Shërbimi me cilësi e standarde i miliona të huajve që po vijnë si turistë, por edhe i shqiptarëve që pushojnë në vend, duket se do të jetë edhe më i vështirë këtë vit. Unioni Turistik Shqiptar, ngre sërish shqetësimin për mungesën e personelit.

Këtë vit, sektorit i mungojnë 20 mijë punonjës. Prandaj thirrja e Unionit është që të përshpejtohen dhe lehtësohen procedurat për të marrë punonjës nga jashtë, në kushtet kur sezoni turistik veror ka thuajse një muaj që ka nisur.

Ky sektor kërkon punonjës me dhe pa-kualifikim, nga punonjës të pastrimit, kamarier, kuzhinier, banakier, recepsionist e deri tek menaxherë e drejtues në hotele dhe restorante.

Kështu si turizmi, edhe sektori i prodhimit apo i manifakturës po përballet me mungesë punonjësish për të gjitha hallkat e punës, nga sanitarët e deri tek makinistë me përvojë e inxhinierë.

Por teksa sipërmarrja vuan për punonjës sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave janë më shumë se 69 mijë qytetarë të regjistruar si punëkërkues në zyrat e punës. Nga këto janë më shumë se 17 mijë persona të moshës 16-29 vjeç, që do të ishin ‘frymëmarrje’ për sektorin e turizmit dhe jo vetëm, nëse do të punësoheshin.

Ky paradoks i tregut shqiptar ku biznesi është në krizë për punonjës ndërkohë që me dhjetra mijëra janë regjistruar si të papunë po rritet. Nga ana tjetër, nga buxheti i shtetit me miliona euro dalin për pagesë papunësie.

Deri në fund të muajit maj u shpenzuan 279 milionë lekë ose 2.7 milionë euro për të paguar qytetarët e regjistruar si të papunë, kjo shifër deri në fund të vitit planifikohet të arrijë në 8 milionë euro. Ndërkohë në 5 vite 2020-2024, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 4,3 miliardë lekë, ose 43 milionë euro si pagesë papunësie.

PUNËKËRKUES TË REGJISTRUAR
Punëkërkues të regjistruar                   69,111 persona
Punëkërkues 16-29 vjeç                      17,058 persona
Përfitues të pagesës së papunësisë        2,520 persona
Punëkërkues me ndihmë ekonomike   16,144 persona

 

PAGESA E PAPUNËSISË
Janar-Maj 2024           348 mln lekë
Janar-Maj 2025           279 mln lekë
Diferenca                     -69 mln lekë