemi të gjithë dakord, por jo për vendin e lindjes. Kështu  iu  vura punës dhe  tek “Shpnesa e Shcypeniisë” mund të them se kam dëshmuar në mënyrë përfundimtare vendin e lindjes  e tij (që është Triestja), krahasuar me shumë burime, sidomos shqiptare, të cilat e japin të lindur në Durrës. Më pëlqen të them se, mes kundërshtisë së shumë dokumenteve të shqyrtuara, kjo bindje e siguri  erdhi në fund prej emrit  të “mamisë” që gjendet në rregjistrin e Pagëzimeve të Kishës Greko-Lindore, emër natyrisht lokal, i njëjtë me atë të mamisë së shumë fëmijëve të tjerë, pagëzuar në atë kishë në të njëjtin vit sikurse Moisiu. Vetëm kjo e dhënë na jep sigurinë që ai ka lindur vërtet në Trieste.

Ndërkaq për Karl Gegën jam përpjekur të ofroj një paraqitje të përmbledhur të jetës dhe veprës së tij.  Ç’është e vërteta, për triestinët në masë ai s’është gjë tjetër veçse emri i një rruge që të çon në stacionin hekurudhor. Ata më të kultivuarit  e dinë që ka realizuar hekurudhën e Semeringut (më të vështirën në Evropë për nivelet e ndryshme që duheshin kapërcyer) dhe pak dinë që familja e tij është me origjinë shqiptare.  Shumë më tepër e njohin dhe e nderojnë sidomos pas vdekjes ndodhur në 1860-n, në Vienë, Austri dhe gjithë vendet e ish-Perandorisë Austro-Hungareze që përshkohen prej punëve të tij hekurudhore madhështore. Edhe në Shqipëri figura e tij nuk është eksploruar aq sa duhet. Natyrisht, ajo ka ardhur duke u vlerësuar gjithmonë e më shumë, me shumë gjasa edhe në funksion të evropianizimit të vendit. Në libër jepen qartë argumenta në favor të kësaj, duke nisur qysh me pullën me vlerë 100 lek dedikuar atij, shtypur qysh më 1994-n.

Teksa Princ Vidi u caktua në krye të fronit të Shqipërisë, për të u shkrua shumë, por përgjithësisht dita e tij triestine u injorua. Unë sjell pikërisht këtë ditë, e nga materialet që ofrojnë të përditshmet e kohës mund të imagjinojmë fare mirë që ai u trajtua vërtet si kre shteti.
Prej asaj dite mbeten dy fotografi tejet të rralla, pak ose aspak të njohura në Shqipëri, sidomos ajo ku shquhet çifti princëror teksa largohet me makinë të hapur prej stacionit hekurudhor, për të shkuar në mol ku do hipnin në anijen që do t’i çonte në Durrës.

Kongresi Shqiptar i Triestes është një nga ngjarjet më të rëndësishme shqiptare ndodhur në Trieste. Një ngjarje pak e njohur kjo edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, të cilën unë e sjell në libër përgjatë krejt rrugëtimit të vet katër ditor, me programin, debatet që u zhvilluan, personalitetet që morën pjesë vendimet e përfundimet e tij. Janë ditë të ngjeshura e të tensionuara, sepse nuk duhet të harrojmë që pavarësia e Shqipërisë s’kishte veçse pak muaj që ishte shpallur në Vlorë, e tani bëhej fjalë për hedhjen e bazave dhe realizimin konkret e praktik të shtetit të ri, natyrisht me ndihmën e Fuqive të Mëdha, të cilave kongresistët nuk ngurruan t’u drejtoheshin.
***
Por ka edhe një risi tjetër në këtë libër. Veç të tjerave, në të vjen edhe një prej kopjeve të pakta të Memorandumit që shqiptarët i drejtuan Lord Beaconsifild-it, kryeministrit të Mbretëreshës së Anglisë në gjatë Kongresit të Berlinit, ku do vendoseshin fatet e kombeve që synonin të shkëputeshin prej Perandorisë Otomane, e ku patriotët shqiptarë tërhiqnin vëmendjen për aspiratat legjitime të shqiptarëve.

I publikuar, i shtypur do ishte ndoshta më mirë të thoshim, në Trieste, ky është një dokument mjaft i rrallë. Njiheshin vetëm dy kopje në të gjithë botën, një në Shtetet e Bashkuara dhe një në Mbretërinë e bashkuar. Tani është dhe një e tretë, në shtëpinë time, blerë prej meje kohët e fundit në një ankand dokumentesh historike.
Ka pasur diskutime mbi shkruesin/it e këtij dokumenti, diskutime të cilat unë jam përpjekur t’i përmbledh në kapitullin kushtuar “Memorandumit”, duke shtjelluar natyrisht edhe pandehmat e mundshme mbi zgjedhjen e italishtes si gjuhë të tij, në një kohë kur gjuha diplomatike e kohës ishte frëngjishtja. 
 
