Pas dy muajsh nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Kosova do të shkojë përsëri drejt zgjedhjeve, kësaj radhe shkak u bë dështimi i Kuvendit për të zgjedhur brenda afateve kushtetuese presidentin e ri të Republikës. Shpërndarja e parlamentit dhe dekreti për zgjedhjet e reja parlamentare u njoftuan sot nga presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për shtyp.  

Osmani tha se deputetët e Kuvendit kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të zgjedhur presidentin e ri dhe se dështimi i mbrëmjes së djeshme ishte i mirëkalkuluar. Ajo tha se Kosovën përsëri në zgjedhje e çuan njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme.

“Kam vendosur të shpërndaj kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja. Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë e ka krijuar dështimi i kuvendit. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, tha Vjosa Osmani.

Osmani u takua me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në takim mungoi Albin Kurti dhe Lista Serbe, por partitë e tjera dhe ato të minoriteteve joserbe i kanë shprehur qëndrimet e tyre. Si fillim, liderët e opozitës bënë me dije se nuk kanë ndonjë datë të preferuar.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se kjo parti do të përkrah secilën datë që e caktohet nga presidentja.

Ne e dimë që janë dërguar disa shkresa në Kushtetuese, se si do t’i trajtojë gjykata. Çdo vendim që merret nga gjykata e respektojmë. Besoj që presidentja e ka analizuar mirë veprimet e veta. Megjithatë vendimi i Kushtetueses është i pranueshëm për PDK-në. Cilado datë që caktohet nga presidentja e vendit në përputhje me afatet kushtetuese”, tha  Hamza.

Sipas tij përgjegjësia kryesore për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja bie mbi VV-në.

Diskutuam edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme. S’ka pasur asnjë arsye me ardh në këtë moment. Përgjegjësia kryesore i bie partisë më të madhe sepse ka mundur t’i japë vendit president. Zgjedhja e presidentit historikisht ka ndodhur me marrëveshje politike në të gjitha periudhat. Nuk kam vendosur asnjëherë vija të kuqe. Nuk kemi qenë refuzues. Qëllimi ka qenë që vendi të ketë institucione e të mos vazhdohet me këto bllokada”, tha Hamza.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pajtohet me datën që do të caktohet nga presidentja.

“Diskutime zyrtare për datën e zgjedhjeve. Kurdo që Presidenti e vlerëson, për afatin kushtetues rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, tha Abdixhiku.

Kurse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, dha disa data opsionale brenda muajit prill.

Janë opsion prej 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër, nuk kemi datë të preferuar e kuptojmë se jemi në auto-pilot, nuk ka askush kompetenca, përveç Kushtetutës”, ka thënë Haradinaj.

Ai gjithashtu kritikoi VV-në që nuk mori pjesë në takimin me Osmanin 

Është fyerje për vendin që Vetëvendosje nuk ishte. Kurtit iu kanë përgjigj në takime të gijithë kryetarët e partive opozitares, mos-ardhja e tij nuk është në rregull. Adresimi në Gjykatë Kushtetuese është tallje, hajgare. Afati 30-ditor e kanë ditur me kohë, kanë bërë hajgare. Kanë thirre seanca dje, është vërtetë gabim prej anës tyre. Askush nuk i ka faj VV-së për sjelljen e tyre dhe ato që ia kanë sjellur vendit. Është dashur të vinë”, tha Haradinaj.

Pak orë pas këtyre takimeve, kryeministri Kurti doli në një konferencë për shtyp nga ku tha se në bazë të Kushtetueses, Kuvendi nuk duhej shpërndarë duke qenë se raundi i tretë për votimin e presidentit nuk ishte ezauruar fare. 

Ai përmend edhe nenin 82 i cili përcakton afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit nga dita kur ka nisur procedura e që sipas tij i njëjti mbyllet me 5 maj, e jo më 5 mars.

“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti duke  paralajmëruar që çështja e dekretit duhet të marrë shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.

Kjo e fundit ka njoftuar Albulena Haxhiun se ka regjistruar kërkesën e saj dhe të 9 deputetëve të tjerë lidhur me kushtetueshmërinë e procedurës për zgjedhjen e presidentit. 

Sipas gjykatës deputetët e Kuvendit mund t`i paraqesin komentet e tyre me shkrim për këtë çështje deri më 9 mars 2026.

Çfarë ndodhi në seancën e së enjtes? 

E enjtja ishte  afati i fundit kushtetues i Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri. 

