Parazitët janë elementët më të neglizhuar nga ne, edhe pse janë nga më të përhapurit, kjo sepse nuk japin simptoma të dukshme. Ato na kanë shoqëruar gjatë gjithë historisë tonë njerëzore, janë në trupin tonë, në ciklin tonë të jetës dhe futen në organizëm kur imuniteti është i dobët. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, ka shpjeguar me detaje në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, të gjitha simptomat, por edhe një mënyrë sesi mund t’i luftojmë ato.

“Parazitët sjellin shumë dëme, shkatërrojnë mukozën e zorrës, ulin përthithjen e hekurit, zinkut, sjellin probleme me alergjitë, me astmën, sëmundje autoimune, shkatërrojnë imunitetin, prodhojnë toksina, shkojnë deri tek mëlçia, sjellin ankth, depresion, ndikojnë tek tiroidet, fertiliteti e deri tek kanceri”, shpjegoi Joka.

Por si vijnë parazitët në trupin tonë?

Ushqimi është baza kryesore, trupi nuk ka sensorë për parandalimin e tyre. Nëse mishi nuk gatuhet mirë sidomos mishi i derrit, në organizëm hyjnë parazitët. Prezencë të tyre ka gjithashtu edhe tek mishrat e përpunuara.

“Duhet të keni kujdes me konsumimin e jeshillëqeve të palara mirë. Higjena e dobët e larjes së duarve është problem apo edhe përdorimi i kubeve të akujve në bare dhe lokale. Parazitët merren edhe nga pishinat, kontakti me pelenat e fëmijëve, nga kafshët, nga toka, balta që punojmë në kopshte, por merren edhe nëpërmjet rrugëve seksuale si dhe nëpërmjet lëkurës”, tha nutricionisti Joka. 

Ja cilat janë simptomat që sjellin parazitët

Ne kemi mbi 1 mijë parazitë në trupin tonë, klasa e parë janë protozoarët, të cilët ushqehen nga bakteret dhe jetojnë tek indet dhe gjaku. Këto parazitë janë më të rrezikshmit, pasi ato shkojnë në sy, në tru, në mushkëri, sjellin inflamacion, anemi kronike dhe të përhershme. Sjellin lodhje, dhimbje të muskujve e shpinës, ethe, kollë kronike, probleme neurologjike, aritmi të përhershme, mungesë të vitaminës B12, probleme autoimune, vaskulare deri tek tumoret. Duhen parë euzonofilet dhe duhen bërë kontrolle periodike. 

Klasa e dytë e parazitëve janë krimba, shiriti, oskuret, parazitët që jetojnë brenda zorrëve. Shenjat e tyre janë të ndryshme nga njëra - tjetra. Disa nga shenjat janë:  fërkim i vazhdueshëm para hundës, tek vetullat, kruarje e kokës, zbokthi, plakje e shpejtë e lëkurës. Gërhitja e fëmijëve, por edhe tek të rriturit vjen edhe nga parazitët. Kruarja anale, rrathë të zinj tek sytë, mungesë vitaminash, pështymë gjatë gjumit  ose ka raste kur na vjen shpesh për të vjellë, kur kemi kruarje të lëkurës pa shkak, diarre ose kapsllëk, fryerje, gazra, puçrra, ekzema, urtikarie, apo dhe kur trupi kërkon shumë kripë dhe sidomos sheqer gjatë darkës.

“Simptomat nuk janë shumë specifike dhe ndodh që edhe në analizat e para nuk na del, ndaj duhet të ripërsëriten analizat”, tha nutricionisti Altin Joka.

Ja cilat janë ushqimet që ushqejnë parazitët

Ushqimi ka rol vendimtar, parazitët varen nga ajo që ne fusim në trupin tonë, por edhe nga terreni që ushqimi krijon. Niveli i ulët i aciditetit ndikon shumë, pasi është acidi ai që i eleminon parazitët. Ushqime që krijojnë terren për shumimin e tyre janë sheqeri i bardhë, karbohidratet e rafinuara, vajrat industrial - të gjitha këto sjellin inflamacion dhe dobësojnë zorrën, duke fuqizuar prezencën e parazitëve.

Ja çfarë duhet të hani, receta për të zhdukur parazitët nga organizmi

Hani ushqime që e rrisin nivelin e aciditetit në stomak si limoni, uthulla, perimet me fibra, ushqimet e fermentuara, shafrani, xhinxheri, papaja, ananasi, mango - këto i luftojnë parazitët.

“Kurat e gabuara mund të rrezikojnë. Parazitët nuk luftohen duke shkatërruar trupin, luftohen duke forcuar sistemin tonë biologjik. Trupi nuk ka nevojë për agresion, pastrime për 2-3 ditë a më shumë janë mashtrime”, thekson Joka, duke vijuar “Duhen protokolle të qarta që mbështesin zorrën dhe mëlçinë. Eleminoni produktet e bulmetit dhe sheqerin, kurat ekstreme janë të gabuara, duhen kura në mënyrë graduale”.

Metodat më efektive për t’u pastruar nga parazitët

Ne duhet të krijojmë një ambient solid, luftimi i candidës, uljen e alergjive, rritjen e aciditetit të stomakut, duke e ndihmuar trupin të fillojë punën e tij.  Konsumoni hudhër por pa e tepruar, shegë, panxhar dhe karrotë.  Konsumimi i mjaltit me fara të papasë, konsumimi i fibrave, probiotikëve për traktin, është mënyra e duhur. Bëni bashkë papanë, kivin ose konsumoni çajin e pelinit, vajin e arrës së zezë dhe hudhër në rectum. Në mëngjes mund të konsumoni vaj rigoni në ujë, xhinxhër me vaj ulliri, çaj me gjethe arre. Ky është një protokoll me tre faza, të cilin e kanë bërë disa natyropatë amerikanë shumë të suksesshëm, nënvizoi nutricionisti Altin Joka.