4) Një kapitull me mjaft interes është edhe ai kushtuar pikturave të ndryshme me subjekt shqiptar. Mund të zbulojmë  për lexuesit diçka  mbi to? Ku ruhen, çfarë trajtojnë saktësisht e cilët janë autorët e tyre?
Pikturat triestine me subjekt (ose edhe me ndonjë detaj) shqiptar, janë shumë, sidomos ato të Cesare Del Acqua-s  (1821-1905), i cili ka pikturuar mbi pesëmbëdhjetë të tilla. Mund të jetë ndoshta piktori i vetëm me famë botërore  (ka qenë edhe piktori i Oborrit të Mbretit të Belgjikës), që i ka kushtuar kaq shumë piktura Shqipërisë, edhe pse motivi i kësaj preference të tijës nuk dihet ende. Ato ruhen në vende të ndryshme, disa nëpër banesa private, të tjera “vërdallë nëpër botë” nga njëri ankand në tjetrin (duke mbërritur edhe në SHBA), e duke kapur kuota tejet të larta. Do ishte mjaft e bukur  ideja e të bërit një ekspozitë  këtu në Shqipëri me to - ndoshta edhe vetëm me riprodhimet e tyre -  dhe jemi duke e menduar  një gjë të tillë.
Piktura më e rëndësishme e qytetit të Triestes, sidomos për faktin që ndodhet në Sallën e Këshillit Bashkiak, është “Prosperiteti tregtar i Triestes” 1875), ku sipas përshkrimit të vetë autorit:  “Drejt Triestes së personifikuar shkojnë duke zbritur prej anijes me avull prurëset e kombeve të Lindjes, portet e të cilave shërbejnë si mole të anijeve tona. Mes tyre spikat me kostumin e pasur kombëtar gruaja që simbolizon Greqinë dhe Shqipërinë, e cila mban mbi një pjatë të artë rrush, fiq dhe një mangall të vogël ku harlisen qirinj”.

Mbetet i mistershëm motivi pse autori e ka parë të arsyeshme ta personifikojë Greqinë dhe Shqipërinë në një figurë të vetme, në një kohë kur Greqia e kishte shpalluar pavarësinë e vet.
Shumë e rëndësishme, por edhe shumë e bukur është edhe piktura e Ludovico Lipparini-it “Vdekja e Marko Boçarit”, 1841. Marko Boçari (sipas mënyrës shqiptare të të shkruarit) (1788 - 1823), një prej shumë shqiptarëve që u ndeshën (dhe vdiqën) për çlirimin e Greqisë nga osmanët, në kohëra kur ishte ende herët të mendohej çlirimi i  Shqipërisë, është një prej figurave kombëtare më të nderuara prej grekërve, i perceptuar edhe në Shqipëri si hero kombëtar.
 
5) Në fund të librit, një bibliografi e pasur dhe një hartë. 
Po, janë një veçanësi e librit për të cilat jam shumë krenar, edhe për shkak se bëhet fjalë për dy gjëra krejt të ndryshme: në shtojcë kam sjellë listën e librave shqiptarë/me subjekt shqiptar gjetur prej meje në bibliotekën e një fondacioni dalmat (themeluar nga mërgimtarët dalmatë që u detyruan të largoheshin prej qyteteve të tyre bregdetare në fund të Luftës së Dytë Botërore për shkak të përparimit të trupave jugosllave). Mes tyre edhe disa banorë të Borgo Erizos, një koloni shqiptare në portat e Zarës, themeluar më ‘700 nga Republika e Venecias. Njëri prej tyre kishte mundur t’i ruante këto libra, disa edhe të fundviteve ‘800, shtypur në Shkodër apo në Zarë, tepër të rrallë. Disa prej tyre nuk gjenden madje as në Bibliotekën Kombëtare të Tranës. Për këtë motiv doja t’i sillja në vëmendjen e studiuesëve apo të atyre që duan të diplomohen, sidomos shqiptarë, të cilët  mund të gjejnë burime tejet të çmuara nëpër këto tekste.

Në fund, harta e qytetit të Triestes, me shënimet e qendrave hisorike me interes shqiptar që janë mbi njëzet, e cila na jep edhe me një vështrim të vetëm  shtrirjen e fenomenit, sidomos nëpër rrugët e qendrës, ku njerëzit sot (përfshi edhe shqiptarët e Triestes) shëtisin pa ditur sa histori e veçantë i rrethon. Ajo hartë mund të jetë e dobishme edhe për një xhiro turistike nëpër qytet, të udhëhequr madje, për turistë të ndryshëm, shqiptarë ose jo.


Shkrimi u publikua sot (17.05.2015) në Shqiptarja.com versioni print

Redak
sia Online
(k.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023