Që kur letrat e abuzimeve, të bëra për tetë vite qeverisjeje të Qeverisë së Sali Berishës, janë mbi tryezat e pasardhësve të tyre, Prokuroria ka hapur 3 hetime kundër 3 ministrive: Çështjeve Sociale, Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Tre hetimet kryesore i përkasin të njëjtit krim: abuzime (të dyshuara) të bëra me reklamat shtetërore. Hetimi i parë u referohej rreth 600.000 eurove, të financuara nga ministria e Çështjeve Sociale për spote televizive dhe manifestime të bëra me rastin e festës së 1 Majit; hetimi i dytë për 1.2 milionë euro, të financuara nga ministria e Mbrojtjes në spote televizive për të reklamuar forcat e armatosura shqiptare. Dhe hetimi i tretë, për 3.1 milionë dollarë, të paguara nga Ministria e Brendshme nga 2010 deri në 2011 për prodhimin dhe transmetimin e spoteve televizive për liberalizimin e vizave në Bashkimin Europian.

Flasim për një shumë prej rreth 5 milionë dollarësh, të menaxhuara nga një agjenci e vetme publicitare që i ka shpërndarë pjesën më të madhe të buxhetit televizionit të vëllait të vet. Bëhet fjalë për 5 milionë dollarë, që sot i mungojnë arkës së një shteti, që ka nevojë për 18 milionë dollarë buxhet ekstra për t’ia dalë t’u paguajë pensionet invalidëve. Burime të mirëinformuara mediatike bëjnë të ditur se shuma e përfituar në mënyrë abuzive nga i njëjti grup mediatik pranë Berishës arrin pikerisht deri në 18 milionë dollarë.
Nuk është një rastësi, që skandalet e para të dala në sipërfaqe, mes një mali me skandale të tjera, kanë të bëjnë me marrëdhëniet e njerëzve të Berishës me mediat: pasi u kritikua për shumë vite si njeriu që persekutonte shtypin, Berisha kuptoi se më mirë ishte ta blinte.

Sigurisht që jo të gjithë mediat pranuan dhe për ta u mbyllën të gjitha “rubinetat” financiare, që një qeveri mund të mbyllte. Për të tjerët, rubinetat u hapën përtej çdo kufiri, madje përtej ligjit.
Tani logjika është shumë e thjeshtë. Funksionarët e ministrive dhe dy ministra janë nën akuzë sepse paguan parà publike që nuk duheshin dhënë: Por, nëse janë fajtorë ata që paguan, janë fajtorë edhe ata që i kanë marrë këto parà.

Nuk besojmë se drejtësia vendoset duke arrestuar dhe, në fakt, askush nuk bën apel për pranga. Por drejtësia mund të vendoset vetëm duke dëmshpërblyer dëmin e bërë. Atëherë, ato parà, të marra për spote televizive, nëse janë marrë duke shkelur ligjin, duhet të kthehen. Ky është një parim elementar i së drejtës. Do të ishte një gabim i madh të dënohen politikanët vetëm sepse janë bërë ish-pushtetarë, por njëkohësisht t’u japësh imunitet botuesve vetëm sepse këta vazhdojnë të drejtojnë televizionet e tyre.
Nëse është e vërtetë ajo që Qeveria thotë, pra se arka e shtetit është bosh, nuk mjafton të pengojë abuzimet e reja, të përmirësojë kontrollet në dogana ose të bllokojë evazionin e ri fiskal për ta rimbushur. Duhet t’i kthehen taksapaguesve paratë që janë marrë duke shkelur ligjin ose duke përfituar nga privilegjet që gëzonin klanet qeverisëse. Kjo do të vlente si paralajmërim edhe për kë ka si qëllim të vjedhë sot: të ketë kujdes, se nësër do t’i takojë atij të kthejë paratë e marra padrejtësisht në kurriz të njerëzve. (c.b.)

Shkrimi u publikua sot (17.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)