Partia Socialiste kërkon shkarkimin e Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë me argumentin se ka shkelur kodin e etikës në daljen e tij publike. Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbledhur 28 firma, me anë të të cilave kërkojnë që Arben Malaj të lirohet nga posti i tij.

Në letrën e firmosur nga 28 deputetët socialistë thuhet se Malaj ka kryer shkelje etike në daljet publike duke bërë deklarata politike, gjë të cilën nuk ia lejon posti i tij e Bankës së Shqipërisë.

Malaj përmes komenteve në rrjetet sociale por edhe intervistave të ndryshme ka shprehur kritika të hapura se si qeveria trajton çështjet ekonomike. Malaj u votua me 107 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim për të qenë pjesë e bordit drejtues të BKSH.

Malaj, ish-deputet i PS-së dhe ish-ministër i Financave, u propozua për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së nga disa deputetë të Partisë Socialiste. Ai zëvendësoi  në këtë post Ermelinda Meksin, e cila në shkurt të 2016 dha dorëheqjen.