Partia e Lirisë ka reaguar sot për përmbytjet e rënda në qarkun Fier, duke ia atribuar situatën korrupsionit dhe mungesës së investimeve në infrastrukturën mbrojtëse. Në një deklaratë publike, deputetja e kësaj force politike për qarkun Fier, Brunilda Haxhiu, tha se përmbytjet janë shkaktuar nga çarja e argjinaturave dhe hapja e portave të hidrocentralit të Banjës.
“Përmbytjet në qarkun Fier kanë qenë të konsiderueshme për shkak të çarjes së argjinaturave të lumenjve si dhe hapjes së portës së hidrocentralit të Banjës. Këto përmbytje janë shkatërruese për ekonominë e banorëve të zonës dhe janë pasojë e korrupsionit të qeverisë dhe babëzisë së Rilindjes për të vjedhur çdo fond”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se fondet që duhej të ishin përdorur për mbrojtjen e tokave bujqësore janë shpërdoruar.
“Miliona euro që janë shpërdoruar duhet të kishin shkuar në mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet, ashtu siç u propagandua”, u shpreh deputetja, duke e cilësuar situatën si “një mbytje të qëllimshme ekonomike dhe sociale”.
Sipas saj, përmbytjet vetëm sa kanë përforcuar një krizë të kahershme për fermerët. “Edhe pa vërshuar lumenjtë, shteti ua ka grabitur tokat, i ka falimentuar me çmimet e ushqimeve, naftën e papërballueshme dhe rritjen kriminale të inputeve bujqësore. Ju punoni, prodhoni, por nuk shisni dot”, tha Haxhiu.
Deputetja e Partisë së Lirisë theksoi se dëmet janë të mëdha në bujqësi, banesa dhe blegtori. “Ka dëme të konsiderueshme në toka të mbjella me grurë, elb dhe foragjere, dëme të rënda në banesa dhe orendi shtëpiake, si dhe humbje të mëdha në bagëti të imta dhe gjedh, që për shumë familje përkthehen në humbje totale të të ardhurave”, deklaroi ajo.
Haxhiu renditi edhe zonat e prekura nga përmbytjet, duke përmendur daljen nga shtrati të lumit Vjosa, që përmbyti Ferrasin, Çervenin, Martinen, Frakullin, Kashishtin, Varibobin dhe Boçovën, si dhe daljen nga shtrati të Semanit pas hapjes së portave të hidrocentralit të Banjës, duke përmbytur Belinën, Zharrëzën, Mbrostarin, Petovën, Grecallinë, Daullasin, Mujallin dhe Ndërnenasin.
Në deklaratën e saj, Haxhiu akuzoi qeverinë për mungesë përgjegjësie dhe transparence.
“Qeveria bën show mediatik, por nuk merr masa reale. Myzeqeja po mbytet, toka më pjellore e Shqipërisë po shndërrohet në kënetë dhe bashkë me të po shkatërrohet jeta e mijëra familjeve”, tha ajo.
Deputetja bëri thirrje për organizim dhe protesta.
“Sot na mbetet vetëm një rrugë, organizimi. Të bashkohemi fermerë dhe qytetarë, të protestojmë dhe të ngremë zërin fort. Vetëm rrëzimi i kësaj qeverie sjell shpresë për të ardhmen e fëmijëve tanë”, përfundoi Haxhiu, duke shtuar se mbështetja e bujqësisë mbetet prioritet i Partisë së Ilir Metës.
Komente











