Parlamenti "rrëzon" Nishanin
për karrierën ushtarake të FA-së

Parlamenti për karrierën ushtarake të FA-së">
TIRANE - Kuvendi rrëzoi sot me votat e mazhorancës dekretin e Presidentit Bujar Nishani që ktheu për rishqyrtim në parlament ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”, i miratuar pak javë më parë në seancë plenare, ndërsa PD nuk ishte në Parlament, bojkotim ky i paralajmëruar nga opozita.
 
I parashikuar në rendin e ditës, dekreti i Nishani për karrierën ushtarake të FA u rrëzuar me 80 vota kundër dhe 2 abstenime.
 
Ndërkaq më herët deputeti i LSI-së, Spartak Braho, njëkohësisht kryetar i komisionit parlamentar të Sigurisë, i cilësoi të pabazuara arsyetimet e përdorura nga Kreu i Shtetit, për rikthimin e këtij dekreti sërish në Kuvend.
 
“Ligji nuk uzurpon asnjë kompetencë kushtetuese të Presidentit në cilësinë e tij si komandant i FA-së.” tha Braho.

Ligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura” nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani duke u rikthyer sërish në Kuvend për rishqyrtim. Sipas Nishanit në argumentimin e tij ligji tejkalon dhe uzurpon funksionin kushtetues të tij si Komandant i Përgjithshëm si dhe kompetencën e Kuvendit. 

Më poshtë dekreti i Presidentit Bujar Nishani për karrierën ushtarake të FA:

DEKRET PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 59/2014 “PËR KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË” 

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93 tëKushtetutës 

D e k r e t o j 

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 59/2014 “Për Karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. 

Nr. Dekretit 8620 
Tiranë, më 04.07.2014 

PRESIDENTI I REPUBLIKËS 

BUJAR NISHANI 

* * * 

Arsyet e kthimit të Ligjit Nr. 59/2014 
“Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” 

Të nderuar deputetë, 

Në seancën plenare të datës 12 qershor 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. 

Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 17 qershor 2014. Mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës, vlerësoj se ligji nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” duhet rishqyrtuar nga Kuvendi, mbështetur në arsyet dhe argumentet sa më poshtë vijon. 

Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron të gjitha funksionet e kompetencat që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura, te cilat burojnë nga Kushtetuta dhe parashikohen shprehimisht nga ligjet që nuk vijnë në kundërshtim me të. Ai është zotërues i të drejtës së komandimit dhe drejtimit të të gjithë veprimtarisë të Forcave të Armatosura në kohë paqe dhe në kohë lufte. Në kohë paqeje, Presidenti i Republikës e ushtron komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, të cilët janë përgjegjës për ushtrimin e veprimtarisë së tyre të drejtimit përpara Kuvendit dhe Presidentit të Republikës. 

Në këtë këndvështrim kushtetues, çdo iniciativë ligjore që ka të bëjë me komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura, karrierën ushtarake, statusin e ushtarakut etj, duhet detyrimisht të konsultohen paraprakisht me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të marrin dakortësinë e tij. Në të kundërt, këto veprime do të rrezikonin zinxhirin e komandim/kontrollit, kaq vendimtar për drejtimin në fushën e mbrojtjes së vendit. 

Pra, ushtrimi i kompetencave të dhëna nga Kushtetuta në kohe paqeje Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, nuk duhet të anashkalojnë funksion e komandimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura nga Komandanti i Përgjithshëm. 

Konkretisht: 

Në ndryshim nga ligjet e mëparshme, ku për vetë rëndësinë që zënë në hierarkinë ushtarake të Forcave të Armatosura oficerët me gradë madhore, dalja në rezervë apo lirim e kësaj kategorie bëhej me dekret të Presidentit, ndërsa me ligjin 59/2014 (përkatësisht me nenet 25, 26) ato bëhen me urdhër të Kryeministrit, dhe me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, duke tejkaluar dhe uzurpuar funksionin kushtetues të Komandantit të Përgjithshëm të FA. Çdo kompetencë e rregulluar me ligj, dhe e konsoliduar me një eksperiencë 10-vjeçare, mund t’i hiqet Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm, vetëm atëherë kur ato vijnë në kundërshtim me Kushtetutën. Në asnjë rast të vetëm, nuk gjendet në relacionin shoqërues të projektligjit një arsye e tillë, e kundërshtisë së tij me kushtetutën, gjë e cila do ti bënte këto ndryshime të padiskutueshme. Gjithashtu, zbatimi i derimëtanishëm i ligjit aktual, siç edhe thekson relacioni hspjegues i projektligjit, nuk ka pasur asnjë efekt negativ. 

Në ndryshim nga neni 22 i ligjit të mëparshëm, kur njësimi i gradave me funksionet organike për oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura bëhej me ligj nga Kuvendi, ligji 59/2014 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” (neni23) sanksionon kryerjen e procedurës së njehsimit nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Kjo sjell si pasojë përqendrimin e karrierës ushtarake në mënyrë apsolute tek Kryeministri duke tejkaluar kopetencën e Kuvendit për të vendosur si pushtet dhe autoritet primar në drejtimin e Forcave te Armatosura.

Gjithashtu konstatohet se ligji 59/2014 “Për gradat dhe karrieren ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” bie ndesh me ligjin nr.8671, datë 26.16.2000 “Për pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit dhe Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura” i cili shprehet qartë për rolin e Komandantit të Përgjithshëm në hierarkinë e pushteteve dhe autoriteteve të Forcave të Armatosura, si dhe percakton kompetencat e tij në lidhje me karrierrën e oficerëve me gradë madhore, ku shprehimisht thuhet: ”Jep gradën e gjeneralit dhe dekoron ushtarakët e Forcave të Armatosura me propozim të Ministrit të Mbrojtjes”; ”Emëron, shkarkon dhe nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore” (pikat 7 dhe 8 të Nenit 7 të ligjit). 

Në përfundim, theksoj se këto qasje bien ndesh me sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, i cili bazohet në parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, garant i së cilës është edhe Presidenti i Republikës si Kryetar Shteti dhe përfaqësues i unitetit të popullit. 

Sa më sipër, në analizë dhe këndvështrim ligjor, gjykoj se Forcat e Armatosura nuk janë strukturë në varësi të ekzekutivit, gjyqësorit apo legjislativit. Kushtetuta (në Pjesën 15) përcakton misionin, dhe në vija të përgjithshme tregon zinxhirin e komandim kontrollit të Forcave të Armatosura, i delegon kompetencat e drejtimit të Komandantit të Përgjthshëm në kohë paqeje, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, por gjithmonë nën komandimin e tij si eprori më i lartë në hierarkinë e Pushteteve dhe Autoriteteve të Komandimit dhe Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura. 

Si konkluzion, kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit 59/2014 pasi bie ndesh me nenet 168 pika 2, 169 pika 1 dhe pika 4 të Kushtetutës. 

Redaksia  Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

'Ciceron'/ 'Comizi d’amore' te 'Agimi', Festivali i filmit japonez te 'Maks Velo', artisti Gazmend Leka sjell ekspozitën 'Viti Zero' te 'Artet'

'Ciceron'/ 'Comizi d’amore' te 'Agimi', Festivali i filmit japonez te 'Maks Velo', artisti Gazmend Leka sjell ekspozitën 'Viti Zero' te 'Artet'