I vetmi propozim për zgjedhjen si president ishte Glauk Konjufca i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Por, për të pasur garë duhet të paktën 2 propozime. Në këto kushte, presidentja Osmani solli në Kuvend propozimin për ndryshime në Kushtetutë, duke kërkuar që zgjedhja e presidentit të Republikës të bëhej me votat e popullit dhe jo të parlamentit. Ndryshimet e propozuar nga Vjosa Osmani nuk u votuan në Kuvend dhe LVV në momentin e fundit doli me kandidaturën e dytë, Fatmire Kollçaku – Mullhaxha.

Votimi nuk u krye pasi në kuvend nuk ndodheshin as 80 deputetë. Në sallën e parlamentit ishin të pranishëm vetëm 66 deputetët e shumicës parlamentare. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk pati rrugëdalje tjetër vetëm se të ndërpriste seancën në mungesë të kuorumit. Pas mbylljes së seancës, kryetarja e Kuvendi Albulena Haxhiu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:57
Përse nuk e kandidoi Vetëvendosja Osmanin për presidente? Ja si përgjigjet Kurti

 

Gjatë konferencës për shtyp Kurti u pyet direkt përse Vetëvendosja nuk kandidoi Vjosa Osmanin për presidente. Kurti tha se e dinte se Osmani nuk do të siguronte kuorum.

“Ne jemi përpjekur të gjejmë figurën konsensuale dhe shtegun për propozime partiake e nisi partia kryesore opozitare, PDK, ne nuk ishim për atë. Kur thanë se do të bëhen veç propozime të partive dhe afrohet afati kur ne duhet të jepnim së paku një propozim, ne erdhëm te emri i Glauk Konjufcës. Tash, ne e kemi ditur paraprakisht që as presidentja aktuale, e as presidenti potencial nuk na garantojnë kuorumin, kjo u pa mbrëmë me 66 deputetë dhe në këtë situatë kemi bashkëpunuar me parti të tjera. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi vepruar ashtu siç kemi vepruar dhe në fund erdhëm në situatën që nuk ishte kandidate as presidentja aktuale. Ne jemi takuar qindra herë me presidenten gjatë këtyre më shumë se pesë viteve. Kemi pasë diskutime të panumërta. Tash ne ruajmë transparencën e proceseve, por në të njëjtën kohë duhet të ruajmë edhe konfidencialitetin e bisedave. Shumë biseda kemi bërë. Ajo është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër dhe nuk është koha tash të bëj diskutime publike, politike me presidenten e vendit. Nëse një ditë, siç është paralajmëruar, ajo do të kthehet në politikë, ajo do të ishte një situatë tjetër”, tha Kurti 

 

Ora 16:50
Osmani foli për 'njerëz të rrezikshëm', Kurti: Pse ju shkon mendja tek unë?

1772812540_albin5850x638.jpg

Kryetari i Lëvizjes  Vetëvendosje, dhe Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, u pyet nga gazetarët mbi deklaratën e Presidentes Vjosa Osmani 'se njerëz të rrezikshëm e sollën situatën në vend deri në këtë gjendje".  Në përgjigjen e tij, Kurti u kujtoi gazetarëve se Osmani nuk përmendi emra.

“Nëse zonja Presidente nuk ka folur me emra, unë nuk e di pse ju shkon mendja tek unë. Por edhe nëse ju keni të drejt, duhet ta pyesni atë.” – tha ai.

Ora 16:40
Kosovë/ Kurti e akuzon opozitën për mosbashkëpunim për zgjedhjen e presidentit: Kurrë nuk dhanë emër

1772811677_169fca06c97848cf4e7508de3c91433dw1023r0s.avif

Kurti tani po i kritikon dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK, për mungesë të bashkëpunimi të mirëfilltë për një marrëveshje për president.

Ai tha se nuk u morën vesh me PDK-në pasi ai tha se nuk ka pranuar të bëjë marrëveshje ‘bllanko”, siç kërkonte PDK.

“Nuk mund të bëj marrëveshje pa u ditur emri”, tha ai.

“Kur s’më dhanë emra, thashë hajt të provoj unë t’ua japë një emër”, tha Kurti teksa përshkruante negociatat me opozitën.

Ai tha se nuk u pranua propozimi i tij për emrin e Andin Hotin dhe nuk pranuan më as të takohen.

Kurse për LDK-në tha se i ka thënë se mund të japin veç gjysmën e nënshkrimeve për njërin kandidat.

Ora 16:19
Kurti kundërshton dekretin e Osmanit: Nuk flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese!

