Kryeministri Edi Rama ka reaguar për fitoren e mundësit Islam Dudaev, i cili i siguroi Shqipërisë medaljen e dytë të bronztë në Lojërat Olimpike. Në një mesazh të ndarë në Facebook, Rama thotë se kush nuk di të gëzohet, lë t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq.

“Ja edhe medalja e dytë Olimpike në historinë tonë. Kush di të gëzohet le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Kujt nuk di të gëzohet le t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq”, shkruan Rama.

Një reagim e ka pasur edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili falënderon mundësin e natyralizuar në shqiptar për medaljen që siguroi për Shqipërinë.

“Islam Dudaev i dhuron Shqipërisë medaljen e dytë olimpike me një ndeshje fantastike. Faleminderit kampion”, shkruan Begaj.

Historike e quajti kryebashkiaku Erion Veliaj medaljen e dytë të fituar nga Dudaev në Lojërat Olimpike.  

“HISTORIKE! Edhe Islam Dudaev i bronztë! Prapë medalje historike për Sport Klub Tiranën dhe Shqipërinë në Lojërat Olimpike Paris 2024! Fantastikeeee! Forcaaaa”, shkruan Veliaj.

Mundësi i natyralizuar Islam Dudaev i ka i ka siguruar vendit tonë medaljen e dytë të bronztë, me rezultatin 13-12, në kategorinë 65 kilogramë stil i lirë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:17
Medalja e dytë olimpike në 'Paris 2024', Spiropali: Një tjetër gur i çmuar në gjerdanin e arritjeve të sportit shqiptar

1723367132_islamdudaev.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar pasi mundësi Islam Dudaev, i siguroi Shqipërisë medaljen e dytë të bronztë në Lojërat Olimpike.

“Medalja e dytë olimpike! Mundësi i skuadrës sonë olimpike Dudaev, do të na sjellë prej “Paris 2024” një tjetër gur të çmuar në gjerdanin e sportit tonë, të Shqipërisë sonë. Mirënjohje kampionit Islam Dudaev!”