Çështja e afateve të tejzgjatura të paraburgimit dhe përdorimi jashtë kritereve i kësaj mase kufizuese, ka sjellë nevojën e bashkëpunimit me ekspertët ndërkombëtarë dhe ndryshime në Kodin Penal aktual. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, në një intervistë për Report Tv, sqaron draftin për ndryshimet në Kodin aktual Penal, bashkëpunimin dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve lidhur me masën e paraburgimit dhe përdorimin e masave alternative.

Një zgjidhje alternative e rekomanduar është ajo e klasifikimit të veprave penale në 4 grupe dhe eliminimi i disa veprave penale për të cilat mund të kërkohet masa e paraburgimit dhe specifikimi se kur mund të aplikohen masat e tjera shtrënguese. Vetë ndërkombëtarët, gjatë procesit të konsultimeve me qeverinë shqiptare, theksuan se “Paraburgimi duhet të jetë  masë e jashtëzakonshme, jo praktikë rutinë, kufijtë ligjorë të të cilit duhen përcaktuar pa ekuivokë”.

“Po bëhet një punë kolosale për ndryshimin e Kodit Penal. Ndërkombëtarët janë shumë të shqetësuar për pjesën e paraburgimit, si aplikohet masa e paraburgimit. Kemi vepra të ndryshme penale, në kodin aktual, aplikohet i njëjti standard për kriteret që duhet të merren në gjykim. Ajo që ata konstatojnë, është një diferencim mes veprave të ndryshme, nuk mund të trajtohet njësoj një vepër e lehtë dhe një tjetër me rrezikshmëri të theksuar.

Ata bënë një rekomandim për të pasur një klasifikim në 4 grupe të caktuara veprash. Nga veprat më të lehta që nuk duhet të shkojnë në kufizim të lirisë përmes paraburgimit, vepra të mesme që kërkojnë rast pas rasti të verifikohen nga gjykata dhe nga an tjetër kemi dhe vepra shumë të rënda”, tha Lamallari.

Përdorimi i masave të tjera ndëshkuese apo kufizuese, është një tjetër rekomandim nga ekspertët ndërkombëtarë. Për këtë, është ngritur një grup i posaçëm në ministri. Në këtë kuadër, Lamallari tha se po ndërtohet dhe një kampus i ri multifunksional që do të shërbejë për riedukimin apo rehabilitimin e të miturve, pa pasur nevojë për tu dërguar në institucionin në Kavajë, ku për shkak të mungesës së një kampusi të posaçëm, qëndrojnë dhe me persona të dënuar për vrasje.

“Ishin njëzëri si drejtori i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimi i Ligjit në KiE dhe dy gjyqtarët e ftuar si ekspertë që janë njohur shumë mirë më kuadrin ligjor vendas, të cilët sugjerojnë aplikimin e masave alternative. Monitorimi elektronik, është një histori e mbartur, por është e rëndësishme që ministra e Drejtësisë është e angazhuar për të adresuar dhe këtë aspekt. Masat e alternative, sidomos kur bëhet fjalë për të miturit se nuk mund të lejojmë që të miturit në pamundësi të një kampusi të dedikuar, për rehabilitim e riedukim, detyrohet gjykata t’i dërgojë në Kavajë, pasi aty kemi persona që dënohen për vrasje.

Po ndërtojmë për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me ekspertët francezë, një kampus multifunksional, ku në fokus përveç drejtësisë për të miturit, do të jenë dhe psikologët, sociologët. Kemi dhe për të rriturit masa alternative. Është e papranueshme që Shqipëria nuk ka pasur monitorimin elektronik. I është hapur rruga vënies në praktikë të këtij mekanizmi. Janë disa masa që po shqyrtojmë. Kam ngritur një grup të dedikuar në ministri që po punon në këtë drejtim”, tha Lamallari.

Lamallari shtoi se sot drejtësia shqiptare flet për garanci proceduriale, lirinë dhe të drejtat e njeriut “sidomos kur bëhet fjalë për masën e gjerë të njerëzve që i janë nënshtruar një paraburgimi të zgjatur, që me të drejtë u bë problem dhe nga KiE”, tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë gjithashtu foli dhe për amnistinë penale ku 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Një tjetër çështje që u diskutua është dhe ajo e draftit të Kodit të ri Penal që u hodh për konsultim publik në korrik të vitit të shkuar. Lamallari tha se referuar rekomandimeve, disa dispozita janë ndryshuar dhe se drafti do të konsultohet dhe me partnerë të tjerë nga vendet e BE-së.