Këtë të hënë ministri i Transporteve Edmond Haxhinastro firmosi kontratat mes kompanive Joint VentureSintram Albania dhe Combined Group për dy segmentet e para prej 30.9 kilometrash, punimet për të cilat do të nisin për 30 ditë.
Ministri tha se ky segment është “një nyje e rëndësishme për lidhjet me fqinjët, si një pjesë e “Korridorit 8”.
“Sot konkludojmë kontratën për punimet në rrugën Qukës-Qafëplloç, një vepër e rëndësishme e infrastrukturës rrugore shqiptare, një segment shumë i rëndësishëm i Korridorit 8-të që përmirëson ndjeshëm lidhjet e Shqipërisë me fqinjët jugorë dhe jug-lindor, e veçanërisht i shërben ekonomisë dhe turizmit të zonës, por i shërben shumë edhe punësimit të gjithë banorëve të zonës së Quksit, Mokrës dhe Pogradecit, pasi është një vepër e cila kërkon angazhime të mëdha si në fuqi inxhinierike ashtu edhe në kapital njerëzor për realizimin e saj”, - tha Ministri Haxhinasto.
Ministri vuri theksin në rëndësinë që ka aplikimi i standardeve dhe cilësisë në punimet e këtij segmenti, duke kërkuar nga kompanitë që të dorëzojnë veprën brenda afateve dhe me standardin me të lartë dhe u shpreh se do të aplikohet monitorimi rigoroz gjatë ndërtimit të kësaj vepre.
“Rrjeti ynë rrugor tashmë është në fazën e standardizimit, të rritjes së cilësisë së tij, pasi qytetarët dhe ekonomia e vendit sot kërkojnë nivelin më të lartë të cilësisë të shërbimit në rrugë. Për herë të parë në këtë vepër do të aplikojmë standard të ri, me gjerësi të rrugës 12 metra”, tha ai.
Kontrata për 3 lotet e këtij segmenti ka kushtuar rreth 152.75 milionë dollarë për një segment prej 43.4 km.
Informacion mbi projektin për ndërtimin e segmentit rrugor Qukës – Qafë Plloçë, pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë
Projekti i ndërtimit të rrugës Qukës – Qafë e Plloçës, pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë (Korridori VIII) konsiston në ndërtimin e një segmenti rrugor prej 43.4 km të gjatë, që do të kalojë ndërmjet Qarkut të Elbasanit dhe atij të Korçës e që së bashku me ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan do të sigurojë një lidhje më të shpejtë dhe komode midis portit të Durrësit e vendeve të tjera të Ballkanit, si Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Turqia etj., duke e bërë Shqipërinë vendin më të përshtatshëm për të kryer tranzitin nga vendet e Ballkanit drejt Evropës dhe anasjelltas.
Kjo rrugë shërben, gjithashtu, si një bypass për qytetin e Pogradecit, një nga kryeqendrat turistike të Shqipërisë juglindore, duke shmangur kështu ndotjen e qytetit dhe liqenit të tij si pasojë e tranzitit të mjeteve të rënda, gjë e cila do të rrisë komoditetin turistik në këtë rajon e, për pasojë, do të sjellë rritjen e numrit të turistëve. Për sa i përket zhvillimit lokal mund të themi se kjo rrugë që kalon në zonën e Mokrës dhe krijon akses me tregjet e Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Elbasanit apo edhe më gjerë, do të sjellë investime të reja në bujqësi, rritje të konsiderueshme të prodhimit vendas e, për pasojë, ulje të konsiderueshme të papunësisë.
Gjatësia e segmentit Qukës – Qafë Plloçë është 43,4 km, nga të cilat 2.9 km e para kanë filluar të ndërtohen me fonde të buxhetit të shtetit, ndërsa pjesa tjetër, prej 40.5 km, do të financohet nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB) dhe Fondi Saudit për Zhvillim (SFD). Rruga në 10 km e para kalon përgjatë lumit Shkumbin e më pas vazhdon në malësinë e Mokrës, e cila njihet si një zonë me terren të vështirë, dhe për këtë arsye do të ndërtohen një numër i madh muresh mbajtës dhe pritës, më shumë se 20 (njëzet) ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m i gjatë. Rruga do të ketë gjerësi prej 12 m, me 2 korsi me gjerësi 3.75 m secila (7.5 m në total), 2 bankina të asfaltuara, me gjerësi 1.5 m secila, dhe 2 bankina të paasfaltuara, me gjerësi 1 m secila.
Projekti do të ndahet në tre seksione ndërtimi. Kostoja totale e projektit me përllogaritje paraprake do të jetë rreth 152.75 milionë usd, nga të cilat:
a) 125 milionë usd janë akorduar nga huaja e IDB-së për të financuar dy seksionet e para të projektit, me një gjatësi të përgjithshme prej 30.9 km, ku përfshihet edhe ndërtimi i tunelit;
b) 25 milionë usd janë akorduar nga SFD-ja nëpërmjet marrëveshjes në fjalë, me anë të së cilës do të financohet seksioni i tretë, me një gjatësi prej 9.6 km,
c) 2.75 milionë usd do të financohen nga qeveria shqiptare për shpronësimet, punimet përgatitore të tjera dhe fonde rezervë.
Kontrata për 2 segmentet e para:
Segmenti i parë do të ndërtohet nga kompania Join Venture Sintram-Albavia dhe vlera për ndërtimin e tij llogaritet 38,199,652.84 dollarë
Segmenti i dytë do të ndërtohet nga kompania Combined Group dhe vlera llogaritet 63,098,543. 45 dollarë
Kohëzgjatja e realizimit të këtij projekti është 3 vjet + 1 vit garanci punimesh të parashikuar në kontratat respektive me kontraktorët.
Seksioni i tretë i rrugës me një gjatësi prej 9.6 km është në proces tenderimi dhe shumë shpejt pritet të fillojë nga puna.
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)