Incidenti i qershorit të vitit të kaluar, kur një satelit rus u afrua në mënyrë të rrezikshme pranë një sateliti amerikan, nuk ishte një rast teknik i izoluar, por një sinjal i qartë politik dhe ushtarak. Sipas një analize të publikuar nga Geopost, sateliti rus Cosmos 2558, i lëshuar në vitin 2022, jo vetëm që ka ndjekur prej kohësh satelitin amerikan USA 326, por së fundmi ka ndërmarrë një veprim edhe më shqetësues: ka lëshuar në orbitë një objekt të dytë nga brenda vetes, i aftë të veprojë në mënyrë të pavarur.
“Kjo është hera e dytë që shohim një veprim të tillë nga Rusia,” deklaroi DeAnna Burt, e cila në kohën e incidentit drejtonte operacionet në Forcën Hapësinore të Shteteve të Bashkuara.
“Sipas vlerësimeve tona, bëhet fjalë për një satelit që mban brenda tij një tjetër mjet, për të cilin besojmë se ka aftësi kinetike. Ky objekt mund të manovrojë, t’i afrohet një sateliti tjetër dhe potencialisht ta dëmtojë, ta fotografojë apo të kryejë veprime të tjera,” shtoi ajo.
Burt doli në pension në tetor të vitit 2025 dhe foli për Radion Evropa e Lirë gjatë një vizite në Pragë, të organizuar nga Instituti Aspen. Në një intervistë të dhënë më 30 janar, ajo paralajmëroi për kërcënimet ndaj infrastrukturës satelitore nga Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, duke folur edhe për një “konflikt në hije” që, sipas saj, ka nisur që prej pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.
Përballje të rrezikshme në orbitë
“Kemi vëzhguar atë që quajmë operacione afrimi dhe takimi, pra manovrime shumë pranë satelitëve të tjerë për qëllime vëzhgimi,” shpjegoi Burt, kur u pyet për incidentin e qershorit.
Sipas saj, shqetësimi kryesor ishte nëse Rusia do të përdorte një mjet shkatërrues apo nëse bëhej fjalë vetëm për zbulim dhe mbikëqyrje. Në këtë rast, rezultoi se ishte kjo e fundit, megjithatë situata mbeti alarmante për shkak të rrezikut të përplasjes dhe mesazhit strategjik që përcillte.
“Ajo që po shohim janë teste të njëpasnjëshme që ndërtojnë gradualisht një kapacitet ushtarak në hapësirë. Nëse do të doja të zhvilloja një aftësi goditëse, fillimisht do të sigurohesha që mund të identifikoja dhe të ndiqja objektivat,” tha ajo.
Nuk është hera e parë që autoritetet amerikane paralajmërojnë për veprime të tilla. Një incident i ngjashëm u përmend edhe nga ish-shefi i operacioneve hapësinore të SHBA-së, gjenerali John Raymond, në një deklaratë për revistën Time në vitin 2020.
“Mënyra se si e shoh këtë është si kukullat ruse ‘matryoshka’: një satelit del nga një tjetër,” tha Raymond.
Në vitin 2024, pasardhësi i tij, gjenerali Chance Saltzman, paralajmëroi për një skenar të ashtuquajtur “Zero Day”, në rast se Rusia do të vendoste një armë bërthamore në hapësirë, e aftë të shkatërronte rrjetet satelitore.
Po atë vit, Kremlini mohoi pretendimet e Pentagonit se Rusia kishte vendosur “me gjasë” një armë antisatelitore në orbitë.
Ndërkohë, më 21 janar, një raport i Këshillit Atlantik paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara janë “në mënyrë të papranueshme të cenueshme” ndaj këtyre kërcënimeve dhe bëri thirrje për ndërtimin e arkitekturave satelitore më të qëndrueshme.
Burt theksoi se rritja e qëndrueshmërisë është tashmë një përparësi strategjike për SHBA-në: “Duhet të kemi aftësinë për t’i mbijetuar një goditjeje dhe për t’u rikuperuar shpejt, me satelitë rezervë të gatshëm për lëshim.”
Një stërvitje e zhvilluar në vitin 2023, e koduar Victus Nox, arriti të çojë një satelit nga magazinimi në kapacitet operacional në orbitë brenda një jave, duke vendosur një rekord të ri. Por sipas Burt, kjo nuk mjafton.
“Pyetja është: si e bëjmë këtë në shkallë të gjerë? E kemi arritur vetëm një herë, në mënyrë të izoluar. Sfida është ndërtimi i një qëndrueshmërie reale,” tha ajo.
Skenari më ekstrem, të cilin Burt e ka përshkruar si një “Pearl Harbor në hapësirë”, do të ishte gjithashtu vetëshkatërrues, pasi një sulm i tillë masiv do të shkaktonte dëme pa dallim, duke prekur edhe satelitët e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera.
Komente