1772811438_78efb76333a8474cf85408de3c642a37w1597nr1s.jpg

Pak orë pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike për caktimin e zgjedhjeve të reja pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti mbajti një konferencë për shtyp duke kundershtuar dekretin e Osmanit me argumentin se sipas Kushtetutës, kuvendi nuk duhej të ishte shpërndarë

 

“Nevojiteshin së paku 80 deputetë pjesëmarrës në mënyrë që të plotësohet kuorumi. Të gjithë e kemi pa mbrëmë pamjen e seancës plenare të Kuvendit të Republikës, kush ishte, ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër, nuk ishte fare sepse nuk ishin. Asnjë deputet që nuk erdhi nuk njoftuan kryetaren Haxhiu për arsyen e mungesës, prandaj kjo lëndë tash është në Gjykatën Kushtetuese. Është obligim kushtetues i deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre për çka i ka zgjedhur populli i Kosovës dhe të vijnë në vendin e tyre të punës në seanca plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë. Dekreti për shpërndarjen e Kuvendi nuk është kushtetuese, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuar shprehimisht nga Kushtetuta. Kjo përbën edhe një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Le të presim me qetësi dhe durim, ndërkohë që qeverisim mbar e mirë si gjithnjë” tha ai.

 

Ora 15:56
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese kundër dekretit të Osmanit, Hasani: Ka 'uzurpuar' kompetencat e Kuvendit të Kosovës

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani tha në një intervistë për Radion Europa e Lirë se dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues. Sipas tij, Osmani nuk ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin, i cili nga sot ka 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit.

"Kjo që ka bërë zonja Osmani, është përpjekje për ndryshim të formës së pushtetit shtetëror dhe shndërrim të sistemit kushtetues nga parlamentar në sistem presidencial. Në sistemet presidenciale dhe gjysmëpresidenciale, presidenti ka të drejtë ta shpërndajë parlamentin. Ndërkaq, në sistemet parlamentare, siç e ka Kosova, kjo nuk ndodh. Parlamenti shpërndahet vetëm atëherë kur ka mocion mosbesimi, ose kur ai e shpërndan vetveten, si dhe kur nuk mund të formohen me rrugë kushtetuese organet qendrore të pushtetit, të cilat legjitimohen nga parlamenti" tha ai.

Ai shpjegon se, vetëm në rast se dështon brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Hasani thekson se konsultimet e partive politike me presidenten për çështjen e caktimit të datës së zgjedhjeve, janë “fiktive dhe jokushtetuese”, si dhe kanë për qëllim “të përligjin rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani”.

"Nëse dekreti kontestohet në Gjykatë, sigurisht që anulohet, sepse është jokushtetues fund e krye. Në këtë rast, presidentja Osmani i ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Askush nga jashtë, asnjë organ nga jashtë nuk mund ta shpërndajë në mënyrë autonome Kuvendin e Kosovës, përveç vetë Kuvendi, në rast të dështimit të tij për të realizuar vullnetin e sovranit. Pra, asnjë organ tjetër nga jashtë, as presidenti dhe as Qeveria, nuk mund ta shpërndajnë Kuvendin, sepse është natyra e sistemit parlamentar që nuk e lejon një gjë të tillë. Kuvendi nuk i përgjigjet as presidentit dhe as Qeverisë, por anasjelltas" tha ai

Ora 14:44
'E verbuar për pushtet që nuk i takon!' Këshilltari politik i Kurtit sulmon Osmanin: Zgjodhi shkeljen e Kushtetutës!

1772805009_Capture.JPG

Tensionet politike në Kosovë u rritën ndjeshëm në Kosovë të premten pas shpërndarjes së Kuvendit. Këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka sulmuar ashpër presidenten Vjosa Osmani duke e quajtur të “ verbuar për pushtet” dhe akuzuar se po i jep vetes kompetenca që nuk i takojnë.

Ai ngriti pikëpyetje edhe për amendamentet kushtetuese që presidentja propozoi për zgjedhjen e presidentit nga populli, duke thënë se ato u dorëzuan vetëm disa orë para nisjes së seancës për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, nëse ky ishte një propozim për të mirën e republikës, Osmani mund ta kishte bërë shumë më herët gjatë mandatit të saj pesëvjeçar dhe jo në momentet e fundit.

Zulfaj tha gjithashtu se procesi i ndryshimeve kushtetuese nuk do të kishte efekt të menjëhershëm, pasi amendamentet hyjnë në fuqi vetëm pas gjashtë muajsh.

Ai e akuzoi presidenten se, në vend që ta mbyllte mandatin me dinjitet, zgjodhi të ndërmarrë një veprim që sipas tij përbën shkelje të Kushtetutës dhe sulm ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pas pesë vitesh që Vetëvendosje i dha rastin të shërbejë në pozitën më të lartë të shtetit, ajo si akt të fundit zgjodhi shkeljen e Kushtetutës. Trashëgimi e pandershme”, shkroi ai.

