Pas disa refuzimeve të njëpasnjëshme, kryeministri Edi Rama ka ftuar sërish ditën e sotme protestuesit për dialog.

Edhe sot, para godinës së Kryeministrisë, është vendosur sofra e gurtë, me disa ‘ftesa’ në të cilat shkruhet ‘dialog’. Njësoj si dje, edhe sot mungojnë karriget rreth sofrës, të cilat ditët e tjera janë djegur e thyer vazhdimisht nga protestuesit.

Ditën e djeshme, në bulevardin Dëshmorët e Kombit pati një tkurrje të numrit të protestuesve dhe nuk u shënuan përplasje me efektivët e Policisë.

Kryeministri Rama ka prezantuar edhe paketën anti-dhunë, ku parashikohet ashpërsim i dënimeve për të gjithë protestuesit e dhunshëm. Paketa prek edhe protestuesit jo të dhunshëm, të cilët bëhen pjesë e tubimeve të dhunshme.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS ditën e djeshme, kryetari Taulant Balla tha se ligji për tubimet, pjesë e paketës ligjore anti-dhunë të propozuar nga Rama, do të hyjë në fuqi menjëherë, përmes një akti normativ të miratuar nga Qeveria.