PARIS - Distria Krasniqi nuk ia doli të sigurojë medaljen e artë në xhudo për Kosovën, duke u mposhtur në finalen e peshës deri në 52 kg nga Diyora Keldiyorova e Uzbekistanit. Megjithatë 28-vjeçarja nga Peja i siguroi Kosovës medaljen e parë (të argjendtë) në Lojërat Olimpike të këtij viti që po zhvillohen në Paris.
Ecuria/ Xhudistja nga Kosova sot siguroi tre fitore të jashtëzakonshme në po kaq ndeshje. Fillimisht Krasniqi arriti të fitojë me ippon ndaj xhudistes nga Indonezia, Maryam March Maharani për vetëm 39 sekonda. Ndërkohë në çerekfinale Krasniqi fitoi sërish me ippon ndaj xhudistes nga Izraeli, Gafen Primo, brenda një minute.
Distria u përball me xhudisten italiane Odette Giuffrida në gjysmëfinale. Ndeshja shkoi në shtesë ose siç njihet ‘golden score’, ku italiania që shmangej nga përballja direkte, mori vërejtjen e tretë.
Kështu, Krasniqi këto lojëra mori medaljen e argjendtë si vendi i dytë, teksa në 'Tokio 2020' kishte siguruar medaljen e artë.