 

 

Ora 14:22
PDK pranon çdo datë që cakton presidentja Osmani, Hamza: Të gatshëm për zgjedhje!

1772803525_BedriHamza.jpg

Partia Demokratike e Kosovës thotë se do të pranojë çdo datë zgjedhjesh që caktohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Pas takimit konsultativ me presidenten për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, kreu i PDK-së Bedri Hamza tha se partia e tij nuk ka një datë të preferuar për mbajtjen e votimit.

Sipas tij, PDK do të mbështesë çdo datë që caktohet nga presidentja, për sa kohë ajo është në përputhje me afatet ligjore dhe kushtetuese.

Ne e dimë që janë dërguar disa shkresa në Kushtetuese, se si do t’i trajtojë gjykata. Çdo vendim që merret nga gjykata e respektojmë. Besoj që presidentja e ka analizuar mirë veprimet e veta. Megjithatë vendimi i Kushtetueses është i pranueshëm për PDK-në. Cilado datë që caktohet nga presidentja e vendit në përputhje me afatet kushtetuese”, tha Hamza duke shtuar se përgjegjësia kryesore për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja bie mbi VV-në.

Diskutuam edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme. S’ka pasur asnjë arsye me ardh në këtë moment. Përgjegjësia kryesore i bie partisë më të madhe sepse ka mundur t’i japë vendit president. Zgjedhja e presidentit historikisht ka ndodhur me marrëveshje politike në të gjitha periudhat. Nuk kam vendosur asnjëherë vija të kuqe. Nuk kemi qenë refuzues. Qëllimi ka qenë që vendi të ketë institucione e të mos vazhdohet me këto bllokada”, u shpreh Hamza.

 

Ora 14:00
AAK mbështet shpërndarjen e Kuvendit, Haradinaj: Kurti po bën hajgare, e respektojmë dekretin e Osmanit!

1772802192_KryetariiAleancesperArdhmerineeKosovesRamushHaradinaj.jpg

Ramush Haradinaj ka mbështetur vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Para se të hynte në takimin me presidenten Vjosa Osmani për konsultimet mbi datën e zgjedhjeve, lideri i AAK-së tha se dekreti i presidentes është pasojë e drejtpërdrejtë e afateve kushtetuese, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri.

“Dekreti është rrjedhojë e afateve kushtetuese, pra është një e drejtë dhe çdo aspekt tjetër i ecjes përpara duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës dhe afateve kushtetuese. Ne e respektojmë dekretin”, tha Haradinaj.

I pyetur cila është data që preferon Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Haradinaj dha disa data.

"Janë opsion prej 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër, nuk kemi datë të preferuar e kuptojmë se jemi në auto-pilot, nuk ka askush kompetenca, përveç Kushtetutës”, ka thënë Haradinaj.

Ai kritikoi edhe VV-në që nuk ka marrë pjesë në këtë takim.

Është fyerje për vendin që Vetëvendosje nuk ishte. Kurtit iu kanë përgjigj në takime të gijithë kryetarët e partive opozitares, mos-ardhja e tij nuk është në rregull. Adresimi në Gjykatë Kushtetuese është tallje, hajgare. Afati 30-ditor e kanë ditur me kohë, kanë bërë hajgare. Kanë thirre seanca dje, është vërtetë gabim prej anës tyre. Askush nuk i ka faj VV-së për sjelljen e tyre dhe ato që ia kanë sjellur vendit. Është dashur të vinë”, u shpreh Haradinaj.

 

 

Ora 13:45
Shpalli zgjedhjet e e parakohshme, Osmani takon krerët e partive për datën e zgjedhjeve! Kurti nuk shkon

Foto: Vjosa Osmani gjatë takimit me Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinaj

Pa liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur takimin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Takimi është konsultativ, për të diskutuar në lidhje me datën e zgjedhjeve, pasi mëngjesin e sotëm Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e kuvendit.

Ora 13:09
LVV do ta çojnë në Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit: Osmani të thotë emrat e personave që kanë ‘qëllime të rrezikshme për Kosovën’

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavaci ka thënë sot se shpërndarja e Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin dhe që rastin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk kishte pse të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes”, ka deklaruar ajo në një konferencë për media.

Sipas saj, LVV-ja, në përputhje me rezultatin e saj zgjedhor, në vazhdimësi i ka ofruar alternativat për shmangien e zgjedhjeve.

"Barrikadimi me jo-në e vazhdueshme, është i padobishëm dhe i panevojshëm", ka thënë ajo.

LVV-ja i ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Në këtë legjislaturë ajo i ka 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

E pyetur nëse partia do të marrë pjesë në konsultimet që do t'i nisë Osmani për datën e zgjedhjeve të reja, ajo ka thënë se nuk sheh arsye për të marrë pjesë në to.

“Nuk ka asnjë arsye për të marrë pjesë në një takim të tillë për faktin se ky veprim bie ndesh me Kushtetutën”, u shpreh Nagavci.

Nagavci, gjithashtu, i ka kërkuar Osmanit që t'i përmendë me emra figurat që ajo beson se kanë qëllime të rrezikshme për shtetin e Kosovës.

Ora 09:07
‘Qytetarët s’kanë nevojë për vonesa të reja’, presidentja Osmani: S’kam qenë kurrë më krenare sesa për këtë vendim

Gjatë deklaratës për shtyp, presidentja Vjosa Osmani tha se qytetarët s’kanë nevojë për vonesa, por për politikë që s’i trembet përgjegjësisë. Osmani theksoi se është e vetëdijshme që dekreti mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese, por “s’ka qenë kurrë më krenare” për një vendim.

“Pyetja nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato? Pra pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve? Qytetarët s’kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë të dëgjohet qartë zëri i tyre. Kanë nevojë për qartësi, institucione që funksionojnë dhe jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia. Jam plotësisht e vetëdijshme se ky dekret mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe dua ta them hapur: kurrë s’kam qenë më krenare sesa për këtë vendim. Jam shumë e qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës sesa për mosveprim kur rrezikohen themelet e saj sepse në një republikë kushtetuese përgjegjësia më e madhe është të qëndrosh në anën e Kushtetutës dhe interesit të republikës”, tha Osmani.

Ora 08:59
Amendamentet për zgjedhjen e Presidentit nga populli, Osmani: Nuk do të ndryshonte asgjë për pasardhësin, s’lidhej me rikandidimin tim

Lidhur me amendamentet e propozuara për zgjedhjen e presidentit nga populli, presidentja Vjosa Osmani sqaroi se nuk do të kishin asnjë efekt për pasardhësin e saj. Amendamentet, edhe nëse do të miratoheshin në seancën e së enjtes, do të krijonin mundësinë që në zgjedhjet presidenciale pas 5 vitesh, vullneti të vinte nga populli.

Osmani theksoi se kjo s’do të lidhej aspak me mundësinë për rikandidimin e saj për zgjedhje të reja të këtij momenti.

“Dua të ndalem gjithashtu te një debat që ka dominuar dje gjatë ditës. Dje kam dorëzuar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drjetpërdrejt nga qytetarët. E kuptoj shumë mirë që kjo ka ngritur pyetje. Në një klimë politike të tensionuar, çdo veprim shihet me dyshim dhe çdo vendim interpretohet përtej asaj që mund të jetë e vërtetë. Dua të jem shumë e qartë me qytetarët e Kosovës, këto amendamente s’do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të  duhej të zgjidhej deri mbrëmë, për pasardhësin e menjëhershëm të mandatit tim. Vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Edhe sikur këto amendamente të miratoheshin mbrëmë, s’do të ndryshonin asgjë për zgjedhjen e pasardhësit tim. Pas 5 vitesh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli dhe jo tani, s’ka pasur fare të bëjë me mundësinë që unë të rikandidoj për zgjedhje të reja tani. Këto amendamente s’janë hartuar nga unë, janë hartuar nga komisioni kushtetues i vitit 2011. Çdo ndryshim do të nënkuptonte që të riktheheshin përsëri në Gjykatën Kushtetuese”, tha Osmani.

Ora 08:55
Osmani: Kosovën e sollën këtu njerëz të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme, Kuvendi ka dështuar të zgjedhë presidentin

Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje parlamentare pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Parlamenti është shpërndarë pasi ligjvënësit dështuan deri mbrëmë në mesnatë për të zgjedhur presidentin e ri të republikës së Kosovës.

“Mbrëmë përpjekjet dështuan. Ky nuk ishte rastësi, as i pamenduar, përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar për fat të keq. Neni 86 presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 dit përpara përfundimit të mandatit. Mandati im përfundon më 4 prill. Kjo d.m.th. që 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues, ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Nuk kemi të bëjmë me një debat politik por me një akt të qartë kushtetues. Deputet e kuvendit kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të kryer këtë detyrë. Ata vendosën që mos ta bëjnë dhe ky është realiteti që po përballemi sot.  Kam vendosur të shpërndaj kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja. Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë e ka krijuar dështimi i kuvendit. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, tha Vjosa Osmani.